Kusaret

Analiza, komente e studime per median

Përse kaq bujë, për vrasjet me sëpatë!!!  

E lexova artikullin që vijon më poshtë dhe u rreka të gjej ndër rreshta një mesazh apo një artikulim që shkon në drejtim të parandalimit të krimeve të tilla makabre. Por nuk munda të gjej asgjë të tillë, përveçse përshkrimeve horror, publikimit të emrit të viktimave dhe rikthimit në vëmendje e bujës për ngjarje të rënda të ndodhura muaj më parë që na shfaqen sërish…nuk e di me çfarë shkaku. Cila është dobia e një artikulli të tillë për lexuesin, nëse mbushja e një faqeje ka qenë dobia e vetme për gazetën?!!!

TITULL: Nëntë hapësit e kokave me sëpatë

 Vrasjet më makabre të kryera gjatë vitit të fundit kanë pasur të gjitha të përbashkët sëpatën dhe kartelën e psikiatrisë së autorëve. Vetëm dy autorët e vrasjes së Paskuqanit të dy ditëve më parë ende nuk “gëzojnë” kartelë TIRANË - Vrasjet më makabre të kryera muajt e fundit kanë pasur dy emërues të përbashkët: sëpatën dhe kartelën e psikiatrisë. Nuk do të ishte aspak e habitshme nëse arrestimi i dy autorëve të vrasjes makabre të dy ditëve më parë në mes të zonës së Paskuqanit në Tiranë, ku një 27-vjeçar mbeti viktimë e goditjeve të njëpasnjëshme me sëpatë, t’u bashkëngjiten shtatë kriminelëve të tjerë të sëmurë psikikë, të cilët kanë marrë jetë njerëzish me mjetin prerës primitiv.Ngjarja e ndodhur të shtunën në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, ku Shukri Damzi dhe Arben Doçi vranë gjakftohtë Ervis Sapajn vetëm për një vend parkimi, shënon rastin e tetë të ekzekutimeve me sëpatë pas koke. Ndërkohë që të shtatë të tjerët, që kanë vrarë apo kanë tentuar që të vrasin me sëpatë, janë cilësuar që të gjithë të sëmurë mendorë. Një pjesë e tyre janë vërtet të tillë, por për një pjesë ka ende dyshime të forta nga familjarët e viktimave. Vështirë të mund të imagjinosh se çfarë kalon në kokën e këtyre personave kur marrin sëpatën, e bashkë më të edhe guximin për të vrarë dikë. Rreziku i psikikëve në shtëpi është bërë alarmant gjatë vitit të fundit, ku janë shënuar minimalisht tetë ngjarje të rënda dhe të dhunshme, në kufijtë e barbaritetit.Por mungesa e një kontrolli të rreptë ndaj tyre dhe lënia në liri të plotë, sikur të ishin të shëndetshëm mendërisht, ka nxirë shifrat e viktimave që janë ekzekutuar barbarisht prej tyre, që të gjithë të vrarë me goditje precize sëpate pas koke.Sëpatë pas koke…Mjet lashtësie dhe mënyrë shtazarake ekzekutimi. Sëpata ka sjellë shtatë viktima dhe një të plagosur rëndë brenda një viti. Vrasjet me sëpatë shënojnë në total tetë raste në rrethe të ndryshme të Shqipërisë, kryer nga të ashtuquajturit persona me probleme të rënda psikike. Rasti më i fundit i ekzekutimit me sëpatë ndodhi të shtunën, kur dy persona të shëndoshë mendërisht dhe krejt gjakftohtë, të shpallur tashmë në kërkim, vranë një 27-vjeçar vetëm për një vend parkimi. Ngjarja ndodhi në mes të ditës, në qendër të Paskuqanit, kur Ervis Sapaj humbi jetën si pasojë e plagëve nga goditjet shtazarake me sëpatë nga Shukri Damzi dhe Arben Doçi, bashkëmoshatarë të tij. Por rasti i të riut, i cili u vra për shkaqe krejtësisht banale, nuk është i vetmi. Në precedentët e mëparshëm të këtij viti, persona me probleme psikike kanë vrarë të afërm të tyre për arsye nga më banalet. Vëllai ka tentuar të vrasë motrën, se kjo e fundit nuk i dha lekë që të shkonte e të pinte raki; vëllai ka vrarë vëllanë barbarisht, se viktima u martua përpara tij, edhe pse në moshë të vogël. Burri ka vrarë gruan, sepse sëmundja e rëndë e depresionit nervor i kishte krijuar fiksimin fatal se ajo e tradhtonte, dhe për këtë arsye duhej medoemos që të vdiste, për të vënë në këtë mënyrë në vend nderin e familjes, i cili ekzistonte vetëm në mendjen e autorit, i sëmurë mendor.PrecedentëtRasti i parë për këtë vit u shënua në qytetin e Elbasanit. Bardhyl Haka, 42 vjeç, ka vrarë me një sëpatë në kokë baxhanakun e tij, Nevruz Mëhilli, 40 vjeç. Pasi kishin marrë pjesë në një ceremoni mortore, dy baxhanakët ishin ulur të pinin kafe, kur Haka nxjerr sëpatën që mbante të fshehur dhe vret baxhanakun. Në momentet pas ngjarjes, u dyshua se sherri ka qenë krejtësisht banal. Por pas hetimeve të mirëfillta, rezultoi se 7 muaj para ngjarjes kishte pasur një grindje mes tyre, për arsye xhelozie. Autori pandehte se baxhanaku dhe gruaja e tij kishin një lidhje intime bashkë, dhe pa si mundësi të vetme vrasjen e tij. Në qytetin e Beratit, në 29 janar të këtij viti, Kastriot Gorani, 29 vjeç, qëlloi për vdekje disa herë me sëpatë në kokë të vëllanë 25-vjeçar, Durimin, i cili do të martohej 10 ditë më pas. Xhelozia e ardhur si pasojë e sëmundjes së rëndë nervore, shkaktoi tragjedinë në familjen Gorani, e cila në atë mëngjes të ftohtë dimri bëri mortin e djalit të vogël të shtëpisë, që së shpejti do ta bënin dhëndër. Ngjarja bëri bujë, pasi menjëherë pas tragjedisë, familjarët e tjerë akuzuan mjekët, të cilët duhet të kishin mbajtur në spital e të kishin izoluar Kastriotin, i cili njihej si i sëmurë mendor, pasi prej kohësh kishte kartelë psikike. Mosmarrja e ilaçeve e kishte kthyer kohët e fundit agresorin në person tepër të dhunshëm. Më 29 prill të këtij viti, një “vrasje e mbetur në tentativë” shënohet në fshatin Baldushk të Tiranës. Nexhip Salla qëllon me sëpatë pas koke fqinjin e tij, Veiz Qosja, 45 vjeç. Shkak për konfliktin mes tyre sipas policisë, ka qenë një mosmarrëveshje që kanë pasur më parë fëmijët e tyre. Zënka duket se ka filluar për motive pronësie dhe kishte mbetur e pazgjidhur prej kohësh. Në 8 maj të këtij viti, në autostradën Tiranë- Durrës gjendet i vdekur poshtë mbikalimit të Kasharit 36-vjeçari Altin Hoxha. Babai i dy fëmijëve, roje i një objekti privat, u gjet rastësisht orët e para të mëngjesit të asaj dite nga një komshiu i tij. Policia, pas hetimeve të bëra, raportoi zyrtarisht se vdekja kishte ardhur si pasojë e një goditjeje fatale me sëpatë pas koke, nga persona edhe sot e kësaj dite ende të paidentifikuar. Si pistat kryesore të hetimit ishin borxhe të vjetra, sherri për ndonjë femër ose një grindje banale e momentit. Në 4 korrik të këtij viti, një emigrant në Greqi qëllon gruan për vdekje me sëpatë në kokë, pasi dështoi vetëvrasjen. Lazam Tafa, 43 vjeç, nga Dibra, ekzekuton gruan e tij 38-vjeçare, Vilen, në momentin që tre fëmijët e tyre ishin ende në gjumë. Edhe pse nuk kishte kartelë mjekësore, ai njihje nga të gjithë si person i dhunshëm, nga i cili ishte “infektuar” në emigrim. Gjatë procesit gjyqësor ndaj tij u kërkua që ai të trajtohej si i sëmurë mendor. Ndërsa në 12 korrik të këtij viti, vetëm disa ditë më parë, 27-vjeçari Marash Doda, i sëmurë psikik, qëllon me sëpatë pas koke motrën e tij 25-vjeçare. Luljeta Doda është qëlluar barbarisht, pasi nuk ka pranuar t’i jepte vëllait të sëmurë lekët për të pirë alkool. Edhe pse plaga ka qenë e rëndë, vajza e re ka shpëtuar. Ndërkohë që një vit më parë, 47-vjeçari durrsak me çrregullime mendore, Ismail Dulla, qëllon për vdekje me sëpatë nënën e tij 67-vjeçare, Sanien. Pasi e ka qëlluar disa herë me sëpatë të ëmën, e ka lënë atë të zhytur në një pellg gjaku, duke u larguar për në Tiranë, ku është arrestuar pas disa ditësh. Çrregullime mendore si pasojë e një depresioni, ka qenë “justifikimi” i vrasjes makabre të së ëmës së moshuar. KronologjiTetë rastet e ekzekutimeve me sëpatë 15 gusht 2007Ismail Dulla, 47 vjeç, vret nënë e tij 67-vjeçare, Sanien, me sëpatë në kokë. 17 janar 2008Bardhyl Haka, 42 vjeç, vret me sëpatë pas kohe baxhanakun e tij, Nevruz Mëhillin, 40 vjeç. 29 janar 2008Kastriot Gorani, 29 vjeç, vret të vëllanë 25-vjeçar, Durimin. 29 prill 2008Nexhip Salla, nga fshati Baldushk i Tiranës, qëllon me sëpatë fqinjin e tij, Veiz Qosja. 8 maj 2008Persona të paidentifikuar edhe sot vrasin me sëpatë pas koke 36-vjeçarin Altin Hoxha. 4 korrik 2008Lazam Tafa, 43 vjeç, vret me sëpatë gruan e tij, Vilen, 38 vjeçe. 12 korrik 20Marash Doda, 37 vjeç, godet me sëpatë në kokë të motrën, Luljeta Doda, 25 vjeçe, pasi ajo nuk i dha 500 lekë të reja për të pirë raki. 19 korrik 2008

Shukri Damzi, 27 vjeç, dhe Arben Doçi, 26, vrasin me sëpatë pas koke 27-vjeçarin Ervis Sapajn.

Artikulli është publikuar më 21 korrik 2008, në gazetën “Korrieri” që botohet në Tiranë

(Dedectiv), bashkeautor i faqes.

Nga kusaret

23 Korrik 2008 më 3:15 pm

Komento




1498 faqet e vizituara, 3 sot
809 vizita, 3 sot