Kusaret

Analiza, komente e studime per median

Arkivi per Gusht, 2008

Shtypi dhe organizimi i çorganizuar  

Dardan Malaj

 Nuk do doja natyrisht të isha ndër të parët “ushtarë” (siç preferon t‘i quajë z.Nazarko në shkrimin e tij) që të marr pjesë në debatin e hapur nga “Shqip” për krizën e shtypit të shkruar. Shumë kolegë të mi kanë vite më shumë në këtë profesion dhe rrjedhimisht do kishin shumë më tepër se ç‘të thoshin. Fatkeqësia në këtë rast mbetet mungesa e guximit për të hedhur dy fjalë në formën e një komenti, shënimi a shkrimi debatues. Paçka se teksa shkruajmë çdo ditë, nuk duhet të ishim ne që të kishim frikë të merrnim pjesë në debat. Kjo mbase është arsyeja pse “Shqip”, deri më tani, për këtë çështje, ka mbetur në rangun e replikave mes analistësh dhe drejtues mediash, duke i munguar dimensioni i reporterit të terrenit. Jam i bindur se as në këtë rast nuk do mungojnë ata që do thonë: Po ky është “ushtar”, ç‘ka që merret me “gjeneralët”?. Përtej kësaj do përpiqem të hedh dy mendime modeste, që mbase dikush do ketë kohë t‘i hedh një sy.Gazetaria në tërësi është pjesë e kësaj shoqërie ku ne jetojmë, pjesë e realitetit shqiptar. Nuk besoj se ndokush mendon se mediat janë “Ufo”, që zbresin nga sipër pa asnjë lidhje me terrenin ku vendosen. Por nëse shkojmë me idenë se funksioni i tyre është të paraprijnë në zhvillimin e një shoqërie, them se ja vlen të diskutojmë. Të hedhim ide se si mund të “shpëtojmë” nga grackat që ngre çdo ditë realiteti, me synimin për të krijuar një media edukuese, informuese apo argëtuese. Do ta mbështesja plotësisht konstatimin e z.Dervishi, kur thotë se “jemi në një pikë ku kërkohen lexues, por më parë duhen kërkuar reporterë”. E pikërisht, nëse nuk kemi reporterë, nuk do kemi dot as redaktorë. Deri më sot, nuk kam parë një redaksi gazete në Shqipëri që të funksionojë sipas një standardi. Shumica e tyre shkojnë në rrugë pa krye dhe në orët e mbrëmjes i zë paniku me ç‘të hapin gazetën. Nuk ka si të ndodhë ndryshe kur përmbajtja i lihet pothuajse tërësisht në dorë reporterëve të terrenit, krejt në vullnetin e tyre. Në pak gazeta zhvillohet mbledhje mëngjesi në redaksi. Edhe aty ku ndodh, shikon reporterë që, ende të pa zgjuar nga gjumi, ftohen t‘u rrëfejnë “gjeneralëve” çështjet, të cilat duhet të ndjekin gjatë ditës. Si ka mundësi që nuk ndodh e kundërta? A mos duhet që kryeredaktorët dhe redaktorët të mblidheshin të parët, të analizonin shtypin e të dilnin në një konkluzion se nga do drejtohet numri i nesërm i gazetës së tyre. A mos duhet të ishin ata që të jepnin ide, porosi e pastaj të kërkonin mendim nga reporteri? Në këtë formë, gazeta mund të kishte vërtet kokë e të drejtohej nga sipër. Jam i bindur se kështu ato do pasuroheshin edhe me atë çka sot rëndom i mungon: reportazhet, portretet njerëzore, vëzhgimet, investigimet etj. Nuk mund t‘i lihet orientimi i gazetës mendjes së pavarur të një grupi reporterësh ende të përgjumur. E them këtë të fundit për shkak se janë këta që vërtet, siç thotë Z.Lesi apo z.Lani, qëndrojnë kafeneve dhe e kërkojnë aty lajmin. Por, në fakt, janë po këta që dalin në orët e para të mëngjesit në terren, në shumë raste ushqehen në rrugë dhe e kanë luks të hanë një drekë si “gjeneralët”. Janë po këta që largohen nga redaksitë e gazetave në ato orë kur në rrugët e Tiranës gjen vetëm pastrues dhe policë që lënë shërbimin. Nuk duhet mbështetur, por s‘kemi pse çuditemi kaq shumë se gazetarët i gjen në kafe. Ashtu ndodhte edhe para vitit 1997, me ndryshimin se në atë kohë reporterët rrinin te “Bar West” ndërsa tani ish-blloku ofron mundësi zgjedhjeje. Të gjithë e dimë që edhe shteti fatkeqësisht funksionon në kafe, edhe qeveritë janë ndërruar e krijuar po në kafene e restorante. Nuk besoj se zgjidhja vjen prej anatemimit të gazetarëve, por “gjeneralët” duhet të gjejnë format e duhura se si të vënë në punë reporterët. Fundja duke vënë së pari në pozita pune veten e tyre dhe për rrjedhojë edhe reporterët do t‘u largohen kafeneve.Fatkeqësisht, në mediat tona ende ngre kokë fryma e “shefllikut” dhe në pak vende kuptohet se gazeta është një produkt kolektiv, i një kontributi po kaq kolektiv. Këtu dalim te një tjetër dimension i situatës në shtypin e shkruar. “Gjeneralët” janë larguar dukshëm prej “ushtarëve” dhe hendeku mes tyre s‘ka se si mos të përkthehet në rënie produkti. Kjo shfaqet dukshëm, teksa drejtuesit e mediave janë afruar “mish e thua” me botuesit, duke e parë të ardhmen e tyre më të sigurt në këtë binjakëzim. Çudi, në fakt, sepse e kundërta do t‘u jepte sukses profesional dhe vazhdimësi pune. Është logjike që interesat e botuesve në rolin e punëdhënësve nuk përputhen me interesat e punëmarrësve, që janë reporterët. Por, nëse ky i fundit ka kundër interesave të tij edhe botuesin edhe kryeredaktorin, çështja komplikohet…Nuk mund të jem dakord me konstatime që ndajnë brezat e gazetarëve; në të mirë e të aftë ata që ishin para vitit 1997 dhe në dembelë këta të pas këtij viti. Jam i bindur se edhe zotërinjtë Isaku dhe Nazarko, që e shohin me nostalgji atë periudhë, dinë plot raste reporterësh dembelë, njësoj siç ka sot plot raste reporterësh të suksesshëm. Ndaj, përgjithësimi dhe ndarja me thikë mes dy periudhave të zhvillimit të shtypit të shkruar është pa vend dhe konfliktuoze për brezat. Sot mund të të vijë keq teksa shikon reporterët gjithë ditën nëpër kafene (nuk është se e marr aspak në mbrojtje si veprim), por ka raste kur ndjehesh keq edhe teksa në një derë partie apo institucioni shtetëror të thonë pa ndrojtje se “ju gazetarët bliheni dhe shiteni” apo shprehje të tilla se “një miku im kryeredaktor mori para për botimin e një interviste në gazetë”.Kam përshtypjen se “ushtarët”, disa si puna ime (qoftë edhe me një fakultet gazetarie) janë ende periferik sa të blihen e shiten, qoftë edhe për faktin e vetëm se nuk kanë gjë në dorë. Atëherë nga vjen ky konstatim që na përplaset në surrat pothuajse çdo ditë? Kur dhe kush kanë qenë “gjeneralët” që në të shkuarën kanë dhënë shembuj blerjeje dhe shitjeje? Sepse këtu duhet kërkuar edhe një pjesë e implikimit të shtypit dhe medias në tërësi, çka ka bërë t‘i bjerë dukshëm roli dhe fuqia.Sa i takon analistëve më vjen keq teksa një pjesë ja vënë fajin gazetarit për nivelin e ulët të shkrimit të tyre, që lidhet me lëndën e parë. Kush i ka penguar këta analistë të dalin terren, të takojnë njerëz, të marrin pjesë në konferenca shtypi, të trokasin në institucione? Nëse do ta bënin këtë, besoj do ta kishin shumë më të thjeshtë që në shkrimet e tyre të sillnin fakte të vjetra, t‘i ballafaqonin me të reja që nuk njihen, e së fundi të dalin në një konkluzion si zgjidhet kjo punë. Paçka se mund të dukem krejt drastik në mendim, do preferoja që gazeta të kishte në faqe të parë një kolonë në formën e një shënimi redaksional në vend të opinioneve të analistëve. Një lexues i rregullt i gazetës X do donte të dinte qëndrimin e saj rreth fenomeneve të ditës më shumë se të lexonte analizat e opinionistëve. Fundja, edhe gazeta e ngritur në rangun e një institucioni do ishte në rolin e saj nëse pozicionohej ndaj fenomeneve. Shpreh bindjen se kjo nuk do sillte vetëm shëndoshje të financave të redaksive, por edhe shtim të reputacionit të një të përditshmeje.

Së fundi, do doja të prekja diçka për raportin mes televizionit dhe shtypit të shkruar. Dukshëm shfaqet tendenca “mbytëse” e medias vizive ndaj asaj të shkruar, por kjo e fundit, përveç nënshtrimit në përmbajtje, nuk kundërpërgjigjet as në strategji. Nuk e kuptoj çfarë interesi kanë gazetat, shumica e të cilave e konsideron si reklamë, leximin e titujve në ekranet televizive në orët e para të mëngjesit. Më keq se kaq, ka televizione (shumica mbushin programacionin) që marrin përsipër të të lexojnë gjithë shkrimin kryesor të gazetës. Po, po, të ta lexojnë shkrimin, teksa je i shtrirë në krevat apo duke pirë një kafe. Për çfarë arsyeje duhet të blihet gazeta në një rast të tillë? Televizionet më të mëdha në botë, e njohin praktikën e leximit të shtypit, por ama faqja e parë e gazetës shfaqet vetëm për pak sekonda në ekran dhe lexohet vetëm një apo dy tituj. Në këtë formë, siç ndodh te ne, legjitimohet edhe mbajtja në treg e gazetës X, me 100 lexues që del në treg për interesat e ngushta të pronarit Y. Një fletushkë e tillë nuk publikohet për lexuesin, por për t‘u kënduar në ekranet e mëngjesit, duke i bërë presionin e radhës zyrtarit Z.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

30 Gusht 2008 më 3:32 pm

Kerkohen reporterë!  

Lutfi Dervishi 

Filmi “Shattered Glass” i vitit 2003, bazohet mbi një ngjarje të vërtetë: një i ri shumëambicioz për të bërë përpara si gazetar, shpikte, fantazonte, trillonte skena dhengjarje që ndodhnin vetëm në kokën e tij. Shumë shpejt arriti majat, por akoma më shpejt u rrëzua. Stefan Glas punonte për revistën “New Republic”. Jam i bindur se shumë gazetarë e kanë parë këtë film të transmetuar në Tiranë. Ai që është i interesuarmund të gjejë në internet material të përmbledhur për “shkëlqimin dhe rënien” e zotit Glas. Ajo që të bën përshtypje në këtë film është “miti i reporterit”. Megjithëse ngjarjet zhvillohen në fund të vitit 2000, kur interneti përdorej gjerësisht në profesion (madjeme anë të kërkimeve në internet një gazetar tjetër zbuloi “mashtrimet” që bënte gazetari me emër)- reporteri ambicioz shfaqej gjithë kohën me bllokun e shënimeve në dorë. A mund të më thotë ndokush kur ka lexuar për herë të fundit shkrimin e një reporteriqë i ka mbetur në mendje? Ose cili është raportimi që i ka lënë një shije të mirë. Këtu, tek ne nuk ekziston miti i reporterit. Ekziston miti i “opinionistit”, “analistit”, të cilët janë disa fish më të paguar se reporteri më i mirë i gazetës apo televizionit. Dhe ndodh që njëreporter i ri të mos ketë ëndërr të bëhet gazetari më i mirë, por e mundon pyetja a do të bëhem ndonjë ditë dhe unë opinionit?! Përfundimi është se kërkojmë të kemi gazeta, revista dhe televizione të mira pa pasur gazetarë të mirë. Një opinionist i mirë në rastin më të mirë thotë dhe shkruan atë që ndodh në kokën e tij, një reporter shkruan dhe raporton për atë që ndodh në vendngjarje…”Nëse dikur gazetarët shkonin kudo, me përjashtim të zonës së Bllokut, sepse ishte e ndaluar të futeshe aty, sot gazetarët i gjen në bllok”. Ndoshta kjo fjali që e kam dëgjuar nga drejtori i Institutit të Medias,Remzi Lani, tregon mjaft për “gjeografinë e lajmit”. Por ndoshta problemet duhen parë nga ‘a‘-ja. Jo shumë ditë më parë, një person që punon për marrëdhëniet me publikun në një ambasadë perëndimore në Tiranë, më tha se janë rikthyer edhe njëherë tek kurset për “shkrimin dhe raportimin e lajmit”. Sërish nga e para. Gazetaria përgjithësisht ende nukështë një profesion që mund të bësh karrierë. Reporterë të mirë, madje shumë të mirë me të dhëna premtuese, brenda 2-3 vjetësh kthehen në redaktorë, zv/ kryeredaktorë, madje edhe kryeredaktorë! Mungesa e karrierës dhe ambientit për ta zhvilluar atë bën qëgazetat dhe revistat të përgatiten nga stafe pa përvojë dhe pa memorie “historike” për atë që ka ndodhur në vend edhe para 3-4 vitesh. Në media janë investuar shumë para, ndoshta miliona euro. A mund të më thotë ndokush sa janë investuar për trajnim? Trajnimet edhe sot e kësaj dite kanë mbetur domein i donatorëve të huaj. Një profesionqë ndryshon çdo ditë, kërkon vëmendje dhe trajnim të vazhdueshëm për të pasur produkt cilësor. Sot ofrohen mjaft bursa për të studiuar edhe jashtë, por nuk janë të shumtë ata gazetarë që zotërojnë mirë anglishten. Ka ide se nuk duhet harxhuar shumë për të bërëgazetë se sot kemi internetin. Interneti dhe emaili e kanë ndihmuar po aq sa edhe dëmtuar profesionin. Një lajm e shikon pothuaj njëlloj në 10 gazeta të ditës, madje edhe me të njëjtat gabime ortografike. Copy & Paste (Kopjo dhe vendos) duket se është moto e ditëspër mjaft gazetarë dhe redaktorë. Interneti është një mundësi e pafund për të gjetur dhe kontrolluar fakte dhe informacione, por mund të jenë i dëmshëm nëse e sheh vetëm si një vend ku mund të përdorësh shatin pa të shkuar ndonjëherë ndërmend për të përdorurbelin. Me kalimin e viteve, për fat të keq shohim se lajmet i shkruajnë, zëdhënësit e shtypit, personat përgjegjës për marrëdhënie me publikun. Materiali u shpërndahet të gjithëve dhe pothuaj të gjithë e marrin si ushqim të gatshëm për t‘ia servirur lexuesit.E ndoshta për këtë arsye faqet e gazetave i ngjajnë “deleve që i qeth një bari” dhe redaktorët e palodhur gjithnjë e më shumë të ngjajnë me punëtorët e ngarkim shkarkimit që çdo 24 orë u duhet të mbushin faqet. Mungojnë gazetarët me bllokun e shënimeve në dorë! Pse nuk shiten gazetat? Përgjigjet janë të shumta, por mund të përmblidhen edhe në një të vetme: nuk ke çfarë lexon! Kur pyet kryeredaktorë dhe botues se kush është lexuesi i tyre, shumë të paktë janë ata që të japin një përgjigje të saktë. Nuk shkruhet për lexuesin, por për kolegun, politikanin, zyrtarin. Nëse mendon hapësirën në faqe gazetash apo minutazhin televiziv, që i kushtohet një grushti njerëzish (kryesisht politikanë) nuk ke pse habitesh se pse nuk shiten gazetat apo pse nuk ka shumë shikues në televizione. Laj thaj po ato! Gazetaria politike i shkon për shtat botuesve, sepse është e lirë dhe për më tepër të jep mundësi për ta pasur mirë me filanin, apo për të goditur filanin. Përvojatregon se kjo gazetari i shkon për shtat jo vetëm botuesve, por edhe gazetarëve. Kjo lidhje e ngushtë gazetari-politikë bën që të shfaqen edhe gazetarëtkamerierë… E ndodhemi në atë gjendje ku bisedat në kafene janë më cilësore, më të sinqerta dhe më tëguximshme. E këto biseda nuk bëhen nga gazetarë!!! Ka një mendim se gazetarët më të mirë janë ata që nuk janë gazetarë. Është një realitet që raportimet dhe analizat më të mira i gjejmë në blogjet e internetit të shkruara jo nga gazetarët. Televizioni dhe internetijanë një konkurrencë e fortë për gazetat, por sipas të dhënave më të fundit të “Shoqatës botërore të botuesve”, është rritur ndjeshëm numri i gazetave që kanë rritur tirazhet. Vetëm duke investuar për të rritur cilësinë. Një prej përgjigjeve për krizën e shtypit ështëbraktisja e lexuesve. Po perifrazoj me këtë togfjalësh, Selim Belortanë që shkruante dy ditë më parë për “braktisjen e qytetarit”. (Ja disa nga titujt që na vijnë mend menjëherë, nisur thjesht nga një ditë jete e jona në Tiranë: Qytetari dhe ndotja e ajrit (nga marmita qës‘dihet si e kanë kaluar testin teknik). Qytetari dhe zhurmat (nga diskua në bodrumin e pallatit apo nga lokali përkarshi). Qytetari dhe qentë (që sot ndihen vërtet zotër të rrugëve dhe zonave rreth pallatit). Qytetari dhe plehrat (që përhapin pisllëk e sëmundje edhe në rastet kur qytetarët janë të mbarë dhe i hedhin qeset bukuri në kazanë. Sepse sapo kthejmë krahët mbi to lëshohen qenë dhe grumbulluesit e plehrave e kanoçeve, që shqyejnë qeset dhe spërkasin rrugën). Qytetari dhe trotuari (i zënë arbitrarisht nga kafenetë e zonës, apo nga parkimi fodull i njerëzve me njohje). Qytetari dhe lavazhet (që jo vetëm thithin pa masë ujin e zhurmojnë pa reshtur, por së me plot lokale arbitrare po hanë përditë edhe parkun “e gjelbër” të Tiranës; mjafton një sy rrugës së Elbasanit). Qytetari dhe parkimi (i pamundur, për shkak se buzërrugët janë bllokuar e janë “privatizuar” me shenja e hekura gjithfarësoj; me leje dhe pa leje të bashkisë). Qytetari dhe bombolat e gazit (që shiten poshtë pallatit). Qytetari dhe antenat e operatorëve celularë dhe televizivë (që rrezatojnë vdekjen mbi pallate, jo vetëm pa lejen por edhe pa dijeninë e banorëve) etj. Nëse një gazetë në Tiranë do të merrej me problemetqë shtronte në këtë artikull autori, atëherë është e sigurt se do të 10- fishonte tirazhin në Tiranë. Prej vitesh këtu shihet një prirje për të pasur gazetë me shumë faqe. Vë bast se nëse do të publikohet nesër një gazetë vetëm me 8 faqe, por gazetë ku gazetarët dhe botuesi(t) e dinë për kë shkruajnë, ku shkrimet i nënshtrohen vetëm gjykimit të redaktorëve dhe gazetarëve dhe ku cilësia është prioritet, lexuesit do të jenë të shumtë edhe sikur të ketë çmimin 60 lekë. Nuk është çmimi i shitjes, por cilësia e mallit. Dhe ky mall nuk mund të jetë cilësor nëse nuk bëhet nga gazetarë kurajoz dhe redaktorë që e duan këtë profesion, sepse mendojnë se i shërbejnë lexuesve! Jemi në një pikë ku kërkohen lexues, por më parë duhen kërkuar REPORTERE. Reporterë me ambicie si ai i Stefan Glass dhe redaktorë si ai që zbuloi mbrapshtitë e Stefan Glass-it.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

30 Gusht 2008 më 3:28 pm

Le te jete tabloid-et, por na duhet edhe shtypi serioz  

Mustafa Nano

Po e kap nga fundi shkrimin e Fatos Baxhakut, në të cilin lëshohen një numër qortimesh ndaj një shkrimit tim lidhur me gazetarinë e sotme në Shqipëri. “Të qenit gazetar presupozon edhe një solidaritet mes kolegëve”, thotë ai. E thënë kështu dhe e shkëputur nga çdo kontekst, fraza nuk ka asnjë të sharë. Mirëpo, Baxhaku po aty na jep dhe përkufizimin e vet mbi solidaritetin mes kolegëve; dhe me këtë të fundit, ai nuk nënkupton “t‘u ndodhesh pranë kolegëve, sa herë që gjenden nën presionin e agjentëve apo agjencive me shumë pushtet”, ai nuk nënkupton “t‘u ndodhesh pranë kolegëve, sa herë që këtyre duan t‘u marrin erzin apo dinjitetin instanca ‘të epërme‘”. Përkundrazi, Baxhaku me solidaritet mes kolegësh nënkupton një lloj “omerta”-je (ju lutem, merreni kështu siç është, të kapur mes thonjëzave, këtë term!). Sipas tij pra, ne nuk duhet të merremi me njëri-tjetrin; thënë me fjalë të tjera që i përafrohen ca më shumë përkufizimit të Baxhakut, ne duhet t‘i falim çdo gjë sho-shoqit. Me mua kjo nuk ka ndodhur. Një numër kolegësh nuk më kanë kursyer. Edhe vetë Baxhaku të njëjtën gjë bën me shkrimin e tij. Dhe mua nuk më vjen hiç keq për këtë. Mund t‘i jap të drejtë vetes të zemërohem me ato që thuhen (nëse mendoj se nuk qëndrojnë), por nuk mund t‘i jap të drejtë vetes të zemërohem me faktin, që thuhen. Dhe kur qëllon që nuk jam dakord me ato që thuhen në adresën time, përpiqem ta lë mënjanë zemërimin (nuk është se ia dal gjithmonë, por përpiqem amá), marr penën, e përgjigjem. Ja, si tani, që po i kthej përgjigje Baxhakut. Jo në mes të zhegut përvëlues e jo nga maja e kalasë së Lezhës, por - si gjithmonë - nga shtëpia. Dhe le të mbetemi këtu, dmth tek ata që shkruajnë nga shtëpia, për të cilët Baxhaku mendon se ca gjëra të shtypit nuk i njohin mirë. Më duhet të them, se po, është e vërtetë, ca gjëra të botës së shtypit unë nuk i njoh mirë. Në këtë kuptim, shkrimet e Besnik Myftarit, Bajram Peçit, Bardhi Sejdarasit, Roland Qafokut (te “Tirana Observer”) e të ndonjë tjetri, hodhën dritë në ca kthina të errëta të padijes sime, gjë që më bën ta tërheq mbrapsht ndonjë qortim të rëndë dhe en bloc në adresë të gazetarëve të shtypit shqiptar. Por kjo tërheqja ime në këtë pikë nuk ndryshon asnjë gjë në faktin, që shtypi shqiptar është në një ditë të zezë. Baxhaku do ishte më i lumtur që ky përfundim të shoqërohej me lidhësen “ndoshta”, apo me frazën “sipas meje”, pasi kështu edhe unë do të evitoja pozat prej gurú-je apo prej komandanti. Por këtu nuk është fjala për gurú e për komandant; është fjala t‘i themi gjërat troç e pa e spërdredhur gjuhën. Nuk është në stilin tim t‘i relativizoj ca të vërteta që i ndjej e i shoh (sigurisht, ashtu si i ndjej e si i shoh unë këto të vërteta, në përputhje me formimin, me kulturën e me dijet që kam). E do të ishte mirë që këtë qasjen relativizuese të mos e shtynim shumë tutje në emër të përunjësisë e në emër të modës “politikisht korrekt”, pasi kështu do të përfundonim të thoshim: sipas meje, një pedofil ndoshta e ka gabim, kur përdhunon një të mitur. Më kujtohet, që para disa vitesh, një e përditshme shqiptare doli për disa ditë rresht duke lajmëruar qysh në faqe të parë një rubrikë me titull të llojit “çfarë do të mendonte Fatos Lubonja lidhur me ….?” Për të goditur e sulmuar Fatos Lubonjën, ndaj të cilit dikush (botuesi, kryeredaktori, redaktori a gazetari) ka pasur një antipati a idhnim tërësisht personal, vendosën të loznin e të shfryheshin duke e përqeshur (medemek!) në faqen e parë të gazetës së tyre nacionale. Kjo ishte një fyerje hëm për lexuesin, të cilit i hidheshin në fytyrë karagjozllëqe të tilla, hëm për Fatos Lubonjën, me emrin e të cilit loznin si t‘ua kish qejfi e dinjiteti i të cilit nëpërkëmbej free of charge. Po në këtë rast, i dashur Baxhaku, ka vend për solidaritet? Solidaritet me kë? Apo duhet të heshtim? Mirë, ja po heshtim, duke mos u bërë merak për Fatos Lubonjën (dhe në fakt, askush nuk ka shkruar për këtë gjë; madje, më keq akoma, shumëkush ato kohë është kënaqur me këtë gjetje të pacipë në faqen e parë të gazetës), por a është gazetari kjo? Sigurisht, kjo nuk është gazetari, dhe në këtë mes përsëri nuk ka vend për fjalët zbutëse “ndoshta” apo “sipas meje”; nuk ka vend gjithashtu të flitet për shijet e ndryshme që na ndajnë. Nëse këtë gjë e shohim ndryshe, atëherë nuk janë shijet, por është një botë e tërë që na ndan. Do më, i dashur Baxhaku? Përpara disa muajsh i lejova vetes të bëja një qortim publik ndaj një gazete (siç shihet, nuk po përmend emra gazetash, dhe këtë po e bëj në emër të skrupujve baxhakianë në marrëdhëniet me kolegët), e cila njoftonte në faqe të parë një lajm mbi Leka Zogun. “Leka Zogu është i sëmurë me SIDA”, thoshte lajmi. E mora gazetën, dhe pashë që këtij lajmi i kushtoheshin tri faqe. Lexova gjithçka ishte shkruar, dhe … çfarë zbulova? Zbulova që në ato tri faqe nuk kishte asnjë fakt, asnjë provë, asnjë dëshmi. I gjithë lajmi ishte një spekullim kolosal. Më erdhi keq, që nëpërkëmbej dinjiteti i një njeriu (në këtë rast, i Leka Zogut), por më erdhi keq për veten si lexues, pasi e pashë edhe veten të përqeshur. Dhe prej kësaj u nxita të bëja atë vëzhgimin qortues. E dini çfarë ndodhi, Fatos? Kryeredaktori i gazetës merr në telefon një kolegun tonë, dhe i thotë: ia tregoj unë tani Mustafa Nanos. Çfarë do t‘i bësh? - ishte pyetja. Do ta shohësh - ishte përgjigja. Dhe e vërteta është që “ma nxiu jetën” në ditët në vijim, duke publikuar nja dy herë lajme mbi jetën time private. Sapo mora vesh këtë gjë, unë zura të përfytyroja mijra njerëz që vrapojnë tek kioskat e shitjes së gazetave për të blerë mes të tjerash edhe gazetën e bërë nga ky kryeredaktor. Ata vazhdojnë ta blejnë atë gazetë me shpresën e besimin, se aty do të gjejnë informacion, e në ndryshim nga unë, nuk e dinë se ajo gazetë është në duart e një kryeredaktori zemërak, i cili herë pas here, në vend ta ketë mendjen tek informimi i publikut, e ka mendjen se si ta përdorë atë gazetë si një fshikull në shpinën e atyre që kanë guximin të “kruhen” me atë vetë. Ja, po të pyes sërish Baxhaku: A është gazetari kjo? Dhe fillimisht po përgjigjem vetë: jo, kjo nuk është gazetari; nuk është as tabloid. E fajin për këtë nuk e kanë vështirësitë objektive, të cilat njerëz si unë që shkruajnë nga shtëpia, nuk i njohin. Unë e di që po këta gazetarë janë në gjendje të zbulojnë (dhe kanë zbuluar herë pa here) scoop-e e të bëjnë (dhe kanë bërë herë pas here) investigime, nëpërmjet të cilave kanë hedhur dritë mbi ngjarje të rëndësishme në këtë vendin tonë. Edhe ngjarja e Gërdecit është zbardhur nga këta gazetarë, e jo nga njerëz si unë, që shkruajnë nga shtëpia. Por kjo meritë nuk mund të na bëjë të na ikë nga mendja, se misioni i gazetarëve është të krijojnë, të mbajnë gjallë e të vërë në lëvizje opinionin publik, dhe kjo gjë - sipas meje - nuk bëhet duke dhënë ditë për ditë informacion mbi jetën e burgut të Zani Çaushit, mbi jetën pas burgut të “Big Brother”-it të Visit e të Noçes, mbi pushimet verore të vip-it x, mbi shtatzaninë e vip-es y, apo mbi shiritat e përurimit të veprave që presin ditë për ditë Sali Berisha e Edi Rama. Të kuptohemi, personalisht i kam zët tabloid-et, por nuk më shkon mendja t‘u heq atyre të drejtën e egzistencës. Përtej shijeve të mija e të njerëzve si unë, egzistenca e tyre është e motivuar edhe nga numri i madh i lexuesve të etur për lajme të lehta e rozë. Në këtë kuptim nuk jam aq i shqetësuar nga prania e tyre. Unë jam i shqetësuar nga tkurrja e shtypit serioz, jam i shqetësuar nga fakti që tkurrja e shtypit serioz do sjellë tkurrjen e opinionit publik. Dhe këtu po jap një ilustrim të fundit. Ndër dy lajme të gjurmuara nga gazetarët tanë në “Corriere della sera”-n e para disa ditëve, gati të gjitha të përditshmet tona ishin tërhequr si me magnet nga një informacion mbi këshillat që një porno- star i jepte nënës rishtare Angeline Jolie (ky shkrim ishte ngucur e fshehur në faqet e fundit të Corriere-s, ndërsa ndonjë gazetë shqiptare e nxori në faqe të parë), e nuk ishin tërhequr fare nga një intervistë e intelektualit Gore Vidal, e publikuar në po atë numër të Corriere-s. Kjo preferencë mund të ledhatojë e gudulisë gjëndrat e atyre që duan të kalojnë kohën me kotësira, por komprometon rëndë të gjitha përpjekjet për të mbajtur gjallë edhe një minimum të shtypit serioz, i cili - për këtë nuk besohet të ketë dyshim - është i domosdoshëm për një vend. Edhe pse mund të jetë i kushtueshëm, shtypi serioz është i domosdoshëm. Mirëpo, nëse marrim në mbrojtje e nxisim tabloid-et, do të vijë puna që të shtyjmë edhe “Shqip”-in drejt asaj rruge pak të kushtueshme. Në këtë rast do të më vinte me të vërtetë keq, pasi “Shqip”-i është nga të paktat gazeta jo të tabloid-zuara. Mund ta qortosh për shumëçka, por nuk mund të thuash që “Shqip”-i nuk është gazetë serioze. Shyqyr që është kështu, s‘ka gjë se për ndokënd “Shqip”-i është më serioz se sa duhet.

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

30 Gusht 2008 më 3:19 pm

Hallet e shtypit dhe hallet e miletit  

Fatos Baxhaku

Këtu e do ditë më parë, kolegu dhe miku Mustafa Nano më shtyri në mendime teksa lexoja shkrimin e tij - më shumë mendim personal se sa analizë - që bënte fjalë për shtypin e shkruar. Bënte vapë e paparë, isha në majë të Kalasë së Lezhës, në një rrafshinë ku nuk kishte asnjë fije hije për be, e megjithatë shkrimi duhej lexuar me përqendrim të madh, jo vetëm sepse ishte shkruar nga një koleg i nderuar, por edhe se Mustafai dukej shumë i revoltuar në ato radhë që kishte hedhur. Si ta kishte hallin kolegu ynë? Në fund doli se Mustafai ishte revoltuar nga moria e gazetave të tipit tabloid, madje edhe nga shfaqje të depërtimit të asaj logjike në ato gazeta që konsiderohen si më serioze. Mustafai ishte i acaruar edhe me gazetarët që nuk po punonin siç duhet sipas tij. Pas Mustafait shkruan edhe kolegë e miq të tjerë, absolutisht që të gjithë pena të nderuara. Pas disa ditësh të menduari e të lexuari, më në fund, e mora edhe unë guximin të hedh dy radhë me shpresën se ndokush do t‘u hedhë ndonjë sy. Të shkruarit është barrë e madhe kurdoherë, lëre pastaj kur bëhet fjalë për punë të tilla të rënda. Autori i këtyre radhëve ka pasur rastin të jetë pesë herë kryeredaktor dhe pesë ditë zëvendëskryeredaktor në shtypin e shkruar dhe në mediat televizive. Duke pasur këtë fat, të mirë apo të keq, merreni si të doni, shpesh ka dëgjuar nga drejtorë apo administratorë telashet e mëdha që ka shtypi sot dhe, duke qenë se ka dëgjuar, diçka i ka mbetur edhe në kujtesë. Unë nuk do t‘i shtoja e as t‘i hiqja asnjë presje shkrimeve shumë të mira të Besnik Myftarit e Bajram Peçit, të cilat na e freskuan kujtesën dhe na ulën më me këmbë në tokë. Edhe shkrimi i Mustafait ishte i goditur nga ana stilistike, kjo nuk duhet mohuar asesi. Ajo që desha të theksoj unë personalisht është ideja se kjo puna e Mustafait është thjesht punë shijesh. Mustafait nuk i pëlqejnë tabloidet, le të mos i lexojë. Unë për vete kështu bëj. Kam kohë që nuk kam shfletuar ndonjë prej tyre. E fundit ka qenë “Paloma”. U bëra kurioz sepse në të shkruante një shoku im. Të tjerat nuk i shoh më. Pra edhe replikuesit me Mustafanë, edhe vetë Mustafai, duhet ta kenë të qartë se gazeta është në radhë të parë një mall, që shitet e blihet, që ka kosto, çmim, sikurse të kishte edhe fitim… Dhe duke qenë mall, edhe shtypi ka format e tij të shumëllojshme. Tabloidet nuk i kemi shpikur ne shqiptarët. Pa shihni një herë se ç‘bëhet në Perëndim me to. Cilat gazeta shiten më shumë tabloidet apo seriozet? Është tjetër gjë se cila gazetë ndikon më tepër me peshën e opinionit dhe të informacionit që servir. Kjo, jo domosdoshmërisht është e lidhur në numrin e shitjeve. Për mua Mustafai ka bërë dy gabime - të më ndjejë miku e kolegu - së pari ka këmbëngulur që një shije të vetën t‘ua imponojë të tjerëve gati-gati me një sens detyrimi, duke u çuditur madje se si nuk e kuptojnë të tjerët këtë gjë, e cila për atë vetë është aq e thjeshtë dhe e dyta, kjo më duket më e rëndë, ka treguar një lloj shpërfilljeje të pajustifikuar për kolegët, të cilët mbajnë në këmbë ngrehinën ku ai vetë ka fatin dhe komoditetin të hedhë opinionet e tij mbi shijet gazetareske. Një lloj shikimi nga lart, një vëzhgues që vjen nga një planet tjetër, një “guru” i gazetarisë së brishtë shqiptare, me pak fjalë një njeri që thotë gjëra të prera, për të cilin fjala “mbase” nuk duhet përdorur kurrë. Aq i dukshëm është ky qëndrim sa që ndonjërit, duke lexuar shkrimin, mund t‘i jetë shfaqur komandanti Mustafa, duke ua bërë me gisht ushtarëve që nuk e kishin hapur mirë transhenë. Mustafai le të më ndjejë edhe një herë për këto fjalë, porse kjo ishte shija që më la leximi i shkrimit të tij në piskun e vapës në Kalanë e Lezhës, dhe, me sa kam folur, kjo është shija që u ka lënë edhe atyre kolegëve që e kanë lexuar në hije.Sikur ta kisha përballë Mustafanë, nuk do ta kundërshtoja aspak për atë punën e tabloideve, ajo është puna e tij, le që në këtë pikë shijet na përputhen, vetëm do t‘i kujtoja dy gjëra. “Ars longa, vita brevis”, thotë latini. Me pak fjalë të gjithëve ne na duhet një udhë shumë e gjatë, ndoshta e pafund, që të mund të japim mend edhe për gjëra që nuk i njohim mirë. Pastaj gazetaria, ky dreq zanati nga e cila nxjerrim bukën e gojës, është më shumë një mënyrë jetese se sa një zanat i mirëfilltë, sikurse është inxhinieri, polici, apo doktori. Shumë prej nesh e kalojnë pjesën më të madhe të ditës në redaksi dhe jo në shtëpi. Për shumë prej nesh vendi i punës është vetë shtëpia, ndërsa kolegët janë njerëzit e shtëpisë. Pikërisht prandaj të qenit gazetar presupozon edhe një solidaritet mes kolegëve, të cilët, në rastin e gazetarëve, janë më shumë se shokë e miq të thjeshtë. Në shkrimin e Mustafait, që hapi diskutimin, kjo gjë nuk duket askund. Ja ngase vjen ajo shija e hidhur në fund të atij shkrimi.

Po të isha analist si Mustafai, do të merakosesha për gjëra të tjera. Nuk do të merakosesha shumë për tabloidet, të cilat edhe ato meritojnë hisen e tyre të diellit. Unë vetë do të merakosesha më fort për pyetje të mbetura deri më tash pa përgjigje. Përse nuk krijojnë opinion publik dhe as reagime të ndjeshme opinionet dhe analizat tona? Përse qeveritarët e të gjitha ngjyrave kanë nisur të mos ua vënë më veshin fjalëve që ne hedhim në kompjuter? Me siguri, shpesh nuk denjojnë as t‘i lexojnë fare. Nga se është krijuar mes lexuesve e shikuesve nga njëra anë dhe ne, opinionistëve, analistëve, komentatorëve, fjalëshkruesve me pak fjalë, nga ana tjetër, një hendek që sa vjen e thellohet, duke i ftohur sa s‘ka më marrëdhëniet mes dy palëve? Sa i kanë shërbyer realisht analizat dhe opinionet tona emancipimit dhe kulturimit të shqiptarëve? Do na kenë afruar ato me lexuesin? Si i përcjellim ne realisht hallet e miletit në shkrimet tona? Sikur t‘i jepnim përgjigje këtyre pyetjeve, atëherë po, hallet tona do të ndihnin në zgjidhjen e halleve të miletit. Në fund, edhe një pyetje të vetme: përse ne asnjëherë nuk kemi arritur të parandalojmë e të demaskojmë gjakosje shtetërore sikurse ishte ajo e Gërdecit? Unë për vete skuqem sa herë që kaloj në anë të Vorës. Nuk e di se si ndjehen kolegë të tjerë.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

1 koment

Nga kusaret

27 Gusht 2008 më 10:09 am

Agonia e shtypit te shkruar dhe lulezimi i opinionisteve  

Bajram Peçi

Debati i nisur prej ditësh, në faqet e të përditshmes “Shqip”, të parën gjë që i sjell lexuesit ndërmend, pasi mëson se ka një krizë serioze në media, është të bëjë pyetjen: Nga se varet jeta e gazetave në Shqipëri? Një ekonomist i sprovuar, fët e fët do shfletonte nga librat bazë të ngrehinës së ekonomisë botërore e do jepte me një frymë përgjigjen: nga konkurrenca. Artikullshkruesi, pjesë prej kohësh e administrimit të shtypit të shkruar, do të ngërdheshej me përgjigjen që i shkon për shtat zhvillimeve normale, por jo shpërfytyrimeve shqiptare. Shtypi i shkruar në Shqipëri s‘njeh dhe s‘ka të nevojshme asnjë teknikë menaxhimi. Të gjithë e dinë se jeta e gazetave në Shqipëri nuk varet nga konkurrenca, pra, e thënë më shqip, nuk varet nga lexueshmëria, çka do të thotë më shumë lexues, më shumë shitje, më shumë të ardhura. Zotërinj të nderuar, pjesëmarrës në debatin për krizën e mediave! Të gjithë e dimë se në Shqipëri shtypi i shkruar, i përditshëm e periodik, nuk i nënshtrohet ligjësive ekonomike. Konkurrenca ekziston, por jo për të përcaktuar fatin e mëtejshëm të tyre, konkurrenca ekziston, por nuk ekziston dhe as njihet institucioni i falimentimit. Nga ky rregull bën përjashtim shtypi bulevardesk.Lexoni një paradoks: tirazh gazeta për numër banorësh, Shqipëria është e fundit në Evropë, ndërsa titujt (deri në inflacion) e të përditshmeve në treg, për numër banorësh e territor e vendosin në vend të parë(?!). Atëherë, kur e dimë se jeta e gazetave nuk varet nga shitja, nuk varet as nga reklama e mallrave e të shërbimeve (se Shqipëria nuk është prodhues mallrash) dhe ka një sistem të shkatërruar abonimesh, pse disa prej tyre qëndrojnë ende në këmbë?Shembujt më klasikë të zhvillimeve të shtypit të shkruar në botë, Hërst e Murdok, tani perandori mediatike, tregojnë se ato lindën e u zhvilluan si biznese. Shembulli në tregun kapitalist shqiptar të gazetave na tregon se këto përpjekje u bënë në fillesat e shtypit demokratik, por vite më pas dështuan, të ndodhur nën trysninë e aventurierëve që e zgjodhën shtypin e shkruar jo si biznes. Ka tituj të të përditshmeve që nuk shesin më shumë se 100 copë dhe vazhdojnë. Pse ndodh kështu? Ja disa përgjigje stereotipe, që i gjen prej kohësh në referime e komente: botuesi kërkon pushtet; botuesin e mban pushteti; botuesi kërkon të jetë influent në politikë; botuesi mbron biznesin e interesat e tij; botuesi punon për lavdi; botuesi pastron paratë. Po të ishte nga argumentet e mësipërme se “botuesi punon për lavdi”, ku ta gjeje, do ishte një fatbardhësi për shqiptarët, po ja që s‘është kjo arsyeja e vërtetë. Fuqia që të jep shtypi i shkruar, ka futur, për të keqen e fatit të tij, individë e përfaqësues biznesesh që s‘kanë pasur kurrë si motiv fitimin me organet e tyre dhe s‘kanë pasur asnjë lidhje me mediat. Ndryshe nga këta, kur “Shqip” hynte në tregun shqiptar, një nga arsyet e themeluesit, ishte të ngrinte një të përditshme profesionalisht të arrirë, që të konkurronte të përditshmet e tjera, ku e vërteta bëhej lojë e përdorur nga pronarët si instrument për qëllim përfitimi, një e përditshme e aftë të përcillte interesin publik. “Shqip” është e përditshmja më e re në treg dhe së bashku me “Gazetën Shqiptare” janë të vetmet që dalin me çmimin e shitjes 50 lekë, duke iu përmbajtur kështu një ligjësie ekonomike: të ardhura-shpenzime. Të gjitha gazetat që dalin në treg me çmimin 20 lekë copa, nuk mbulojnë dot as shpenzimet e prodhimit. Natyrshëm kuptohet se lejohet abuzim e shpërdorim me “Lirinë” në shtyp, edhe sepse Ministria e Financave nuk është e aftë qoftë edhe të kopjojë sjelljen ligjore të fqinjëve tanë, për çështjen në fjalë. Në këto rrethana, çfarë vlere mbart konstatimi i zotit Mentor Nazarko, në artikullin e djeshëm se “Kriza në planin sasior i detyrohet sigurisht cilësisë së mediave, domethënë të cilësisë së produktit të tyre”. Po të jetë kështu, atëherë pse e përditshmja “Dita Informacion”, ku z.Nazarko, punonjës i kahershëm i shtypit të shkruar, ka punuar së bashku me të vëllanë si drejtor e kryeredaktor, nuk jetoi? Zoti Nazarko! Pse “ABC”, pa mëdyshje e përjavshmja më e mirë që ka parë deri më sot tregu shqiptar i shtypit, duke pasur juve si kryeredaktor, vdiq? Pse? Për shkak të cilësisë së produktit? Natyrisht që jo, e ky nuk është vetëm opinioni im. Të dy e dimë mjaft mirë këtë gjë. Pra, duam, s‘duam, na duhet të pranojmë një të vërtetë, që e thoshte qartazi z.Besnik Myftari në shkrimin e datës 22 gusht, se kriza në përmbajtje e shtypit të shkruar është rrjedhojë para së gjithash e krizës financiare, nga bataku i së cilës disa gazeta përpiqen të dalin, duke i shndërruar faqet e tyre në “Paloma” e tabloide të tjera bulevardeske. Zotit M.Nano i lejohet luksi të mos i kërkohet të dijë gjendjen e asaj që rëndom në gazeta quhet prapavija, por që në thelb është vija e parë, se nuk ka qenë ndonjëherë drejtues i një gazete, por jo juve, z.Nazarko, që përballjet financiare ju kanë bërë shpesh me dhembje koke.Shkojmë më tej. Nuk di nga vijnë të dhënat se “…trendi i tirazheve kudo në botë njeh vetëm rritje”, ndërkohë që është e njohur mirë se hedhja e gazetave në internet, me pagesë e pa pagesë, po ul ndjeshëm tirazhet. Në krizë janë emrat më të mëdhenj të shtypit të shkruar, “Le Monde”, “New York Times” etj., të përfshira gjerësisht në shkurtime masive punonjësish. Të përditshmen “Shqip” e lexojnë në internet, për çdo ditë 17 mijë veta në Shqipëri, 8 mijë veta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth 6 mijë veta në Itali e Austri etj. Si nuk paska ndikim e nuk e futka në krizë mënyra e re e përcjelljes së lajmit e lëndës? Kushdo e kupton se nuk mund të bëhet e nuk lejohet të bëhet krahasimi i shifrave e treguesve me dhjetë vjet përpara, përderisa struktura e mjeteve të komunikimit e transmetimit të lajmit ka ndryshuar rrënjësisht, në përparësi të teknologjisë së re.Afërmendsh është e njohur se në Shqipëri ka një qytetari të emancipuar që nxit njerëzit e gazetat të protestojnë kundër çdo keqpërdorimi të pushtetit. Këtë ka bërë dhe “Shqip”. Ka përmbushur misionin e tij, për të qenë një vëzhgues i hollë e i vëmendshëm ndaj zhvillimeve politike, ekonomike e sociale. Këtij qëllimi i ka shërbyer e po i shërben afrimi pranë kësaj gazete dhe lënia e faqeve “Komente” e “Opinione” në dispozicion të penave më të spikatura të gazetarisë shqiptare, që me peshën e fjalës së tyre të jenë ndikues në opinion e të formojnë qëndrime në interes të shoqërisë. Përzgjedhja e tyre ka qenë mënyra me të cilën “Shqip” ka dashur të thotë të vërtetën. Në qoftë se ata paguhen mirë nga gazeta (dhe i meritojnë) kjo s‘do të thotë aspak se është qëllim i gazetës, por që ata me shkrimet e tyre të jenë në shërbim të lexuesit, pro apo kundër politikës editoriale të gazetës, me zëra të ndryshëm dhe ta bëjnë të përditshmen informative sa më të pëlqyeshme. Janë ata, opinionistët, që ja japin fytyrën gazetës e nuk janë redaktorët e kronikave, siç pretendohet, që shkruajnë të dhëna, të thëna e të stërthëna gjithë ditën e gjithë natën në tërë kanalet televizive, ndërkohë që soji i gazetarit të terrenit është në zhdukje e sipër. E ndjejnë ndopak veten përgjegjës opinionistët, për të ditur se sa kanë ndikuar me shkrimin e tyre “Opinion” në shitje, në tirazh, në të ardhura? A janë ata pjesë e krizës në media, atje ku hanë, apo e përjashtojnë veten? Kur shtypi i përvidhet misionit të vet, një çështje kjo që ngrihet si shqetësim nga z.Mustafa Nano, do të thotë e do kuptuar se një gazetë e përditshme ka rrezikuar seriozisht statusin e saj. Ky konstatim mund të jetë apo të mos jetë i pranueshëm nga këndvështrimi i gjithsecilit. Është rrjedhë e ngjarjeve dhe e vrojtimit, apo përfundim i nxjerrë nën efektin e përshtypjeve që të ka lënë libri i fundit i lexuar, apo aksh artikull. Cilat do qofshin rrethanat nga vijnë këndvështrimet, ato nuk do të jenë të mjaftueshme për të marrë qëndrim përgjithësues, për sa kohë përvjedhjes nga misioni nuk i nxjerr shkaqet e shkaktarët.Siç ngjet kudo, edhe te ne nuk mund të ketë barazi në të drejtën për të folur. Një shumicë intelektualësh, që dinë të flasin, nuk kanë ku flasin. Do të më pëlqente të shkoja deri aty sa të thosha se ndoshta ata kanë përfaqësues të tyre ata opinionistë, që e përdorin të drejtën për të folur, duke shkruar në një të përditshme, jo duke iu përshtatur spektrit politik. Nuk është se mediat janë më të ndershme se politika, por të paktën ato shfaqen më me qytetari. Le ta vendosin opinionistët veten në këtë këndvështrim përgjegjësie përfaqësimi.

Sa çudi më vjen kur lexoj se “…shenja pozitive po duken me shfaqjen e grupeve të huaja”. Ngre supet kur shoh se bëhen më kot përpjekje që dukuria e një forme kalimthi e rastësore, jepet si përmbajtje e të ardhmes së shtypit. Jo zotërinj! Nuk do t‘i vijë shpëtimi shtypit të shkruar, duke u bërë zotërim proteksionist i shoqërive e kapitaleve të huaja. Së pari, është e rëndësishme që të rishqyrtohet edhe njëherë në Kuvendin e Shqipërisë propozimi që Nikollë Lesi, si përfaqësues i mediave në Parlament, bëri kohë më parë, për vendosjen e rregullave evropiane të tregut të shtypit. Ky detyrim vjen edhe si pasojë e kërkesës së vendit kandidat në BE. Është e sigurt se kjo krizë e ky lloj shtypi në Shqipëri do vdesë e do rilindë, kur në pushtet të mos ketë individ që të kenë frikë nga presioni i mediave. Vetëm atëherë shtypi do meritojë emërtimin “Instrumenti demokratik i lirisë”.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

26 Gusht 2008 më 9:11 am

Mbi krizën e mediave  

Mentor Nazarko

Në dy numrat e fundit të “Shqip”-it, dy kolegë, Mustafa Nano dhe Besnik Myftari, u morën në dy sprova të ndryshme, diku dhe polemike mes vetes, me të ashtuquajturën “krizë të shtypit” apo të medias në përgjithësi. Jam plotësisht dakord me konstatimin e krizës, por ndahem me ta rreth një pjese të shkaqeve të kësaj krize, apo dhe me një pjesë të pasojave të saj. Për shkak se argumenti është i bollshëm, ai lejon që dy sprovave t‘u përngjiten dhe të tjera, që zgjedhin këndshikime të ndryshme, apo ofrojnë perspektiva të ndryshme analize dhe zgjidhjeje. Po e nis analizën time me konstatimin thelbësor mbi të cilin mbështeten dy sprovat e kolegëve. Pse mediat janë në krizë.Kriza sasiore dhe cilësoreKriza duket në planin sasior, domethënë në kopjet e shitura të gazetave, revistave të aktualitetit. Pse jo dhe në audiencën e mediave elektronike. Për mediat elektronike mund ta krijosh indirekt idenë e krizës, nëpërmjet vlerësimit të tregut të reklamave, totali i të cilave nuk lejon mbijetesën pa subvencione të mediave. Nëse sponsorët, kompani tregtare kryesisht, nuk e shikojnë të arsyeshme të hedhin më shumë para në këtë treg, kjo sigurisht lidhet me audiencën e mediave, që ata e njohin me gjithë mungesën e audiencëmatësve. Ndërsa për krizën e shtypit mund të krijosh ide të plotë pasi tirazhet njihen. Pa hyrë në shifra në pikëpamje absolute, kush di tirazhet e gazetave në vite, di sigurisht se tirazhet e gazetave të aktualitetit nuk arrijnë ende totalin e vitit 1997. Argumenti se atëherë ishte krizë e rëndë politike, apo se nuk kishte televizione dhe internet, vlen, por ama trendi i tirazheve të gazetave kudo në botë njeh vetëm rritje, që do të thotë se mediat e shtypura gjetkë u janë përshtatur këtyre konkurrentëve. Madje dhe në vende fqinje. Nuk shihet ndonjë arsye pse në këto vende numri i lexuesve rritet, me gjithë fuqizimin e televizioneve apo internetit, ndërsa në Shqipëri, të bjerë. Ndërkohë, tirazhi i vitit 1997 në Shqipëri duket njëlloj si tirazhi potencial i atyre që duan, kanë dëshirë të lexojnë gazetë, por një pjesë e të cilëve sot nuk lexojnë si atëherë dhe që do të mund të tërhiqen sërish nëse oferta e gazetave do të ishte e ndryshme. Ndërsa analizojmë krizën në planin sasior, mjafton të shikojmë numrin e gazetave për banor, jo thjesht në Danimarkë, por dhe në Kroaci apo Maqedoninë fqinje.Kriza në planin sasior i detyrohet sigurisht cilësisë së mediave, domethënë të cilësisë së produktit të tyre. Që në planin përmbajtësor duket madje dhe në rënie, me gjithë evoluimin e mediave në formë, apo në disa standarde profesionale të shkrimit dhe raportimit të lajmit, dizajnit etj. Shtypi i viteve ‘92-‘97, i angazhuar, luftarak, më së shumti shtyp opinioni, kishte peshë më të madhe në opinionin publik, jo thjesht pse atëherë televizioni i vetëm përdorej rëndshëm në favor të qeverisë. Por në një gjykim a posteriori, dhe si protagonist i tij, kjo vinte pse ai denonconte agresivisht shtypjet flagrante të të drejtave të njeriut, një argument tërheqës për lexuesin, anipse edhe ai nuk merrej më shumë se sot me problemet reale të vendit. Ai shtyp kishte një përmasë investigative të fortë dhe falë një cipe më të hollë të qeveritarëve të kohës arrinte të provokonte debat në jetën publike të vendit. Ndërkohë, sot shtypi dhe një pjesë e mirë e edicioneve të lajmeve, emisioneve të aktualitetit, merren më shumë me “fotografitë me leje” të realitetit të sotëm, njoftimet e shtypit, konferencat e shtypit, dhe jo me argumente të patretshme si ekonomia, financa, problemet e mprehta sociale dhe origjinën e tyre etj., etj. Shtypja e të drejtave të njeriut sot është më e sofistikuar, pasi shtetarët e sotëm kanë mësuar diçka nga dështimet. I vetmi ndryshim cilësor kah zbulimi i aktualitetit që nuk duket, por në formën e lajmit të patretur është listomania, apo botimi pa koment i ligjeve të ndryshme. Ndërkohë, zgjerimi sasior dhe cilësor i gazetarisë rozë (ja rritja sasiore e sotme) mund të ishte i justifikueshëm, nëse do të ndodhte e njëjta gjë dhe me shtypin apo median e fokusuar tek aktualiteti; përkundër kësaj, kemi zgjerim të shtypit të ashtuquajtur dokumentar të diktaturës. Ky lloj shtypi, në fakt më së shumti shtyp dëshmish të paverifikueshme protagonistësh të rremë të historisë së diktaturës, dëften dhe përbërësen dominante të lexuesve: pleqtë që po treten për shkak të ashpërsisë së kohës. Ka shembuj pozitivë të gazetarisë investigative, si “Fiks Fare”, “Ekskluziv”, emisione të caktuara të “News 24″ etj., por shumë momente të rënda korrupsioni kalojnë para hundës sonë të injoruar nga të gjithë: media dhe institucionet kompetente.Shkaqet e krizës. a) profesionaleShkaqet e krizës së shtypit dhe mediave duhen kërkuar më së pari brenda vetë mediave. Është kollaj të hedhësh fajin te faktorët e tjerë shoqërorë, por nëse bën këtë gabim, nuk ndryshon shumë nga politika që ja hedh fajin popullit, apo botës, apo popullit që ja hedh politikës, një sport kombëtar i padobishëm. Pikëpamja se shkaqet e krizës së shtypit dhe mediave janë më së shumti të brendshme, mbështetet në premisën se nëse shtypi dhe mediat do të ishin të fortë cilësisht, ato do të ishin plotësisht tërheqëse si biznese, pra do të thithnin më shumë para nga biznesi privat, por ama do të ishin një fuqi e madhe publike e paneglizhueshme nga qeveria. Domethënë, një pushtet që do të impononte ligje favorizuese, kredi, subvencione, sistem shpërndarjeje etj., etj.Në shkaqet e brendshme mund të shquajmë shkaqet profesionale nga ato të biznesit. Cilësia e gazetarëve të thjeshtë, reporterëve, është e ulët në mesataren e vet. Sigurisht, harlisja mediatike, shtimi gjigand i numrit të mediave, ka bërë që të shtohet kërkesa për krahë pune, edhe të pakualifikuar. Brenda kësaj mase “proletarësh”, apo “ushtarësh të shtypit”, më të mirët, pjesë e stafeve më të mëdha, duken më pak se sa dukeshin dje në stafet e vogla. Më të mirët e djeshëm- të fazës së parë të shtypit pluralist 1992-1997- dinin gjuhë të huaja, ishin më të kulturuar, më pasionantë dhe sakrifikues, më të përgjegjshëm dhe më larg pushtetit (edhe për shkak se pushteti të mbante larg në fakt). Nuk ndodh e njëjta gjë me “ushtarët” e sotëm. E keqja është se këta “ushtarë” të armatës së mediave, shpesh nuk kanë në krye “oficerë të mirë”, domethënë redaktorë të mirë, pikërisht për shkak të zgjerimit të bujshëm të tregut, që injoroi cilësinë në emër të krijimit të mediave të reja. Shumë prej “oficerëve”, megjithëse talente si reporterë, nuk kanë përgjithësisht shkollim adekuat, të tipit të përgjithshëm- Fakulteti i Gazetarisë ka njohur shumë ulje-ngritje dhe ndryshimet pozitive të tanishme duan kohë të japin efekte. Ndonjë vjen prej gazetarisë së kronikës, nga profesione të tjera, dhe në sytë e pronarëve të sotëm të medias ata gëzojnë minimumin e mjaftueshëm: janë të zellshëm, vendosin disiplinë, janë besnikë, dinë shkëlqyeshëm disa standarde profesionale formale apo të komercialitetit, sepse disa rrisin tirazhet deri diku etj., etj., por kjo nuk domethënë gjithçka. Boshllëqet profesionale të shumë prej “oficerëve të mesëm” lidhen dhe me “gjeneralët e medias”, që nuk trashëguan shumë nga paraardhësit e tyre, ata që lëvruan gazetarinë në vitet ‘80. Ku qelbet peshku? Shumë prej “gjeneralëve”, lëvruesit e parë të shtypit të viteve ‘90, në role të ndryshme kyçe sot, kanë përsosur shumë stilin e të shkruarit dhe të komunikuarit në përgjithësi, janë afruar shumë me politikën dhe falë këtij afrimi njohin shpesh shkëlqyeshëm lojërat e pushtetit ku dhe përfshihen, por jo fushëveprimin e pushtetit, ekonominë, ligjin, institucionet etj. Për këtë arsye, emisionet e debateve, shpesh herë me tema të imponuara nga politika dhe jo të imponuara asaj, përfundojnë me fitore të njerëzve të ekzekutivit, që kanë përditë informacion cilësor dhe e njohin realitetin shumë më mirë se njerëzit e medias. Disa prej njerëzve në pozita kyçe në media janë të pazëvendësueshëm, posaqë ata vetë nuk mendojnë për pasardhës, për numrat dy të tyre, aq më shumë nuk mendojnë menaxherët e mediave, ndaj pesha e tyre është absolute. Kështu shpjegohet riciklimi në role drejtuese vetëm i një numri të vogël njerëzish që imponojnë në këto role axhendën publike sot. Domethënë, këneta duket e garantuar; përmirësimi duket thuajse pashpresë.b) shkaqe biznesiKjo situatë e sotme e shtypit dhe medias lidhet shumë me panoramën e pronësisë në media. Shumë prej mediave kanë pronarë unikë, që më së shumti vijnë nga fusha e ndërtimit, lokomotiva e ekonomisë sonë kapitaliste. Këto figura biznesi, në ndryshim cilësor nga shtypi i viteve ‘92-‘97, kur kishim pronarë gazetarë, janë shumë më të kushtëzuar nga politika e sotme, më saktë nga ekzekutivi. Ata orientojnë median e mbipopulluar nga ushtarë dhe oficerë syresh, në pozicione mbrojtëse apo shantazhuese të zyrtarëve të veçantë të shtetit apo kreut të qeverisë, sipas koniunkturës së projekteve të tyre të biznesit. Shumë më ndryshe do të ishte davaja nëse do të kishim grupe aksionerësh: politika editoriale do të ishte produkt i mesatares së bindjes së tyre dhe jo produkt i bindjes së një njeriu të vetëm, pra diçka shumë më e ekuilibruar. Një grup biznesesh është më i fuqishëm dhe më i pashantazhueshëm përballë pushtetit, sesa një individ i vetëm. Në instancë të fundit, ky grup në emër të ruajtjes së ekuilibrit brenda vetes do të prodhonte rregulla loje që garantonin mosndërhyrjen e individëve në politikën editoriale, diçka e bezdisshme për atë që bën media si profesionist. Një politikë editoriale e ekuilibruar afron më shumë lexues sigurisht. Krijimi i grupeve shumaksionerëshe është një sfidë dhe për biznesin në përgjithësi: në momentin kur biznesi i sotëm dominohet nga ai tregtar apo i ndërtimeve, pronësia e tij është më së shumti unike. Biznesi prodhues që kërkon më shumë kapital, ai bankar, ende nuk është përfshirë në fushën e mediave.

Shenja pozitive po duken me shfaqjen e grupeve të huaja. Ata duhet të sjellin më shumë kapital, më shumë fuqi, më shumë eksperiencë organizuese, më shumë profesionalizëm. Por analiza e tyre do të kërkonte më shumë kohë dhe hapësirë.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

26 Gusht 2008 më 9:07 am

Kriza e mediave, konstatimi dhe disa zgjidhje  

Bardhi Sejdarasi 

Mbase duhet ta kishim hedhur më parë dhe më shpesh vështrimin në “kopshtin” tonë, atë të medias së shkruar dhe audiovizuale. Tri vitet e fundit kanë sjellë mjaft prova të pakundërshtueshme se ngërçi mediatik është tashmë një fazën e parë të një krize të dukshme, disa herë agresive, me humbje që pasqyrohen në balance të dyshimta dhe me një reputacion përherë në rënie. Analistë të njohur kanë rendur ta konstatojnë këtë nga këndvështrimi i tyre mediatik. Por thelbi është më i thellë. Shkaqet janë shumëpërmasore dhe analiza e tyre ka munguar. Vetëm kemi konstatuar, pa vënë dorën në “plagë”.Ngërç dhe pastaj krizëParë në aparencë, media shqiptare të lë këtë shije që duket. Duke iu referuar pastaj treguesve studimorë, mund dhe duhet të nxjerrësh konkluzione të sakta. Dy institucione të respektuara private kanë që nga viti 2006 që fokusojnë zhvillimin/rënien e tregut mediatik. Në fillim Instituti i Sondazheve dhe Opinioneve (ISO) dhe më pas Qendra e Kërkimeve Monitor (QKM) janë vëzhguesit më profesionalë të tendencave reale të shtypit të shkruar dhe tij audiovizual dhe studimi i tyre disavjeçar nuk lë hapësirë për ekuivok. Sipas studimeve të tyre (dhe që duhen pranuar pa asnjë kundërargument) shtypi i shkruar është në prag falimentimi të plotë. Në një tirazh maksimal prej 40 mijë kopjesh në ditë, të ofruar nga 20 tituj të përditshmesh, raporti i përdorimit të medias së shkruar është 20/1000, pra 20 gazeta për 1000 banorë në ditë. Ky është, sipas studimit, nivel ndër më të ulëtit në botë i përdorimit të shtypit. Po t‘i shtosh kësaj edhe faktin se vetëm 4 gazeta ditore sigurojnë 80 % të tregut të medias së shkruar, kupton mirë se cili është niveli i përdorimit të 16 gazetave të tjera të përditshme në Shqipëri!?Këta tregues, të verifikuar profesionalisht, të japin idenë e plotë të gjendjes së sotme të shtypit në vendin tonë. Po le të mos mbetemi vetëm te statistikat dhe studimi trevjeçar i institucioneve studimore të mësipërme. Le ta shohim media-n si biznes, sepse ajo është e tillë.Biznesi, që vjen nga diversifikimi i portofolitNë të 20 titujt e medias së shkruar aktuale nuk gjen asnjë prej tyre të vetëfinancuar, pra që të sigurojë të ardhura dhe shpenzime të balancuara. Pavarësisht informalitetit në bilance, në punësim etj., pavarësisht borxheve të mbartura në vite ndaj shtypshkronjave, importuesve të letrës dhe studiove të dizajnit, pavarësisht nivelit të arkëtimeve nga shitjet, gazetat aktuale mbijetojnë për një arsye të thjeshtë: pronarët e tyre paguajnë mbijetesën duke rialokuar fonde të konsiderueshme financiare nga biznese të tjera rentabël, pra duke ulur normën e fitimit te bizneset fitimprurëse. Nuk kuptohet qartë se përse bëhet kjo, por argumentet e shprehura për ta përdorur shtypin si “kobure” ndaj qeverisjeve për më shumë përfitime individuale, nuk kanë ndonjë bazë ekonomike. Në Shqipëri, diversifikimi i portofolit financiar të botuesve të shtypit do të vazhdojë të ekzistojë për sa kohë informaliteti do të jetë “sheshit”, për sa kohë burimet e financimit nuk identifikohen dhe dukuritë e mashtrimit, evazionit dhe shmangies fiskale do të jenë evidente dhe vështirësisht të pakontrolluara nga entet shtetërore përgjegjëse. Kur kjo të mos ekzistojë, do të kemi një dukuri të re: Nuk do të kemi 20 të përditshme, por vetëm 4 ose 5 të tilla, të cilat do të përpiqen të balancojnë të ardhurat me shpenzimet. Por kjo do të dojë kohën e mjaftueshme, sikundër ka ndodhur në vendet rreth nesh, apo kudo në Perëndim.Pse kjo gjendje? Dhe disa zgjidhjeGjendja është e tillë, sepse, në ndryshim nga tregjet e tjera të ekonomisë së lirë, tregu i mediave të shkruara nuk ka funksionuar si i tillë. Ky treg është identifikuar si tregu më informal, që ka punuar gjithmonë me dy balance, që ka numrin më të madh të punonjësve të pasiguruar (që punojnë në të zezë) dhe kontributin më minimal në skemën e taksës së punës. Ky treg nuk është kontrolluar asnjëherë, sikundër kontrollohen të gjitha tregjet aktuale, për vetë specifikën që ka media, por edhe për faktin se qeverisjet nuk e kanë dëshiruar kundërvënien me “pushtetin e katërt” (përjashto selektivitetin, kur i është dashur qeverive për të bërë presion). Ky treg është kontribuesi më i vobektë në arkën e shtetit, jo se nuk ka dëshirë, por sepse është karakterizuar nga një treg me humbje të vazhdueshme financiare dhe me pamundësi të sigurimit të fitimit. Mbijetesa e tij nuk ka qenë asnjëherë e garantuar ekonomikisht, por ka qenë e stisur dhe e stimuluar nga interesa të çastit. Kjo ka qenë arsyeja kryesore (përveç nivelit të ulët të publicitetit), se përse asnjë investitor i huaj nuk i ofrohet investimit në median e shkruar shqiptare, sikundër ka ndodhur pothuajse në të gjitha vendet rreth nesh.Qeverive duket se iu ka interesuar ecja “me brekë nëpër këmbë” e shtypit të shkruar. Ato nuk kanë tentuar asnjëherë në 15 vitet e fundit të formalizojnë këtë treg, të formalizojnë burimet njerëzore që furnizojnë atë, apo edhe të ndikojnë me politika të veçanta fiskale për të stimuluar një treg të shëndoshë mediatik.Ana tjetër e medaljes: Edhe vetë aktorët e tregut të shkruar mediatik nuk kanë mundur të jenë imponues, për të siguruar incentiva në favor të biznesit të tyre. Vini re si hiqemi zvarrë nga njëri vit në tjetrin për të siguruar shpërndarjen e produktit “gazetë”. Sipas studimit të mësipërm, 68,9 për qind e ndjekin shtypin e shkruar nëpërmjet konkurrentit të tij më të ashpër, televizionit, por vetëm 16 për qind e tyre e blejnë atë. Media e shkruar nuk arrin të shpërndahet në më shumë se 70 për qind të territorit të vendit, duke sjellë humbje të konsiderueshme financiare, edhe nga ky shkak. Aktorë të njohur mediatike e menaxherë të media-s ia kanë kërkuar këtë qeverive, duke mos e kuptuar se kjo as që llogaritet si prioritet i qeverive, për shkaqet që përmendëm më lart. Vetë bizneset e medias së shkruar nuk kanë sot në dorë një studim për tregun e tyre, për (mos)performancën e tij, për nevojën e rritjes dhe zgjerimit të shpërndarjes dhe kostot e tij. Tentativat e disa viteve më parë për një treg unik distribucioni dështuan, duke ia lënë vendin krijimit të disa agjencive të keqmenaxhuara të shpërndarjes, që kanë kosto të lartë shërbimi, mungesë vizioni dhe cilësi të dobët. Nuk u tentua të krijohej një ndërmarrje unike, ku biznesi të financonte realizimin e shërbimit të distribuimit dhe qeveritë të siguronin të paktën mbulimin e interesave të kredive nga bankat për të siguruar asetet e nevojshme të kësaj ndërmarrjeje. Kjo do të ishte një rrugë e efektshme në fazën e parë të ngritjes së kësaj ndërmarrjeje me kapitale të përbashkëta të të gjithë të interesuarve, sipas tirazheve dhe nevojës për distribuim. Afërmendsh se qeveria do të krijojë ndërmarrje shtetërore të shpërndarjes së shtypit, por mekanizmat ekonomikë e financiarë mund e duhet të diskutohen!Brenda vetesVetë biznesi i shtypit të shkruar ka paguar “haraçin” e keqmenaxhimit. Do të isha dakord me shkaqet profesionale të krizës, që paraqet në analizën e tij z. Nazarko. Por jo plotësisht. Nazarko ka një përvojë nga dy gazetat e tij, që tashmë mungojnë në treg. Shkaqet gjenden më thellë. Nuk mbetet e keqja te “proletarët” apo “ushtarët e shtypit”. Këta të fundit duhet të orientohen në treg. Shefat e tyre, apo “gjeneralët e mesëm” dhe “gjeneralët e lartë”, siç i pëlqen t‘i thërrasë analisti Nazarko, mbetën “ala ke ura”. Ata vozitin nga një media te tjetra, pa mësuar një art të ri, përveç atij të “gjeneralit”, artin e menaxhimit të medias. Ata nuk iu “kundërvunë” televizioneve, internetit, forumeve “blog” etj., për t‘i orientuar “proletarët” te gjetjet e reja, produktet që shiteshin më mirë sesa lajmet televizive. Ata nuk shkuan asnjëherë tej “revistave televizive”, duke mos sjellë asnjë të re në shtypin e shkruar, përkundrejt kolegëve televizivë, që teknologjia moderne iu jep avantazhe audience. Pronarët e mediave vazhdojnë të riciklojnë këta “gjeneralë”, duke iu faturuar humbje miliona dollarësh bizneseve të tyre.Por diçka duhet të ndryshojë edhe në strukturën e mediave të shkruara. Konsumatorët presin më shumë nga gazetat, por edukimi i tyre nga media ka qenë disproporcional. Sondazhet tregojnë se 72 për qind e atyre që blejnë gazeta pohojnë se titujt lidhur me ngjarje politike i shtyjnë të blejnë një gazetë. “Gjeneralët” e shtypit të shkruar “harruan” të trajtojnë problemet më kryesore që shqetësojnë publikun, si ato që lidhen me buxhetin familjar, ekonominë personale e financat personale. Vini re: Gazetat kryesore nuk nxjerrin aspak apo nxjerrin rrallë në faqen e parë tituj ekonomike, ndërsa gazetarët e këtij profesioni numërohen me gishtat e njërës dorë.Sipas sondazhit të QKM, “lexuesit pohojnë se ata do të donin të gjenin më shumë informacion në të ardhmen për temat sociale dhe ato ekonomike”, por “gjeneralët” e sotëm të shtypit të shkruar janë inkompetentë për këtë fushë të rëndësishme.Reklama, tepër larg tirazheve me tre shifraNjë shkak tjetër që duhet evidentuar në këtë krizë potenciale të medias së shkruar ka të bëjë mungesën e reklamës. Biznesi i mirëmenaxhuar nuk mund të humbasë para dhe kohë duke promovuar produkte apo shërbime në një treg ku në 1000 njerëz, vetëm 20 lexojnë gazetë. Kjo është si t‘i hedhësh paratë në lumë! Po a duhet të sigurojë media e shkruar para edhe nga reklama? Nuk mund të ndodhë ndryshe! Nuk mund të ketë, të paktën në Shqipëri, media që siguron bilanc të balancuar vetëm nga shitjet e gazetës. Ajo duhet të shesë edhe sipërfaqe reklame. Por ajo mund të bëjë këtë më mirë se deri më sot, duke i ofruar biznesit jo vetëm sipërfaqe të paguar prej tij, por më shumë informacion, më shumë përvoja biznesi, më shumë akses në teknologjitë e reja të menaxhimit e të të bërit biznes, më shumë profile biznesi të suksesshëm etj., të cilat sot mungojnë. Sot tregut i mungon një media e shkruar ditore profesionalisht e pranueshme nga biznesi. Sot mungojnë treguesit e bursës ndërkombëtare të produkteve dhe shërbimeve, çmimet në tregjet rajonale e evropiane, ku bizneset shqiptare ushtrojnë veprimtarinë e tyre të sipërmarrjes. Një biznes mund të blejë gazetën dhe mund të reklamojë tek ajo, nëse vërtet gjen diçka të vlefshme për sipërmarrjen e tij. Nëse do të reklamojmë birrën te gazeta e birrës, pallatin te gazeta e pronarit të pallatit, supermarketin, te gazeta e pronarit të supermaketit, apo shërbimin e celularit te gazeta që mbahet me paratë e pronarit të celularit, e kemi davanë e humbur. Tregu është i cunguar, jo konkurrues dhe rrjedhimisht i dështuara.Ka dritë në fund të tunelit!?

Doemos! Pronarët mediatikë duhet ta vështrojnë produktin e tyre jo si “kobure”, por si çdolloj biznesi, që duhet të ekzistojë nëse siguron fitim dhe mban veten. Pronarët mediatikë duhet të largohen nga riciklimi i “gjeneralëve” dhe t‘u ofrojnë atyre punë e tituj mbi bazën e plan-biznesit të medias që zotërojnë. Siguron fitim dhe mbijeton në treg, je “general” i mirë, përndryshe shit banane! Pronarët e mediave të shkruara duhet të paguajnë bashkërisht realizimin e një studimi të tregut të mediave, për të parë ku janë dhe ku duhet të jenë. Milionat e hedhura deri më sot, edhe duke gënjyer qeveritë me evazion fiskal, do t‘iu dhimbsen një ditë. “Bosët” nuk do të jenë të tillë në fushën e medias, nëse nuk i ofrojnë tregut të ri mediatik, atë që kërkon koha, të ndryshme nga ajo që ofrojnë sot, të pakonkurrueshme nga aktorët e tjerë mediatikë, si televizionet dhe madje, nëse nuk investojnë vetë në burime të spikatura njerëzore në fushën e medias, të ndryshme nga “riciklimet” e gjeneralëve dhe madje larg produkteve gazetareske të disa shkollave të profilit në Shqipëri që spikatin nga cilësia e të paqenit shkollë gazetarie. Po për televizionet? As që mund të mendohet se kanë më pak probleme se media e shkruar, por aktualisht kanë më shumë para. Edhe pse me balance ekonomike negative.

Botuar ne “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

26 Gusht 2008 më 9:02 am

Kur shtypi i pervidhet misionit te vet  

Mustafa Nano

Në datën 16 gusht u bë përurimi i serisë së debateve të garës presidenciale në SHBA midis kandidatëve John McCain e Barack Obama. Ky debat, që u zhvillua në një mjedis fetar (në një kishë gjigande të Kalifornisë) e që u moderua nga Rick Worren (një nga ata pastorët amerikanë, që nuk kënaqen me funksionin e tyre fetar, por synojnë të ushtrojnë edhe funksione të natyrës civile e politike; shembull për këtë tip pastori është i famshmi Billy Graham), ky debat pra nuk kish një formë klasike. McCain e Obama u shfaqën njëri pas tjetrit e jo përballë njëri-tjetrit; ata megjithatë iu përgjigjën pyetjeve të njëjta, të cilat nga njëra anë synonin të zhbirilonin në konstitucionin moral e fetar të aspirantëve presidencialë, nga ana tjetër synonin të nxirrnin në shesh botën e vlerave dhe prerjen prej leader-i të secilit syresh.Ky ballafaqim i një forme të tillë ishte një gjë e bukur për t‘u parë. Spektatorët e atjeshëm ishin të zgjedhur me kujdes, dhe pikërisht ky fakt, tok me llojin e pyetjeve që u bënë nga moderatori, impononin përgjigje të çlirta e të sinqerta e një qasje të përunjur. Kush ka mundur ta ndjekë, ka pasur rast të shohë një McCain e një Obama të ndryshëm, tepër të kujdesshëm, gati të ndrojtur, e të çarmatosur prej arrogancës fiziologjike që u jep statusi i rëndë i kandidatit për President në SHBA e prej tundimit për të luajtur me pakëz demagogji apo populizëm. Ishin aq të sinqertë, sa nuk i bënin asnjë përdredhje gjuhës edhe kur ju duhej të flisnin për plasaritje të natyrës etiko-morale në qënien e tyre, për qasje të qortueshme të kombit amerikan përgjatë historisë së vet prej superfuqie planetare, e për përvoja të dhimbshme apo të trishtuara personale, siç janë ngasja ndaj drogës në të ritë e tyre (Barack Obama) e martesa e gabuar apo e palumtur (John McCain). Brenda asaj kishe të transformuar në një studio televizive u krijua një klimë aq e shkriftuar dhe ekspansive, sa nuk do të ishte çudi që McCain e Obama t‘u jepnin përgjigje edhe pyetjeve që do të kishin të bënin me sekretet e seksualitetit apo me kthina të fshehta e intime të personalitetit të tyre. Por afërmendsh, pyetje të tilla nuk u bënë.E gjithë kjo shfaqje u transmetua edhe në frekuencat europiane të CNN-it. Menjëherë më pas, përmbajtjen e këtij debati mund ta gjeje në të gjitha site-t kibernetikë të të gjithë operatorëve të rëndësishëm mass-media-tikë. Ndërsa të nesërmen nuk kish gazetë që të mos fliste lidhur me këtë ngjarje. E megjithatë, gazetat shqiptare nuk i kishin kushtuar vëmendje. Vetëm njëra sosh e kish parë me vend të thoshte dy fjalë, por këto dy fjalë i thoshte në mënyrë të tillë, sa do të ish më mirë t‘i bashkohej heshtjes së të tjerave. Në qindra faqe të shtypit të përditshëm të Tiranës mund të informoheshe lidhur me divorcet e VIP-ave të Shqipërisë, mund të informoheshe mbi të gjitha krimet e kundërvajtjet penale në Republikën e Shqipërisë, mbi keqtrajtimin policor që kish gjetur një dasmor i dehur, mbi shtatzaninë e supozuar të një prej pjesëmarrëseve në lojën televizive Big Brother, mbi kureshtira që të hapin barkun nga jeta e “divave” shqiptarë të spektaklit, televizionit e sportit, mbi qëndrimin shumë kritik të Partisë Demokristiane ndaj mazhorancës qeverisëse, etj, etj. Ndërsa lidhur me këtë debat asnjë fjalë.Unë e di që mund të ketë njerëz, të cilët s‘e kanë për gjë të pyesin: “E po ç‘dreqin humbën lexuesit e teleshikuesit shqiptarë, të cilët mbetën pa u informuar lidhur me këtë ngjarje? Për ç‘dreqin u duhet ky informacion në fund të fundit? Boll kemi hallet tona”. Së pari, gazetat tona nuk është se e lanë pas dore këtë informacion, ngaqë kanë qenë të pushtuar nga ankthi i zhvillimeve apo i halleve shqiptare (e thashë më sipër, se cili ishte informacioni i gazetave të nesërmen e atij debati). Së dyti, edhe sikur të ish e vërtetë që gazetat shqiptare fokusohen në mënyrë këmbëngulëse e të thelluar tek problemet e brendshme, mbetet prapë e pafalshme që ato të injorojnë disa zhvillime ndërkombëtare, të cilat përveçse përbëjnë lajm, përcjellin edhe mesazhe të caktuara të rëndësishme, të cilat diku mund të kenë një funksion edukativ e formues, e diku tjetër funksionin e një brain-storm-i. Shfaqja në fjalë i kish që ç‘ke me të këto funksione, pasi pikërisht aty përcillej mesazhi se politikanët, përpara se të zgjidhen, duhet t‘i nënshtrohen një shqyrtimi të imtë e publik të vlerave që bartin, duhet të na dëshmojnë neve se ata janë me integritet të plotë moral e psiko-mental, se ata nuk dinë të gënjejnë, se ata mbajnë përgjegjësi për gjithçka kanë bërë në këtë botë, se ata kanë për detyrë të shpjegojnë e justifikojnë të gjitha veprimet, mosveprimet, zgjedhjet e refuzimet që kanë bërë, se koherenca në jetën e tyre sociale e në karrierën e tyre politike duhet të jetë e palënduar (në mos, duhet të shpjegohen deri në një të gjitha kërcimet prej pelivani nga një qëndrim në tjetrin), e kështu me radhë.Përveç kësaj e përtej kësaj ngjarjeje konkrete, shtypi shqiptar, edhe kur i ikën qasjes e logjikës parokiale, nuk ndillet nga lëvizja e mendimit dhe e ideve nëpër botë, por ndillet nga lajme totalisht rozë. Kjo është arsyeja që shqiptarët dinë mirë se çfarë prapësish ka bërë Paris Hilton, por nuk dinë fjala vjen se kush është - le të mbetemi tek një emër i përmendur më sipër - Billy Graham, dinë se kush është gruaja e Fabio Briattore-s, por nuk dinë se cili është libri i fundit i Umberto Eco-s, dinë se sa vila ka zengjini rus Abrahamoviç, por nuk dinin se Sollzhenitsyn-i ishte gjallë deri para nja dy javësh, etj, etj. Dhe nuk është faji i shqiptarëve që nuk i dinë këto gjëra; është faji i shtypit, i cili më kollaj e më të udhës e ka t‘i marrë për herë të n-të një intervistë Zani Çaushit, se sa të përkthejë një intervistë të Kissinger-it.Si është e mundur? Nuk kemi arsye të befasohemi. U bë kohë tanimë që shtypi shqiptar po rend turravrapthi drejt një tabloid-izimi të neveritshëm, e në këtë mes kemi një ndërthurje të një qasjeje voyeur-iste (kjo është logjika e një tabloid-i) me një tendencë të kërkuar për të goditur e pickuar me shigjeta helmi e ligësie njerëz, që nuk kanë marrëdhënie të ngrohta me një gazetë të caktuar apo me gazetarë, redaktorë e kryeredaktorë të caktuar. Të cytur prej idesë se lexuesi shqiptar i gazetave është një përtac i paditur, dhe të bindur se këtij lexuesi i vinë pas midesë vetëm lajme e rubrika të kronikës rozë e të zezë, të përditshmet shqiptare i janë dorëzuar më në fund e për fare modës së tabloid-eve. Edhe gazeta “Tema”, e cila në origjinën e në traditën e saj ka scoop-in politik e zhbirilimin maniakal në të gjitha lojrat politike (në arsyetimin që po bëj nuk po i hyj diskutimit mbi nivelin apo korrektesën profesionale, të cilat janë shtënë në punë për këtë qëllim), ka zënë të mbushë një numër faqesh me “lajme” të sajuara mbi foto paparacësh të ngeshëm.Tabloidizimi deri në këtë farë feje i shtypit shqiptar është dëshmi e mungesës së respektit për ata lexues, për të cilin shtypi ka lindur e ekziston, dëshmi e mungesës së respektit pra për ata lexues që e marrin gazetën me shpresën se do të gjejnë aty pulsin që rreh të një shoqërie të tërë, të një kombi të tërë, për ata lexues që duan e duhet të up-date-ohen jo vetëm me ndodhitë e një dite më parë, por edhe me lëvizjen e vibrimin e ideve, vizioneve, modeleve, projekteve, shpresave, dyshimeve, frikërave, të cilat kushtëzojnë zhvillimin e shoqërisë njerëzore, për ata lexues që duan një frymëmarrje të re, të cilën nuk mund ta gjejnë aq sa duhet në provincën me emrin Shqipëri, për ata lexues më në fund, të cilët së toku përbëjnë opinionin publik. Epo, le ta themi troç: shtypi shqiptar, kështu si është apo si është katandisur, as nuk krijon dot një opinion publik, as ka nevojë për një opinion publik, as nuk mund ta ndjellë opinionin publik (kuptohet, nëse do të ekzistonte). Ky shtyp, së bashku me politikën klienteliste e nepotike shqiptare, janë duke krijuar një klimë kombëtare, në të cilën - kjo është një frazë që një gazetar i huaj e përdorte këto ditë, teksa fliste për opinionin publik në Siri - ata që dinë nuk flasin e ata që flasin nuk dinë.Doni një provë tjetër, që tregon se shtypi shqiptar nuk e ndjek lajmin ashtu si duhet? Gjatë gjithë ditës së martë, mjedisi politik amerikan ishte në vlim të plotë prej lajmit, se Tom Ridge, ish-guvernatori i Pensilvanisë, mund të jetë zgjedhja e McCain-it për postin e zv.Presidentit. Të mërkurën, asnjë gazetë e jona nuk fliste lidhur me këtë gjë. Dhe kjo është shumë e çuditshme; është e çuditshme, jo për faktin që bëhet fjalë për postin e zv.Presidentit amerikan (kjo po se po), por sepse njeriu i propozuar për këtë post nga kandidati presidencial amerikan e ka emrin Tom Ridge, alias miku për kokë i Sali Berishës.Ja pra, kjo është një dëshmi tjetër e natyrës provinciale dhe non-chalant-e të atij shtypi, që në rastin më të mirë mund të kalohet i tëri nëpër duar për 30 minuta; e që në rastin më të keq mund të kalohet nëpër duar për aq kohë, sa kërkohet për shfletimin mekanik të disa qindra faqeve. Ky është shtypi shqiptar. Gjynah!

Post-scriptum: Ky është një vështrim i bërë mbi shtypin shqiptar me sytë e një insider-i. Dhe nuk është hera e parë që e bëj këtë. Mund të gjykohet si një gjë jo e udhës, që një insider të fshikullojë botën e vet, por do doja që komenti im të mos merrej për një fshikull; përkundrazi, do doja të merrej si një ftesë për debat lidhur me problemet e kësaj botës sonë, e cila po degradon gjithmonë e më shumë. Po degradon aq shumë, sa nuk është çudi të vijë një ditë, në të cilën çdo njeri që ka pak respekt për veten, të mos e marrë më mundimin të shkruajë në (të bashkëpunojë me) shtypin shqiptar. Merret vesh që kjo ditë - larg qoftë! - do të shënojë mirëfilltazi përurimin e epokës, në të cilën ata që dinë nuk flasin e ata që flasin nuk dinë.

Botuar në “Shqip”

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

26 Gusht 2008 më 9:00 am

Scoop-i i Gazeta Shqiptare me divorcet, shkelje e privatësisë  

Suplementi i “Gazeta Shqiptare”, botoi sot një scoop të vërtetë në suplementin e saj “Summer Pages”. Artikulli, i cili në fakt nuk është aspak i tillë, por një listë e gjatë dhe e mundimshme emrash të renditur keq, paraqet emrat e bashkëshortëve dhe bashkëshorteve që kanë bërë padi në Gjykatën e Tiranës, por zgjidhje martese apo divorc, që nga janari deri në fund të korrikut 2008. Emrat publikohen të plotë ndërsa titulli që lajmëron këtë 2-faqësh suplementi, është reklamuar me gërma të mëdha në faqe të parë: Bum divorces në Gjykatën e Tiranës. Togat e zeza kanë firmosur më shumë se 400 padi për zgjidhje martese, ÇIFTET E DIVORCUARA, QYTETARËT QË I JANË DREJTUAR GJYKATËS BRENDA 6 MUAJVE PËR ZGJIDHJE MARTESE”!

Zakoni e do që derisa po flasim për një material të tillë të bërë publik, atë duhet ta sjellim këtu tek “Kusarët”, në mënyrë që kushdo të jetë i lirë të krijojë një mendim. Mirëpo pikërisht për shkak se ky postim, është shprehja e një qëndrimi kategorik kundër publikimit të emrave, materialin scoop të bërë publik nga GSH-ja, nuk po e sjellim këtu, çka mendojmë se do tu shkaktonte akoma më shumë dëm, atyre qytetarëve dhe qytetareve, që pasi nuk patën fatin e një martese normale, tanimë emrat u bëhen publikë duke i shpallur publikisht si njerëz të divorcuar. Dhe derisa hapësira e një gazete të tërë nuk mjafton për të analizuar objektivisht shkaqet e 400 divorceve, gjithë ata qytetarë dhe qytetare emrat e të cilëve janë bërë tashmë publikë, mund të etiketohen tashmë si tradhtarë, pa karakter, të pa përshtatshëm apo ku dimë ne çfarë. Mendojmë se ky është një sembull i keq nga i cili nuk vuan vetëm Gazeta Shqiptare, por e gjithë gazetaria shqiptare. Një publikim i tillë mendojmë se është në shkelje të privatësisë, të të drejtave të njeriut dhe si i tillë, nuk duhet të shikohet si një material komerci dhe as si një mundësi për të mbushur dy faqe gazetë, që keqtrajtojnë plot 400 çifte dhe 800 persona.  

Ky artikull ka

3 komente

Nga kusaret

5 Gusht 2008 më 8:08 am

Athina e zbrazur dhe shtypi bosh  

Nga njëra anë po pëlcas xhelozie, duke parë që mungojnë të gjithë nga Athina me pushime dhe unë nuk mundem të iki. Nga ana tjetër, ka një qetësi të lakmueshme. Në Gusht Athina është …ta pish në kupë. Kam dhe kohë të bollshme për të lexuar. Lexoj të gjitha gazetat me radhë. Fillimisht ato greke( rast i mirë për ndonjërin tani të më thotë që jam asimiluar) dhe pastaj ato shqiptare. Të them të vërtetën, i kuptoj plotësisht miqtë e mi grekë kur ankohen për nivelin e shtypit vendas. Ka mjaft …mëkate dhe boshllëqe. Mirëpo, miqtë e mi, nëse e krahasojmë me atë të Shqipërisë, do besoni se lexoni përditë …New York Times! Në shtypin shqiptar, kanibalizmi është elementi mbizotërues. Flasim për përçartje totale. Akoma dhe nëse i biri kundërshton të atin për të çuar gomarin për ujë, në gazetë do shkruhet, jo vetëm emri dhe mbiemri i tij, por edhe me nënvizimin : i riu filan kriminiel, ja hipi babait në vend të gomarit! Çdo ditë, dridhem nga frika se mos shoh në faqen e parë time më’ të quhet …kriminiele e të shoqit që e ka lënë pa ujë 38 ditë dhe duhet të dënohet me burg të përjetshëm! Nëse ka një profesion në Shqipëri, që me të vërtetë çdo ditë nëpërkëmbet, është gazetaria. Asnjë kufi dhe asnjë respekt për të drejtat e personit. ASNJË! Mirëpo, do më thuash, dhe me të drejtë, si të respektoj shtypi kur akoma dhe brenda Parlamentit, vetë Kryeminstri apo Kryeparlamentarja përdorin fjalorin më banal e rrugaçëror që, dëgjojnë muret dhe skuqen nga turpi?! E kisha fjalën për shtypin. Papërgjegjësi dhe shkel e shko. Sado që më dhimbset e ligështohem, duhet pranuar e vërteta. Ka dhe në Greqi gazeta që, po ti zësh me dorë ndotesh (jo nga letra), por akoma dhe këto, krahasuar me “seriozet” e atdheut , ngjajnë me biblën. Nuk di nëse ka shpresë por, frikë kam se i vetmi vend që, në vend që të bëj hapa për t’u afruar me Perëndimin, ecën me vrull pas, është vendi im. Përse, djallin, ky mallkim?! Dhe shtypi është pasqyra e shoqërisë. Një ditë, kam për të shkruar edhe për shtypin shqiptar të Athinës. Meqë pjesë e këtij shtypi jam dhe unë. Këto për sot. Po shkoj në ballkon tani. Nuk dëgjohet asnjë makinë. Kanë ikur të gjithë…

“Kusarët” falenderojnë autorin e shrimit N.Ago, i cili lejoi publikimin e artikullit në këtë blog, pas postimit të tij online tek: http://www.agonek.blogspot.com

Ky artikull ka

4 komente

Nga kusaret

3 Gusht 2008 më 3:00 pm

1498 faqet e vizituara, 3 sot
809 vizita, 3 sot