Arkivi per kategorine ‘Precedente’
Përse kaq bujë, për vrasjet me sëpatë!!!
E lexova artikullin që vijon më poshtë dhe u rreka të gjej ndër rreshta një mesazh apo një artikulim që shkon në drejtim të parandalimit të krimeve të tilla makabre. Por nuk munda të gjej asgjë të tillë, përveçse përshkrimeve horror, publikimit të emrit të viktimave dhe rikthimit në vëmendje e bujës për ngjarje të rënda të ndodhura muaj më parë që na shfaqen sërish…nuk e di me çfarë shkaku. Cila është dobia e një artikulli të tillë për lexuesin, nëse mbushja e një faqeje ka qenë dobia e vetme për gazetën?!!!
TITULL: Nëntë hapësit e kokave me sëpatë
Vrasjet më makabre të kryera gjatë vitit të fundit kanë pasur të gjitha të përbashkët sëpatën dhe kartelën e psikiatrisë së autorëve. Vetëm dy autorët e vrasjes së Paskuqanit të dy ditëve më parë ende nuk “gëzojnë” kartelë TIRANË - Vrasjet më makabre të kryera muajt e fundit kanë pasur dy emërues të përbashkët: sëpatën dhe kartelën e psikiatrisë. Nuk do të ishte aspak e habitshme nëse arrestimi i dy autorëve të vrasjes makabre të dy ditëve më parë në mes të zonës së Paskuqanit në Tiranë, ku një 27-vjeçar mbeti viktimë e goditjeve të njëpasnjëshme me sëpatë, t’u bashkëngjiten shtatë kriminelëve të tjerë të sëmurë psikikë, të cilët kanë marrë jetë njerëzish me mjetin prerës primitiv.Ngjarja e ndodhur të shtunën në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, ku Shukri Damzi dhe Arben Doçi vranë gjakftohtë Ervis Sapajn vetëm për një vend parkimi, shënon rastin e tetë të ekzekutimeve me sëpatë pas koke. Ndërkohë që të shtatë të tjerët, që kanë vrarë apo kanë tentuar që të vrasin me sëpatë, janë cilësuar që të gjithë të sëmurë mendorë. Një pjesë e tyre janë vërtet të tillë, por për një pjesë ka ende dyshime të forta nga familjarët e viktimave. Vështirë të mund të imagjinosh se çfarë kalon në kokën e këtyre personave kur marrin sëpatën, e bashkë më të edhe guximin për të vrarë dikë. Rreziku i psikikëve në shtëpi është bërë alarmant gjatë vitit të fundit, ku janë shënuar minimalisht tetë ngjarje të rënda dhe të dhunshme, në kufijtë e barbaritetit.Por mungesa e një kontrolli të rreptë ndaj tyre dhe lënia në liri të plotë, sikur të ishin të shëndetshëm mendërisht, ka nxirë shifrat e viktimave që janë ekzekutuar barbarisht prej tyre, që të gjithë të vrarë me goditje precize sëpate pas koke.Sëpatë pas koke…Mjet lashtësie dhe mënyrë shtazarake ekzekutimi. Sëpata ka sjellë shtatë viktima dhe një të plagosur rëndë brenda një viti. Vrasjet me sëpatë shënojnë në total tetë raste në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kryer nga të ashtuquajturit persona me probleme të rënda psikike. Rasti më i fundit i ekzekutimit me sëpatë ndodhi të shtunën, kur dy persona të shëndoshë mendërisht dhe krejt gjakftohtë, të shpallur tashmë në kërkim, vranë një 27-vjeçar vetëm për një vend parkimi. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, kur Ervis Sapaj humbi jetën si pasojë e plagëve nga goditjet shtazarake me sëpatë nga Shukri Damzi dhe Arben Doçi, bashkëmoshatarë të tij. Por rasti i të riut, i cili u vra për shkaqe krejtësisht banale, nuk është i vetmi. Në precedentët e mëparshëm të këtij viti, persona me probleme psikike kanë vrarë të afërm të tyre për arsye nga më banalet. Vëllai ka tentuar të vrasë motrën, se kjo e fundit nuk i dha lekë që të shkonte e të pinte raki; vëllai ka vrarë vëllanë barbarisht, se viktima u martua përpara tij, edhe pse në moshë të vogël. Burri ka vrarë gruan, sepse sëmundja e rëndë e depresionit nervor i kishte krijuar fiksimin fatal se ajo e tradhtonte, dhe për këtë arsye duhej medoemos që të vdiste, për të vënë në këtë mënyrë në vend nderin e familjes, i cili ekzistonte vetëm në mendjen e autorit, i sëmurë mendor.PrecedentëtRasti i parë për këtë vit u shënua në qytetin e Elbasanit. Bardhyl Haka, 42 vjeç, ka vrarë me një sëpatë në kokë baxhanakun e tij, Nevruz Mëhilli, 40 vjeç. Pasi kishin marrë pjesë në një ceremoni mortore, dy baxhanakët ishin ulur të pinin kafe, kur Haka nxjerr sëpatën që mbante të fshehur dhe vret baxhanakun. Në momentet pas ngjarjes, u dyshua se sherri ka qenë krejtësisht banal. Por pas hetimeve të mirëfillta, rezultoi se 7 muaj para ngjarjes kishte pasur një grindje mes tyre, për arsye xhelozie. Autori pandehte se baxhanaku dhe gruaja e tij kishin një lidhje intime bashkë, dhe pa si mundësi të vetme vrasjen e tij. Në qytetin e Beratit, në 29 janar të këtij viti, Kastriot Gorani, 29 vjeç, qëlloi për vdekje disa herë me sëpatë në kokë të vëllanë 25-vjeçar, Durimin, i cili do të martohej 10 ditë më pas. Xhelozia e ardhur si pasojë e sëmundjes së rëndë nervore, shkaktoi tragjedinë në familjen Gorani, e cila në atë mëngjes të ftohtë dimri bëri mortin e djalit të vogël të shtëpisë, që së shpejti do ta bënin dhëndër. Ngjarja bëri bujë, pasi menjëherë pas tragjedisë, familjarët e tjerë akuzuan mjekët, të cilët duhet të kishin mbajtur në spital e të kishin izoluar Kastriotin, i cili njihej si i sëmurë mendor, pasi prej kohësh kishte kartelë psikike. Mosmarrja e ilaçeve e kishte kthyer kohët e fundit agresorin në person tepër të dhunshëm. Më 29 prill të këtij viti, një “vrasje e mbetur në tentativë” shënohet në fshatin Baldushk të Tiranës. Nexhip Salla qëllon me sëpatë pas koke fqinjin e tij, Veiz Qosja, 45 vjeç. Shkak për konfliktin mes tyre sipas policisë, ka qenë një mosmarrëveshje që kanë pasur më parë fëmijët e tyre. Zënka duket se ka filluar për motive pronësie dhe kishte mbetur e pazgjidhur prej kohësh. Në 8 maj të këtij viti, në autostradën Tiranë- Durrës gjendet i vdekur poshtë mbikalimit të Kasharit 36-vjeçari Altin Hoxha. Babai i dy fëmijëve, roje i një objekti privat, u gjet rastësisht orët e para të mëngjesit të asaj dite nga një komshiu i tij. Policia, pas hetimeve të bëra, raportoi zyrtarisht se vdekja kishte ardhur si pasojë e një goditjeje fatale me sëpatë pas koke, nga persona edhe sot e kësaj dite ende të paidentifikuar. Si pistat kryesore të hetimit ishin borxhe të vjetra, sherri për ndonjë femër ose një grindje banale e momentit. Në 4 korrik të këtij viti, një emigrant në Greqi qëllon gruan për vdekje me sëpatë në kokë, pasi dështoi vetëvrasjen. Lazam Tafa, 43 vjeç, nga Dibra, ekzekuton gruan e tij 38-vjeçare, Vilen, në momentin që tre fëmijët e tyre ishin ende në gjumë. Edhe pse nuk kishte kartelë mjekësore, ai njihje nga të gjithë si person i dhunshëm, nga i cili ishte “infektuar” në emigrim. Gjatë procesit gjyqësor ndaj tij u kërkua që ai të trajtohej si i sëmurë mendor. Ndërsa në 12 korrik të këtij viti, vetëm disa ditë më parë, 27-vjeçari Marash Doda, i sëmurë psikik, qëllon me sëpatë pas koke motrën e tij 25-vjeçare. Luljeta Doda është qëlluar barbarisht, pasi nuk ka pranuar t’i jepte vëllait të sëmurë lekët për të pirë alkool. Edhe pse plaga ka qenë e rëndë, vajza e re ka shpëtuar. Ndërkohë që një vit më parë, 47-vjeçari durrsak me çrregullime mendore, Ismail Dulla, qëllon për vdekje me sëpatë nënën e tij 67-vjeçare, Sanien. Pasi e ka qëlluar disa herë me sëpatë të ëmën, e ka lënë atë të zhytur në një pellg gjaku, duke u larguar për në Tiranë, ku është arrestuar pas disa ditësh. Çrregullime mendore si pasojë e një depresioni, ka qenë “justifikimi” i vrasjes makabre të së ëmës së moshuar. KronologjiTetë rastet e ekzekutimeve me sëpatë 15 gusht 2007Ismail Dulla, 47 vjeç, vret nënë e tij 67-vjeçare, Sanien, me sëpatë në kokë. 17 janar 2008Bardhyl Haka, 42 vjeç, vret me sëpatë pas kohe baxhanakun e tij, Nevruz Mëhillin, 40 vjeç. 29 janar 2008Kastriot Gorani, 29 vjeç, vret të vëllanë 25-vjeçar, Durimin. 29 prill 2008Nexhip Salla, nga fshati Baldushk i Tiranës, qëllon me sëpatë fqinjin e tij, Veiz Qosja. 8 maj 2008Persona të paidentifikuar edhe sot vrasin me sëpatë pas koke 36-vjeçarin Altin Hoxha. 4 korrik 2008Lazam Tafa, 43 vjeç, vret me sëpatë gruan e tij, Vilen, 38 vjeçe. 12 korrik 20Marash Doda, 37 vjeç, godet me sëpatë në kokë të motrën, Luljeta Doda, 25 vjeçe, pasi ajo nuk i dha 500 lekë të reja për të pirë raki. 19 korrik 2008
Shukri Damzi, 27 vjeç, dhe Arben Doçi, 26, vrasin me sëpatë pas koke 27-vjeçarin Ervis Sapajn.
Artikulli është publikuar më 21 korrik 2008, në gazetën “Korrieri” që botohet në Tiranë
(Dedectiv), bashkeautor i faqes.
RD-ja dhe perdorimi i medias si “kobure”
Pata durimin ta lexoj deri në fund këtë artikull të gazetës RD, organi mediatik zyrtar i Partisë Demokratike në pushtet, vetëm dhe vetëm prej kuriozitetit për të parë deri ku arrin përdorimi i saj dhe për të kuptur gjithashtu, qëndrimin real të Qeverisë, ndaj grevës së filluar prej pesë ditësh, nga ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Shumë prej tyre janë plagosur, të tjerë janë gjymtuar, ka nga ata me prona e pasuri të dëmtuara apo ndonjë prej tyre, sot është duke rrojtur me borxhe për shkak të shpenzimeve për mjekimin. Grevistët i kanë shkruar Qeverisë dy herë radhazi, duke pranuar se kanë marrë 1 milionë lekë dëmshpërblim, të cilat nuk mjaftojnë, sepse ata kanë nevojë përsëri për trajtim mjekësor, nuk punojnë dot që të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre dhe askush nuk është kujdesur për dëmshpërblimin e pasurive të tyre. Disa prej punëtorëve kanë pësuar plagosje, të tjerëve u janë shkatërruar makinat që kishin parkuar rreth “fabrikës” së çmontimit në momentin kur ndodhi tragjedia më 15 mars 2008.Gjithsesi, gazetari i RD-së, shkruan se ka qenë në Vorë, ka folur me një banor të zonës, i cili për shkak të rëndësisë së veçantë të asaj çfarë thotë, nuk ka pranuar të identifikohet. Më pas, gazetari citon një grumbull me dokumente të Bashkisë Vorë, e cila natyrisht, nëse gazetari ka qenë aty, i ka hapur dyert njeriut që shkonte nga gazeta e Partisë, për të thënë të vërtetën. Ky është rasti i parë kur shikoj të pretendohet realizimi i një investigimi me dokumente të ofruara prej vetë personave që janë nën akuzë dhe të publikuara më pas në mënyrë të njëanshme e me pompozitet nga gazetari i bindur i partisë.RD-ja, pretendon se kryetari i grevës, i cili natyrisht si organizator i protestës që po portretizohet si antiqeveritare është mëkatari më i madh, pra ai, ka qenë në Amerikë deri në janar 2008. Çfarë pastaj? Sikur një ditë para se të ndodhte tragjedia, të kishte filluar punën në Gërdec ky njeri, ditën që ndodhi katastrofa, ka qenë aty. RD-ja pretendon më pas se ka dokumente që tregojnë se pjesëmarrësit në grevë, nuk kanë qenë punëtorë të fabrikës!!! Po mirë, kanë qejf të rrinë pa ngrënë këta njerëz, apo duan të bien në sy? Na thoni si është kjo punë. E bukura vjen më pas. RD-ja thotë se grevistët e kanë marrë njëherë dëmshpërblimin, duke nxjerrë kështu në dritë të diellit, grevën e padrejtë e të paligjshme të pretenduar nga gazeta qeveritaro-partiake. Po mirë, nëse këta njerëz e kanë marrë dëmshpërblimin dhe nëse citoni dokumente me data e numra protokolli, përse thoni pastaj se grevistët nuk kanë qenë punëtorë në Gërdec?!!! Në çfarë cilësie u dha dëmshpërblim Qeveria dhe Bashkia Vorë, duke përdorur taksat e qytetarëve?!!!Ky mbase është një nga ato raste, kur përdorimi mediatik duhet të konsiderohet i dënueshëm edhe në rastin kur media është partiake. Kjo gjithsesi tregon kulturën e sjelljes së medias në Shqipëri, më saktë përdorimin e saj të rëndomtë si “kobure”.
Artikulli më poshtë:www.rilindjademokratike.com
Nga tetë personat që kanë hyrë në grevë, vetëm njëri ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit
Mashtrimi me Gërdecin, tërhoqi 37.1 milion lekë dhe u fut në grevë urie
Një prej grevistëve të urisë në Vorë, Albin Nexhaj ka tërhequr nga shteti shumën e 37.1 milionë lekëve për të cilën ka rënë tërësisht dakort dhe ka firmosur në Bashkinë e Vorës dhe më pas është futur në grevën e urisë duke deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga dëmi i pësuar nga shpërthimi në Gërdec. Nga dokumentat që disponon Bashkia Vorë rezulton se, vetëm një grevist ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Nga 8 grevistë që janë aktualisht, vetëm 4 janë banorë të Bashkisë Vorë. Kryetari i shoqatës “punëtorët e Gërdecit”, Andi Belliu, rezulton se ka qenë në SHBA, deri në muajin janar të këtij viti. Më pas, ai ka ardhur në Shqipëri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në fabrikën e demontimit në Gërdec. Madje, ai as nuk e ka ditur se në Gërdec ka pasur fabrikë demontimi, nuk ka qenë me asnjë protestë që banorët kanë zhvilluar, pranë Bashkisë. Kjo është vërtetuar dhe nga punonjësit e tjerë, si dhe nga dokumentacioni përkatës i firmës. “Aludimet që kanë dalë në media nuk janë të vërteta”, shprehet një banor pranë vilës të grevistëve. “Të gjithë ata nuk kanë qenë punëtorë në fabrikë, po të kenë qenë kanë dokumente që e vërtetojnë”, shprehet një ish-punëtor në fabrikën e Gërdecit. Ai tha se, në fabrikë ku merrnin rrogat ka pasur një bordero dhe rroga jepej me faturë, por ata nuk figurojnë gjëkundi me përjashtim të njërit. Ish-punëtori nuk pranoi të identifikohej, por pranoi se gjatë periudhës që ka punuar asnjërin prej tyre nuk e ka pasur koleg. Grevistët, sipas shefit të kabinetit pranë Bashkisë Vorë, Subi Përzhilla, janë shpërblyer sipas premtimeve të dhëna nga qeveria dhe Bashkia. Të gjithë punëtorët kanë marrë shumën prej 1 milion lekë të vjetra të akorduar nga qeveria. Të gjithë ata që kanë humbur jetën në aksidentin teknologjik kanë marrë shumën prej 20 milion lekësh të vjetra për person. Shpërndarja e tyre është bërë sipas Përzhillës kohë më parë. Ai pohoi se, shumica prej grevistëve nuk janë banorë të Bashkisë Vorë. Një nga pikat që grevistët ia kanë dërguar qeverisë është dhe pagimi i siguracionit siç ishte rënë në ujdi me firmën “Albademil”. Punëtorët e fabrikës sipas vendimit numër 348, datë 1.4.2008 thuhet: dhënie e një ndihme të menjëhershme financiare, në masën 50.000 lekë të reja për çdo punëtor, i cili më 15 Mars 2008, datë kur ndodhi aksidenti teknologjik, ka qenë i pranishëm në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Po kështu, me një vendim dhe një urdhër tjetër, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe e Shanceve të Barabarta, i ka akorduar Bashkisë Vorë, në degën e Thesarit në Tiranë fondin në masën 6.950.000 lekë. Ky fond është dhënë në kodin e Bashkisë Vorë nr. 2165001, Art. 604.01. “Transferim tek organet e Pushtetit Vendor”. Ky fond të përdoret si ndihmë për të financuar punonjësit që kanë qenë të pranishëm më datë 15.3.2008 në fabrikën e demontimit në Gërdec. Masa e ndihmës për njeri është 50.000 lekë të reja për person. Në bazë të këtyre urdhërave të nxjerra nga institucionet qeveritare, çdo punëtor e ka përfituar shumën që ka rënë dakord me autoritetet dhe kreun e ekzekutivit. Nga 37 persona që kanë firmosur peticionin për të hyrë në grevë urie për plotësimin e kërkesave, pas arsyetimit dhe bindjes së tyre për kërkesat absurde 29 firmëtarë janë tërhequr, dhe në grevë kanë hyrë vetëm 8 persona, që kanë vetëm probleme periferike me shpërthimin teknologjik të Gërdecit.
Bashkia Vorë: Asnjë nga grevistët nuk ka para pa marrë
Nga zyrat e Financës pranë Bashkisë Vorë na u konfirmua se asnjë prej grevistëve nuk ka para pa marrë, nga ato që ka premtuar kryeministri dhe kryebashkiaku i Vorës. Adriatik Fiqiri Spahiu, grevist dhe anëtar i Shoqatës punëtorët e Gërdecit, ka marrë nga filiali i Financës pranë Bashkisë Vorë shumën që vetë ai ka rënë dakord me grupet e vlerësimit. Fiqiri Gani Spahiu, ka marrë 12 milion lekë për dëme në ndërtime. Kurse në njerëz nuk ka pasuar asnjë dëm, dhe nuk rezulton punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Albin Nexhaj grevist, ka marrë në emër të të ëmës shumën prej 37.1 milion lekë. Kjo shumë është tërhequr sipas zyrës së Financave pranë Bashkisë Vorë pak kohë më parë me akordin e arritur midis grupit të rivlerësimit dhe familjarëve të tij. Hajdar Halili, ka marrë në emër të të atit shumën prej 4 milionësh. Dhe kjo shumë është marrë me konsensus nga i dëmtuari dhe grupi i ekspertëve. Burime nga Bashkia Vorë bënë të ditur, se asnjë nga grevistët nuk është trajtuar me indiferencë, përkundrazi të gjithë premtimet i janë dhënë konform afatit kohor të premtuar nga qeveria. Ndërsa, procesi i dëmshpërblimeve i shtëpive ka mbaruar vetëm pak ditë më parë. Grevistët i kanë marrë të gjithë lekët në afatet kohore dhe më herët.
Grevistët nuk rezultojnë në asnjë listë
Grevistët kanë pohuar se nuk kanë kërkuar asnjëherë paratë e dëmshpërblimit për shtëpitë apo për dëmet materiale, pasi ata i kanë marrë. Vetë kryetari i grevës ka pohuar se, mediat e kanë politizuar më shumë seç duhet këtë problem, pasi ai personalisht nuk ka thënë asnjëherë se qeveria nuk ka dëmshpërblyer banorët e Gërdecit. Greva, sipas tij ka ardhur, sepse kërkojnë të marrin një shpërblim ekstra si punëtorë të kësaj fabrike. Kërkesat e tyre kanë qenë vetëm në këtë drejtim dhe jo për mungesë të mbajtjes së premtimeve. Kryetari i grevës nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve se kush i mbështet në këtë nismë dhe pse kanë hapur llogari bankare të veçantë. Kjo, sipas Bashkisë Vorë, devijimi i fondeve nga Bashkia dhe qeveria që janë organe legjitime, nën administrimin e njerëzve që nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të punëtorëve, apo banorëve, por interesa vetiake. Në Shoqatën punëtorët e Gërdecit nuk bën pjesë asnjë i plagosur nga shpërthimi teknologjik në Gërdec. Në këtë shoqatë, që është ngritur pas 15 prillit nuk ka pasur asnjë organizim apo kërkesë për bisedim me autoritetet shtetërore. Nga grevistët aktualë nuk ka asnjë punëtor që është dëmtuar nga shpërthimi. Pretendimi i tyre që të trajtohen si punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes është jo real. Bashkia Vorë nuk i ka takuar grevistët për faktin se, kërkesat e tyre nuk i janë bërë të ditura në një kohë të përshtatshme. Sipas tyre, kërkesa për plotësimin e kushteve ka ardhur vetëm dy ditë para se këta banorë jo të juridiksionit të saj të hynin në grevë urie. Sipas shefit të kabinetit të Bashkisë, autoriteti lokal ka marrë kontakte me grevistët që janë nën juridiksionin e Bashkisë Vorë. Ata janë sqaruar dhe i kanë bërë me dije familjarëve të grevistëve, se premtimet janë mbajtur. Kërkesat e reja të grevistëve nuk janë kompetencë e saj. 8 grevistët nuk disponojnë asnjë dokumentacion që të vërtetojë praninë e tyre më 15 mars në fshatin Gërdec. Po ashtu, grevistët nuk figurojnë tek lista e të dëmtuarve fizikisht nga shpërthimi që u dëmshpërblyen nga vendimi i qeverisë. Gjithashtu, grevistët nuk figurojnë as tek lista e spitaleve që u morën me kurimin e të dëmtuarve të Gërdecit.
Opozita mbështetje politike aventurierëve
Ndërkohë, gjatë vizitës së djeshme të një grupi deputetësh socialistë pranë grevistëve, iu është kërkuar indirekt qëndrimi i tyre në grevë. Cinizmi i kryetares së Grupit kuvendor, Valentina Leskaj, në Parlament ku tregoi foton e një njeriu të djegur, dhe pohoi se qeveria nuk e ka ndihmuar. Por, vetë i dëmtuari ka pohuar se, shpenzimet për shërimin e tij në Itali janë paguar nga shteti. Gjithashtu, ai pranoi se ka marrë shumën që ishte rënë dakord me kreun e ekzekutivit. Valentina Leskaj nuk i kërkoi një dokumentacion që të vërtetonte, qoftë dhe 2 grevistë si punëtorë në fabrikën e demontimit. Kryetarja e shqetësuar Leskaj, nuk i kërkoi grevistëve sqarime pse kanë hapur llogari bankare jashtë institucionit. Bërja politike me disa persona që janë në hall dhe nuk dinë se çfarë të kërkojnë, është motoja e G 99, e cila u rekrutua në grupimin e vogël të Edi Ramës. Ndërsa, Veliaj investigo “korrupsionin” e qeverisë siç thotë ai, pse nuk investigoi në Bashkinë e Vorës që e kishte vetëm dy metra larg makinës së tij, për të pyetur pse këta banorë nuk kanë marrë shpërblimet. Dhënia e kredos politike të disa aveturierëve nga segmente të opozitës është një tallje për të dëmtuarit real të kësaj tragjedie. Këta të dëmtuar tashmë janë në fazën e rindërtimit dhe fillimit të jetës së tyre normalisht.Elis KUÇI
Postuar nga “Dedectiv”, bashkeautor i faqes!
Supergazetarja dhe superhajduti 11-vjecar
Shikoni me sa pasion ka shkruar gazetarja Elona Elezi (Korrieri) artikullin e saj të sotëm me titull: 11-vjeçari “çarmatos” policin e Briskut…
TIRANË - Fëmija “gjeni” i vjedhjeve, 11-vjeçari Markeljan C., “çarmatos” një polic të Briskut. Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion. Burime të besueshme policore i thanë dje “Korrierit”, se djali imcak me origjinë nga Mirdita, rreth orës 18:00 të pasdites ka bërë një ndër vjedhjet më spektakolare të “karrierës” së tij. Markeljani i ka marrë pistoletën e shërbimit policit të Briskut, Preng Ndoit, duke “e zhveshur” nga detyra për disa orë më radhë. Përveç pistoletës, vogëlushi i ka vjedhur punonjësit të policisë edhe një portofol me para. Sipas të tjerë burimeve zyrtare, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Kamzë. Në momentin që Ndoi ka kuptuar se e kishin vjedhur, nuk ka mundur t’i besojë vetes që djali imcak që po vraponte disa minuta më parë përpara hundës së tij, t’i kishte grabitur lekët dhe armën. Identifikimi i tij nuk ka qenë i vështirë, për shkak se jo pakkush e njeh hajdutin e vogël të shtëpive. Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari u është drejtuar forcave policore të Komisariatit Nr. 5, të cilët pas deponimit të kolegut të tyre, u përballën me rastin më të freskët të Markeljanit, i cili dyert e atij komisariati i ka parë me qindra herë. Edhe pse lokalizmi dhe kapja e tij nuk do të jetë aspak e vështirë për uniformat blu, problemi i vetëm që do të ngelet është ai i moshës së mitur të tij, që e favorizon deri në mbushjen e 14 vjetëve, moshë në të cilën do të mund të mendohet mirë para se të bëjë vjedhjen e radhës. Rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme, forcat e policisë mundën ta gjejnë armën e vjedhur nga 11-vjeçari, të hedhur në një kanal jo shumë shtëpisë së tij në Laprakë. (www.korrieri.com)
Ja vlen ta lexojmë përsëri këtë fjali: Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion! Një fryrje bombastike e subjektit. Gazetarja nuk na thotë asgjë në artikull rreth faktit se personazhi i saj qenka një “supërhajdut”. Cili nga ne i ka numëruar vjedhjet e këtij të mituri me të cilin për këtë shkak duhet të trajtohet edhe më me tepër kujdes nga media. Pastaj gazetarja përsëri nuk jep asnjë justifikim për termat e përdorur, profesion, nga e mësoi faktin se i mituri e ka profesion vjedhjen, a verifikoi ajo nëse ky person grabit për pasion apo nga halli. Në shkrim nuk ka asnjë citim të 11-vjeccarit ku ai të ketë pohuar se vjedh për pasion. Gjithsesi urojmë që “superhajduti” M.C, të mos e lëzojë këtë artikull sepse ndonjë ditë, me këtë reklamë dhe publicitet të pa justifikuar dhe jo profesional që i bëhet, do ta ndjente veten “personazh të krimit” në ato përmasa sa mund të vjedhë jo ndonjë polic të pa vëmendshëm por ndonjë personazh kushedi sa lart në Qeveri apo në Parlament. Jo për gjë por besoj se edhe “profesionisti” e di qe parlamentarët ene qeveritarët mbajnë goxha pare me vete e aq më tepër telefona të shtrenjtë!
Tituj bombastikë dhe jo realë…!
Gazetën “Telegraf” e cila botohet ne Tirane mund ta lexoni ketu:www.gazetatelegraf.com. Ndersa klikova ne webin e saj dhe po navigoja, me ra ne sy nje titull i shkruar ekzaktesisht keshtu: Tregtaret marrin “peng” kryebashkiakun! Ishte ne rubriken e lajmeve te djeshme dhe me shkaktoi vertet habi. Si eshte e mundur te kete ndodhur kjo gje dje, dhe asnje media nuk e ka percjelle “rrembimin e kryebashkiakut”, si nuk kam degjuar per kete ngjarje. Pa vonese klikova dhe hapa artikullin qe vijon me poshte:
BERAT-Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar një ditë më parë, ku tregtarët ishin betuar se nëse nuk do t’u zgjidheshin kërkesat do të përshkallëzonin protestat. Qysh në orën 08 të mëngjesit, 400 tregtarët e tregut industrial, të bashkuar si as një herë, janë grumbulluar tek tregu dhe kanë përshkruar rrugën në drejtim të bashkisë të qytetit për të qëndruar para derës së zyrës së kryebashkiakut Fadil Nasufi. Por kanë hasur në në rezistencën e Policisë Bashkiake, e cila nuk ka lejuar që ata të hyjnë brenda. Pas acarimit me Policinë Bashkiake, tregtarët kanë kërkuar takim me Kryetarin e Bashkisë, Fadil Nasufi, i cili e dinte se do të organizohej protesta dhe ishte larguar nga bashkia. Prej këndej, tregtarët kanë shkuar para “Raifaissen Bank”, ku kanë protestuar për më se një orë. Ata kanë kërkuar ndihmën e drejtuesve të bankës, pasi shumica e tregtarëve është debitore në këtë bankë. Sipas tregtarëve, me shpërnguljen e tregut nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e marra ndaj bankës. Më pas, tregtarët janë mbledhur në qendër të qytetit, ku kanë pritur kryebashkiakun Nasufi, i cili mbërriti aty rreth orës 11:00. Pikërisht në atë vend, pranë Hotel Turizmit, Aleanca për Integrim do të organizonte një takim me drejtuesit e pushtetit vëndor. Në momentin që Kryetari Bashkisë ka zbritur nga makina, ai është rrethuar nga protestuesit duke mbetur “peng” i tyre për 30 minuta. Ata i kanë kërkuar atij sqarime për premtimet e mëparshme të pambajtura dhe që lidheshin me transferimin e tregtarëve në tregun e ri pas përfundimit të tij si dhe i janë ankuar për kushtet e këqia higjienike në vendin ku bashkia ka vendosur t’i çojë ata. Në këtë moment, kryetari LSI-së, Ilir Meta ka ndërhyrë për të qetësuar gjendjen, duke i kërkuar kryebashkiakut Nasufi që të ulet me përfaqësuesit e tregtarëve për të gjetur një rrugë zgjidhje. Vetëm në këtë çast, protestuesit e kanë lënë të lirë Nasufin që që të hynte në takim me LSI-në. Përfaqësuesi i tregtarëve, Arsen Merkaj është shprehur se në se Kryetari Bashkisë nuk do të zgjidhë kërkesat e tyre, ata do të hyjnë në grevë urie së bashku me fëmijët e tyre.
Me falni, nese nje tubim i madh po zhvillohet ne qender te Tiranes, dhe nese une afrohem aty qe te kaloj por nuk arrij ta bej kete per shkak te njerezve te shumte ne shesh, mos duhet te shkoj ne polici te bej denoncim per pengmarrje???
Ne artikull thuhej se kryebashkiaku ka mbetur peng, ndersa ne titull lajmerohet se tregtaret kane marre peng kryebashkiakun!!! I cili nuk eshte cudi qe nese e ka lexuar gazeten, te jete habitur edhe vete per “pengmarrjen” e tij”.
Ky artikull ka
0 komente