Arkivi per kategorine ‘Kritika’
Mediat, momenti për ndryshim ose rreziku i falimentit!
Një shtysë kuroziteti e karahasimi bëhet shkak që shpeshherë tu rikthehem gazetave të viteve të shkuara duke rrëmuar ndër arkiva. E kam fjalën jo vetëm për periudhën pas viteve 2000 por edhe kohët e mëparshme. Është i gjithëpranuar fakti se në atë kohë, shtypi i shkruar, karakterizohej për njëfarë “militantizmi” në kuptimin e mirë të fjalës. Nuk më shqitet nga mëndja një fotografi që në fakt ka bërë xhiron e botës: Turma e rebeluar e mijëra njerëzve që ishin mbledhur në qendër të Vlorës, në mars 1997. Shumë prej tyre mbanin në duar si parrullë, gazetën “Koha Jonë”, duke vënë në dukje faqen e parë të saj, në krye të së cilës më gërma të mëdha e kapitale shkruhej: MEKSI: GATI PËR LUFTË CIVILE!!! Ky ishte vetëm një nga shembujt që mund ta shpjegojnë disi militantizmin e përmendur më lart. Është e vërtetë se shtypi i shkruar në Shqipëri është zhvilluar, në kuptim të krijimit të disa filtrave etikë e profesionalë, prej të cilëve mesazhe të tilla si i përmenduri më lart, nuk kalojnë lehtë pa u “redaktuar”. Ka ndikuar shumë në këtë fenomen, zbatimi i teknologjisë së re, rrjeteve kompiuterike, aksesit në internet, hapja e shoqërisë dhe një farë tentative apo mundësie për transparencë e ballafaqim të burimeve të informacionit. Por vërehet me shqetësim se krahas zhvillimeve që mund të konsiderohen pozitive për shtypin e shkruar, apo median shqiptare në përgjithësi, ka një degradim në kuptim të kontaktit me terrenin, shpeshherë mungesë kontakti me burimet e informacionit dhe në jo pak raste shfaqje të shtrembëruar të tyre deri në fshehje. Në gazetat e viteve të mëparshme për të cilat fola më lart, verej me kënaqësi artikuj prej të cilëve kuptohet kontakti i pastër, i sprovuar e i qartë i gazetarit me terrenin. Mendoj se jo rastësisht, autorë të artikujve të tillë, sot vlerësohen si emra të spikatur të gazetarisë në Shqipëri, ata madje janë të vetmit që mund të konsiderohet se në mënyrë legjitime kanë arritur të marrin dhe të mbajnë mbi supe drejtimin e disa prej mediave kryesore në Shqipëri, jo vetëm shtypit të shkruar, por edhe medias elektronike, si televizioni përshembull. Njëri prej tyre këto vitet e fundit, e ka bërë të qartë se gazetarët e rinj ose duhet të ndryshojnë, ose janë të vdekur në këtë profesion. Pra ka një tendencë nën ndikimin e informacionit të shumtë që gjendet në internet, zhvillimit të zyrave të shtypit në institucione private e shtetërore, të cilat gjithnjë e më shumë sjellin informacion, që gazetarët e sotëm të largohen nga terreni. Ka ndodhur disa herë që ngjarje të rënda e me interes të gjerë publik, të ndodhura jo më larg se 60 minuta larg qendrës së Tiranës, të përcillen nga gazetat me foto ilustrative për shkak se gazetarët apo fotoreporterët nuk kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Dhe kjo është e rëndë por në fakt po ndodh gjithnjë e më shpesh! Zyrat e shtypit sjellin më tepër informacion se më parë, ato gjithnjë e më shumë po e zgjerojnë spektrin dhe po i përmirësojnë mardhëniet me gazetarët, por terreni, kontakti i drejtpërdrejtë me ngjarjen dhe me burimet, është i pa zëvëndësueshëm. Një botues mediash në Shqipëri, shpallte para disa viteve në gazetën e tij, se gazetarët janë kthyer në njerëz përtacë e parazitë, që nuk dalin jashtë unazës së madhe të Tiranës. Ai kishte të drejtë në fakt, e shqetësonte kjo gjë ndaj e shpallte në një artikull të tij publik këtë shqetësim duke vlerësuar më tepër rrezikun që vjen nga ky fenomen sesa mundësinë e rënies së prestigjit të gazetarëve. Në fund të fundit është vetë gazetari, ai që përcakton përfundimisht nivelin profesional, besueshmërinë, shkallën e njohjes dhe prestigjin e tij. Një Drejtor Informacioni në një nga televizionet më të rëndësishme në Shqipëri, thoshte pak ditë më parë, se kishte parë edicionin e lajmeve në TV-në e drejtuar prej tij, me një këndvështrim gjeografik. Dhe rezultati i trishtueshëm kishte qenë ky: Të gjitha kronikat, temat dhe lajmet e përcjella në edicionin kryesor të drekës, e kishin burimin dhe terrenin e tyre të zhvillimit, nga Selia e Parlamentit, Qeverisë, partive politike apo ministritë e ndryshme brenda Tiranës. Pra ai pajtohej me faktin se media e tij Kombëtare, në njëfarë mënyrë e ka humbur nocionin e mbulimit dhe pranisë si dhe të shkruarjes tek të gjithë, pra tek gjithë hapësira “kombëtare” siç e detyron ligji dhe profesioni. Imagjinoni pak, subjektet duhet të shkojnë tek lexuesi, dëgjuesi apo audienca në mënyrë të vazhdueshme e të drejtpërdrejtë e më pas duhet pritur vlerësimi i “konsumatorit”. Po kur subjekti nuk shkon fare tek audienca, kur lajmi është jashtë interesit gjeografik të konsumaroti, çfarë mund të thuhet. “Afërsia gjeografike është një element i rëndësishëm që përcakton rëndësinë e lajmit, hapësirën që ai zë”, thuhet në leksionet që ofrohen në Universitetin e Tiranës. Një qyterar nga Kukësi apo nga Himara, a mund ta gjejë veten tek një edicion lajmesh që nis e përfundon me Tiranën?!!! Humbja e kontaktit me terrenin, implementimi i gazetarisë që i referohet të dhënave të marra në internet apo përmes telefonit, mund të konsiderohet si një devijim nga gazetaria e saktë. Të gjitha këto, po e kthejnë gazetarin në një njeri të vetëmjaftuar e të vetëkënaqur ndërkohë që orientimi i drejtë, ai që mund të konsiderohej i gëzueshëm, është krejt tjetër: gazetari duhet të kërkojë vazhdimisht. “Nëse jeni gazetar ose mendoni të bëheni i tillë, mund ta keni vënë re tashmë: Kërkesat për të qenë gazetar po ngrihen në një shkallë të re. Ishte një kohë kur gjithçka për të cilën kishit nevojë, ishte përkushtimi ndaj të vërtetës, shumë energji dhe pak talent për të shkruar. Ju ende keni nevojë për këto gjëra, por ato nuk janë të mjaftueshme”, shkruan në librin e tij “Gazetaria e Saktë”, Philip Meyer, mbajtës i titullit “Kalorës i Urdhrit të Gazetarit” dhe hulumtues i mediave në SHBA. Ajo çfarë thotë Meyer, është pasqyrimi më i mirë i orientimit të drejtë në të cilin ndodhet media amerikane, e konsideruar si një nga shembujt më të zhvilluar në botë. Atje kërkohet të arrihen nivele të reja saktësie e përsosmërie, ndërsa këtu, në Shqipëri, vihet re degradim në elementin bazë të gazetarisë: shkëputjen e gazetarëve nga terreni. Ky është një fenomen i keq, i cili ka shkaqet e tij. Më së shumti mendoj, se shkak për këtë është hyrja në veprimtarinë e gazetarisë e personave që nuk kanë një arësim përkatës për këtë punë. Nuk kam asgjë kundër diversitetit në këtë drejtim, në të gjithë botën, profesionistë të fushave të caktuara, me pak dituri gazetareske kanë bërë artikuj e zbulime profesionale që janë publikuar në shtyp duke u vlerësuar dhe arritur sukses. Por shkollimi për gazetari nuk është aksidental. Kërkesa e personit vjen pas një orientimi pasional. Pra përveç pasionit të njeriut për profesionin, më pas shkolla e gazetarisë promovon fort kontaktin e gazetarit me terrenin, si një gjë të pa tjetërsueshme. Në këtë kuptim, është pak e vështirë të besohet se të arsimuarit për gazetari, e shpikën këtë fenomenin e të shkruarit të artikujve, në fakt krejt sipërfaqësorë, nga kafja. Raste të tila ka plot në shtypin e sotëm shqiptar, për të mos pranuar se fatkeqësisht, raste të tilla gati dominojnë tregun e informacionit në mediat e sotme të këtij vendi. Duhet pranuar se të pa shkolluarit për gazetari, në rradhë të parë kërkojnë punësimin në sektorin ku janë specializuar. Ndaj prania e të shkolluarve për këtë punë, në këtë profesion, të bën të mendosh se bëhet fjalë për atë kategori që nuk ka mundur të integrohet dhe nuk është vlerësuar në fushën për të cilën ka marrë arësimin përkatës. Në këto raste mund të besohet se prania e personave të tillë në gazetari, sa për një punë apo për një rrogë, është fenomeni që rrezikon të jetë importuesi i gazetarisë dembele, të pasaktë, asaj gazetarisë së thashetheme që fillon dhe mbaron në kafenetë e tymosura e të zhurmshme ku nuk mungon era alkool. Megjithatë është për tu theksuar se gazetarët, nuk duhet të mashtrohen dhe të mendojnë se po mashtrojnë publikun. Lëxuesit sot kanë shumë mundësi informimi, nga radiot, televizionet dhe veçanërisht nga kanalet informative që transmetojnë 24 orë lajme. Në këtë mënyrë ata jo vetëm kanë alternativa informimi çka bahët shkak të braktisin përgjithmonë artikujt e gazetarëve dembelë por edhe kuptojnë fare mirë kur kanë të bëjmë me raste të tilla duke falimentuar jo vetëm gazetarët por edhe kreditet e besimit tek sipërmarrjet mediatike.
(Dedectiv)
Zbulohen paditë për shpifje ndaj gazetave shqiptare për 2007-2008
Është interesante të shikosh në Gjykatën e Tiranës, paditë që janë bërë kundër organeve mediatike, konkretisht kundër shtypit të shkruar. Bie në sy fakti se paditësit, pra personat që pretendojnë se janë dëmtuar nga shtypi, i përkasin niveleve të ndryshme në shoqëri. Megjithatë është me rëndësi të theksohet se televizionet apo organet mediatike elektronike (radiot) apo faqet informative të internetit, nuk ndodhen në asnjë rast, në listën e padive të vitit 2007-2008. Në këtë tabelë gjendet vetëm një listë e gjatë gazetash. Kusarët arritën të sigurojnë listën e plotë të gazetave të paditura për shpifje, bashkë me personat që janë ankuar në gjykatë si dhe me shumat përkatëse të dëmshpërblimit që ata kërkojnë. Paditë u referohen abuzimeve dhe shtrëmbërimeve trashanike, si psh. Këngëtarja Poni është shtatzënë, kur ajo vetë e mohon një gjë të tillë (të presim sa të kalojnë 9 muaj) apo pasardhësi i Mbretit, Leka Zogu, është i sëmurë me SIDA. Shikoni çfarë ndërhyrjesh në jetën private të të tjerëve. Një rast tjetër nga i cili mund të nxirret shembull është ai i gazetës “Korrieri”, e cila është dënuar me 10 milionë lekë gjobë për një lajm të botuar duke “bërë të vdekur” Presidentin e Distributorit të kompanisë “Mercedes Benz” në Shqipëri. Pra kujdes njerëz, gjykatat mund të ulin gjobat, por edhe 10 milionë lekë, nuk janë pak, apo jo?!
Shqiponja Karafili, (Poni), padit gazetën “Korrieri” lidhur me artikullin për shtatzaninë e këngëtares duke pretenduar atësinë e fëmijës nga një deputet. Këngëtarja kërkon dëmshpërblim 35 milionë lekë
Leka Zogu, padit “Gazetën Shqiptare” për artikullin që pretendoi se pasardhësi i Mbretit ishte me SIDA. Paditësi kërkon 200 mijë euro dëmshpërblim dhe përgenjeshtrim të informacionit të dhënë për dhjetë ditë me radhë
Gjinovefa Gaba, padit gazetën “Panorama”, për shkrimet që janë bërë lidhur me personin e saj, pas kandidimit për anëtare të Gjykatës së Lartë. Kërkon 30 milionë lekë dëmshpërblim
Maks Velo, padit gazetën “Ndryshe” për një seri shkrimesh dhe opinionesh të botuara kundër tij. Maks Velo kërkon 10 milionë lekë dhe detyrimin për të përgenjeshtruar opinionet rekdasionale që janë botuar kundër tij
Mehmet Kurti, padit “Gazetën Shqiptare”, kërkon 50 milionë lekë
Eleni Nakuçi, padit “Gazetën Shqiptare” për një shkrim lidhur me një çështje divorci, vlerën e dëmshpërblimit e ka lënë në dorë të gjykatës
Basri Ruka, President i distributorit të BENZ në Shqipëri, padit gazetën “Korrieri” për artikullin ku thuhej se biznesmeni kishte vdekur nga infarkti. Kërkoi 300 mijë euro por mori vetëm 10 milionë lekë
Agim Kuçi, ish-drejtor i zyrës Arsimore në Bulqizë, padit “Zërin e Popullit”, kërkon 50 milionë lekë. I njëjti person, ka paditur dhe gazetën “Standard”
Koço Kokëdhima padit gazetat “Shqiptare”, “Korrieri”, “Koha Jonë”, “Albania” për artikullin sipas të cilit ai kishte kërcënuar Albert Xhanin. Kërkon nga 100 milionë nga secila, gjykata i dha nga 2 milionë për secilën gazetë
Lumturi Sulaj, padit gazetën “Ballkan”, për një shkrim ku prtendohej se djali i saj kishte vrarë të dashurin e saj
Kimete Meta, padit “Zërin e Popullit”, kërkon 10 milionë lekë dëmshpërblim
Postuar nga “Dedectiv”, bashkëautor i faqes
Ky artikull ka
0 komente