Kusaret

Analiza, komente e studime per median

Supergazetarja dhe superhajduti 11-vjecar  

Shikoni me sa pasion ka shkruar gazetarja Elona Elezi (Korrieri) artikullin e saj të sotëm me titull: 11-vjeçari “çarmatos” policin e Briskut…

TIRANË - Fëmija “gjeni” i vjedhjeve, 11-vjeçari Markeljan C., “çarmatos” një polic të Briskut. Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion. Burime të besueshme policore i thanë dje “Korrierit”, se djali imcak me origjinë nga Mirdita, rreth orës 18:00 të pasdites ka bërë një ndër vjedhjet më spektakolare të “karrierës” së tij. Markeljani i ka marrë pistoletën e shërbimit policit të Briskut, Preng Ndoit, duke “e zhveshur” nga detyra për disa orë më radhë. Përveç pistoletës, vogëlushi i ka vjedhur punonjësit të policisë edhe një portofol me para. Sipas të tjerë burimeve zyrtare, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Kamzë. Në momentin që Ndoi ka kuptuar se e kishin vjedhur, nuk ka mundur t’i besojë vetes që djali imcak që po vraponte disa minuta më parë përpara hundës së tij, t’i kishte grabitur lekët dhe armën. Identifikimi i tij nuk ka qenë i vështirë, për shkak se jo pakkush e njeh hajdutin e vogël të shtëpive. Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari u është drejtuar forcave policore të Komisariatit Nr. 5, të cilët pas deponimit të kolegut të tyre, u përballën me rastin më të freskët të Markeljanit, i cili dyert e atij komisariati i ka parë me qindra herë. Edhe pse lokalizmi dhe kapja e tij nuk do të jetë aspak e vështirë për uniformat blu, problemi i vetëm që do të ngelet është ai i moshës së mitur të tij, që e favorizon deri në mbushjen e 14 vjetëve, moshë në të cilën do të mund të mendohet mirë para se të bëjë vjedhjen e radhës. Rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme, forcat e policisë mundën ta gjejnë armën e vjedhur nga 11-vjeçari, të hedhur në një kanal jo shumë shtëpisë së tij në Laprakë. (www.korrieri.com)

Ja vlen ta lexojmë përsëri këtë fjali: Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion! Një fryrje bombastike e subjektit. Gazetarja nuk na thotë asgjë në artikull rreth faktit se personazhi i saj qenka një “supërhajdut”. Cili nga ne i ka numëruar vjedhjet e këtij të mituri me të cilin për këtë shkak duhet të trajtohet edhe më me tepër kujdes nga media. Pastaj gazetarja përsëri nuk jep asnjë justifikim për termat e përdorur, profesion, nga e mësoi faktin se i mituri e ka profesion vjedhjen, a verifikoi ajo nëse ky person grabit për pasion apo nga halli. Në shkrim nuk ka asnjë citim të 11-vjeccarit ku ai të ketë pohuar se vjedh për pasion. Gjithsesi urojmë që “superhajduti” M.C, të mos e lëzojë këtë artikull sepse ndonjë ditë, me këtë reklamë dhe publicitet të pa justifikuar dhe jo profesional që i bëhet, do ta ndjente veten “personazh të krimit” në ato përmasa sa mund të vjedhë jo ndonjë polic të pa vëmendshëm por ndonjë personazh kushedi sa lart në Qeveri apo në Parlament. Jo për gjë por besoj se edhe “profesionisti” e di qe parlamentarët ene qeveritarët mbajnë goxha pare me vete e aq më tepër telefona të shtrenjtë!

Nga kusaret

6 Qershor 2008 më 9:36 am

2 Komente ndaj 'Supergazetarja dhe superhajduti 11-vjecar'

Merri komentet me RSS

  1. Nese do te kishe lexuar me teper artikuj ne jeten tende, ti qe ke bere komentin do te dije se kush eshte 11-vjecari. Gjithsesi, kerko ne google me emrin e Markeljanit dhe te del nje goxha portret qe i eshte bere nga e njejta gazetare.

    erjona ALBANIA

    16 Qer 08 më 9:06 am

  2. E nderuara Eriona!
    Mireserdhe ne kete faqe! Nuk kam ndermend t`ia publikoj emrin e plote M.C, 11 vjec as ketu ne pergjigjen qe po ju kthej juve. Sepse eshte shkelje etike!!! Nese do ta beja, atejere do te kishit te drejten te me kritikonit sipas menyres tuaj. Gjithsesi ne koment nuk diskutohet vetem per termin “superhajduti” por me teper per menyren parazitare dhe aspak informative qe ka perdorur gazetarja, kur thote “nuk resht se ushtruari profesionin e tij”. A e ke hapur ndonjehere Fjalorin e Gjuhes Shqipe??? A ke pare aty si shpjegohet fjala “Profesion”????!!!
    Dhe nje pyetje: Meqe kjo gazetarja paska njofje te meparshme me kete “superhajdutin”, perse nuk i mori nje prononcim ate dite kur ai “carmatosi” policin???!!!
    Lexoje edhe njehere me gjakftohtesi komentim qe eshte bere ne faqe, ta them miqesisht! Qellimi nuk eshte qe te personalizohet ceshtja me gazetaren ne fjale, qe per hir te vertetes, ka shume kolege qe bejne te njejtat gabime, por komenti ka per qellim, qe shkrime e fenomene te tilla te mos shfaqen me ne shtyp.
    gjithe te mirat!

    Kusaret ALBANIA

    16 Qer 08 më 4:10 pm

Komento




1498 faqet e vizituara, 3 sot
809 vizita, 3 sot