RD-ja dhe perdorimi i medias si “kobure”
Pata durimin ta lexoj deri në fund këtë artikull të gazetës RD, organi mediatik zyrtar i Partisë Demokratike në pushtet, vetëm dhe vetëm prej kuriozitetit për të parë deri ku arrin përdorimi i saj dhe për të kuptur gjithashtu, qëndrimin real të Qeverisë, ndaj grevës së filluar prej pesë ditësh, nga ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Shumë prej tyre janë plagosur, të tjerë janë gjymtuar, ka nga ata me prona e pasuri të dëmtuara apo ndonjë prej tyre, sot është duke rrojtur me borxhe për shkak të shpenzimeve për mjekimin. Grevistët i kanë shkruar Qeverisë dy herë radhazi, duke pranuar se kanë marrë 1 milionë lekë dëmshpërblim, të cilat nuk mjaftojnë, sepse ata kanë nevojë përsëri për trajtim mjekësor, nuk punojnë dot që të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre dhe askush nuk është kujdesur për dëmshpërblimin e pasurive të tyre. Disa prej punëtorëve kanë pësuar plagosje, të tjerëve u janë shkatërruar makinat që kishin parkuar rreth “fabrikës” së çmontimit në momentin kur ndodhi tragjedia më 15 mars 2008.Gjithsesi, gazetari i RD-së, shkruan se ka qenë në Vorë, ka folur me një banor të zonës, i cili për shkak të rëndësisë së veçantë të asaj çfarë thotë, nuk ka pranuar të identifikohet. Më pas, gazetari citon një grumbull me dokumente të Bashkisë Vorë, e cila natyrisht, nëse gazetari ka qenë aty, i ka hapur dyert njeriut që shkonte nga gazeta e Partisë, për të thënë të vërtetën. Ky është rasti i parë kur shikoj të pretendohet realizimi i një investigimi me dokumente të ofruara prej vetë personave që janë nën akuzë dhe të publikuara më pas në mënyrë të njëanshme e me pompozitet nga gazetari i bindur i partisë.RD-ja, pretendon se kryetari i grevës, i cili natyrisht si organizator i protestës që po portretizohet si antiqeveritare është mëkatari më i madh, pra ai, ka qenë në Amerikë deri në janar 2008. Çfarë pastaj? Sikur një ditë para se të ndodhte tragjedia, të kishte filluar punën në Gërdec ky njeri, ditën që ndodhi katastrofa, ka qenë aty. RD-ja pretendon më pas se ka dokumente që tregojnë se pjesëmarrësit në grevë, nuk kanë qenë punëtorë të fabrikës!!! Po mirë, kanë qejf të rrinë pa ngrënë këta njerëz, apo duan të bien në sy? Na thoni si është kjo punë. E bukura vjen më pas. RD-ja thotë se grevistët e kanë marrë njëherë dëmshpërblimin, duke nxjerrë kështu në dritë të diellit, grevën e padrejtë e të paligjshme të pretenduar nga gazeta qeveritaro-partiake. Po mirë, nëse këta njerëz e kanë marrë dëmshpërblimin dhe nëse citoni dokumente me data e numra protokolli, përse thoni pastaj se grevistët nuk kanë qenë punëtorë në Gërdec?!!! Në çfarë cilësie u dha dëmshpërblim Qeveria dhe Bashkia Vorë, duke përdorur taksat e qytetarëve?!!!Ky mbase është një nga ato raste, kur përdorimi mediatik duhet të konsiderohet i dënueshëm edhe në rastin kur media është partiake. Kjo gjithsesi tregon kulturën e sjelljes së medias në Shqipëri, më saktë përdorimin e saj të rëndomtë si “kobure”.
Artikulli më poshtë:www.rilindjademokratike.com
Nga tetë personat që kanë hyrë në grevë, vetëm njëri ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit
Mashtrimi me Gërdecin, tërhoqi 37.1 milion lekë dhe u fut në grevë urie
Një prej grevistëve të urisë në Vorë, Albin Nexhaj ka tërhequr nga shteti shumën e 37.1 milionë lekëve për të cilën ka rënë tërësisht dakort dhe ka firmosur në Bashkinë e Vorës dhe më pas është futur në grevën e urisë duke deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga dëmi i pësuar nga shpërthimi në Gërdec. Nga dokumentat që disponon Bashkia Vorë rezulton se, vetëm një grevist ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Nga 8 grevistë që janë aktualisht, vetëm 4 janë banorë të Bashkisë Vorë. Kryetari i shoqatës “punëtorët e Gërdecit”, Andi Belliu, rezulton se ka qenë në SHBA, deri në muajin janar të këtij viti. Më pas, ai ka ardhur në Shqipëri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në fabrikën e demontimit në Gërdec. Madje, ai as nuk e ka ditur se në Gërdec ka pasur fabrikë demontimi, nuk ka qenë me asnjë protestë që banorët kanë zhvilluar, pranë Bashkisë. Kjo është vërtetuar dhe nga punonjësit e tjerë, si dhe nga dokumentacioni përkatës i firmës. “Aludimet që kanë dalë në media nuk janë të vërteta”, shprehet një banor pranë vilës të grevistëve. “Të gjithë ata nuk kanë qenë punëtorë në fabrikë, po të kenë qenë kanë dokumente që e vërtetojnë”, shprehet një ish-punëtor në fabrikën e Gërdecit. Ai tha se, në fabrikë ku merrnin rrogat ka pasur një bordero dhe rroga jepej me faturë, por ata nuk figurojnë gjëkundi me përjashtim të njërit. Ish-punëtori nuk pranoi të identifikohej, por pranoi se gjatë periudhës që ka punuar asnjërin prej tyre nuk e ka pasur koleg. Grevistët, sipas shefit të kabinetit pranë Bashkisë Vorë, Subi Përzhilla, janë shpërblyer sipas premtimeve të dhëna nga qeveria dhe Bashkia. Të gjithë punëtorët kanë marrë shumën prej 1 milion lekë të vjetra të akorduar nga qeveria. Të gjithë ata që kanë humbur jetën në aksidentin teknologjik kanë marrë shumën prej 20 milion lekësh të vjetra për person. Shpërndarja e tyre është bërë sipas Përzhillës kohë më parë. Ai pohoi se, shumica prej grevistëve nuk janë banorë të Bashkisë Vorë. Një nga pikat që grevistët ia kanë dërguar qeverisë është dhe pagimi i siguracionit siç ishte rënë në ujdi me firmën “Albademil”. Punëtorët e fabrikës sipas vendimit numër 348, datë 1.4.2008 thuhet: dhënie e një ndihme të menjëhershme financiare, në masën 50.000 lekë të reja për çdo punëtor, i cili më 15 Mars 2008, datë kur ndodhi aksidenti teknologjik, ka qenë i pranishëm në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Po kështu, me një vendim dhe një urdhër tjetër, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe e Shanceve të Barabarta, i ka akorduar Bashkisë Vorë, në degën e Thesarit në Tiranë fondin në masën 6.950.000 lekë. Ky fond është dhënë në kodin e Bashkisë Vorë nr. 2165001, Art. 604.01. “Transferim tek organet e Pushtetit Vendor”. Ky fond të përdoret si ndihmë për të financuar punonjësit që kanë qenë të pranishëm më datë 15.3.2008 në fabrikën e demontimit në Gërdec. Masa e ndihmës për njeri është 50.000 lekë të reja për person. Në bazë të këtyre urdhërave të nxjerra nga institucionet qeveritare, çdo punëtor e ka përfituar shumën që ka rënë dakord me autoritetet dhe kreun e ekzekutivit. Nga 37 persona që kanë firmosur peticionin për të hyrë në grevë urie për plotësimin e kërkesave, pas arsyetimit dhe bindjes së tyre për kërkesat absurde 29 firmëtarë janë tërhequr, dhe në grevë kanë hyrë vetëm 8 persona, që kanë vetëm probleme periferike me shpërthimin teknologjik të Gërdecit.
Bashkia Vorë: Asnjë nga grevistët nuk ka para pa marrë
Nga zyrat e Financës pranë Bashkisë Vorë na u konfirmua se asnjë prej grevistëve nuk ka para pa marrë, nga ato që ka premtuar kryeministri dhe kryebashkiaku i Vorës. Adriatik Fiqiri Spahiu, grevist dhe anëtar i Shoqatës punëtorët e Gërdecit, ka marrë nga filiali i Financës pranë Bashkisë Vorë shumën që vetë ai ka rënë dakord me grupet e vlerësimit. Fiqiri Gani Spahiu, ka marrë 12 milion lekë për dëme në ndërtime. Kurse në njerëz nuk ka pasuar asnjë dëm, dhe nuk rezulton punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Albin Nexhaj grevist, ka marrë në emër të të ëmës shumën prej 37.1 milion lekë. Kjo shumë është tërhequr sipas zyrës së Financave pranë Bashkisë Vorë pak kohë më parë me akordin e arritur midis grupit të rivlerësimit dhe familjarëve të tij. Hajdar Halili, ka marrë në emër të të atit shumën prej 4 milionësh. Dhe kjo shumë është marrë me konsensus nga i dëmtuari dhe grupi i ekspertëve. Burime nga Bashkia Vorë bënë të ditur, se asnjë nga grevistët nuk është trajtuar me indiferencë, përkundrazi të gjithë premtimet i janë dhënë konform afatit kohor të premtuar nga qeveria. Ndërsa, procesi i dëmshpërblimeve i shtëpive ka mbaruar vetëm pak ditë më parë. Grevistët i kanë marrë të gjithë lekët në afatet kohore dhe më herët.
Grevistët nuk rezultojnë në asnjë listë
Grevistët kanë pohuar se nuk kanë kërkuar asnjëherë paratë e dëmshpërblimit për shtëpitë apo për dëmet materiale, pasi ata i kanë marrë. Vetë kryetari i grevës ka pohuar se, mediat e kanë politizuar më shumë seç duhet këtë problem, pasi ai personalisht nuk ka thënë asnjëherë se qeveria nuk ka dëmshpërblyer banorët e Gërdecit. Greva, sipas tij ka ardhur, sepse kërkojnë të marrin një shpërblim ekstra si punëtorë të kësaj fabrike. Kërkesat e tyre kanë qenë vetëm në këtë drejtim dhe jo për mungesë të mbajtjes së premtimeve. Kryetari i grevës nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve se kush i mbështet në këtë nismë dhe pse kanë hapur llogari bankare të veçantë. Kjo, sipas Bashkisë Vorë, devijimi i fondeve nga Bashkia dhe qeveria që janë organe legjitime, nën administrimin e njerëzve që nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të punëtorëve, apo banorëve, por interesa vetiake. Në Shoqatën punëtorët e Gërdecit nuk bën pjesë asnjë i plagosur nga shpërthimi teknologjik në Gërdec. Në këtë shoqatë, që është ngritur pas 15 prillit nuk ka pasur asnjë organizim apo kërkesë për bisedim me autoritetet shtetërore. Nga grevistët aktualë nuk ka asnjë punëtor që është dëmtuar nga shpërthimi. Pretendimi i tyre që të trajtohen si punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes është jo real. Bashkia Vorë nuk i ka takuar grevistët për faktin se, kërkesat e tyre nuk i janë bërë të ditura në një kohë të përshtatshme. Sipas tyre, kërkesa për plotësimin e kushteve ka ardhur vetëm dy ditë para se këta banorë jo të juridiksionit të saj të hynin në grevë urie. Sipas shefit të kabinetit të Bashkisë, autoriteti lokal ka marrë kontakte me grevistët që janë nën juridiksionin e Bashkisë Vorë. Ata janë sqaruar dhe i kanë bërë me dije familjarëve të grevistëve, se premtimet janë mbajtur. Kërkesat e reja të grevistëve nuk janë kompetencë e saj. 8 grevistët nuk disponojnë asnjë dokumentacion që të vërtetojë praninë e tyre më 15 mars në fshatin Gërdec. Po ashtu, grevistët nuk figurojnë tek lista e të dëmtuarve fizikisht nga shpërthimi që u dëmshpërblyen nga vendimi i qeverisë. Gjithashtu, grevistët nuk figurojnë as tek lista e spitaleve që u morën me kurimin e të dëmtuarve të Gërdecit.
Opozita mbështetje politike aventurierëve
Ndërkohë, gjatë vizitës së djeshme të një grupi deputetësh socialistë pranë grevistëve, iu është kërkuar indirekt qëndrimi i tyre në grevë. Cinizmi i kryetares së Grupit kuvendor, Valentina Leskaj, në Parlament ku tregoi foton e një njeriu të djegur, dhe pohoi se qeveria nuk e ka ndihmuar. Por, vetë i dëmtuari ka pohuar se, shpenzimet për shërimin e tij në Itali janë paguar nga shteti. Gjithashtu, ai pranoi se ka marrë shumën që ishte rënë dakord me kreun e ekzekutivit. Valentina Leskaj nuk i kërkoi një dokumentacion që të vërtetonte, qoftë dhe 2 grevistë si punëtorë në fabrikën e demontimit. Kryetarja e shqetësuar Leskaj, nuk i kërkoi grevistëve sqarime pse kanë hapur llogari bankare jashtë institucionit. Bërja politike me disa persona që janë në hall dhe nuk dinë se çfarë të kërkojnë, është motoja e G 99, e cila u rekrutua në grupimin e vogël të Edi Ramës. Ndërsa, Veliaj investigo “korrupsionin” e qeverisë siç thotë ai, pse nuk investigoi në Bashkinë e Vorës që e kishte vetëm dy metra larg makinës së tij, për të pyetur pse këta banorë nuk kanë marrë shpërblimet. Dhënia e kredos politike të disa aveturierëve nga segmente të opozitës është një tallje për të dëmtuarit real të kësaj tragjedie. Këta të dëmtuar tashmë janë në fazën e rindërtimit dhe fillimit të jetës së tyre normalisht.Elis KUÇI
Postuar nga “Dedectiv”, bashkeautor i faqes!
Kusarë,
urime për blogun e ri. Nuk kam kohë tani të lexoj artikujt, por rëndësi ka që gjeta faqen.
Nëse i shikoni postimet me Internet Explorer, në çdo postë del nga fillimi ca kod HTML i palidhur me tekstin (kjo nuk duket tek Firefox). Shikojeni njëherë, se duket shëmtuar.
Përshëndetje dhe suksese!
e paditur
11 Qer 08 më 9:01 am
e paditur,
faleminderit per lajmerimin lidhur me problemin qe kishte ne faqe. besoj tani eshte ne rregull. je e mirepritur!
Dedectiv
11 Qer 08 më 9:42 am