Kusaret

Analiza, komente e studime per median

Arkivi per Qershor, 2008

Letër e hapur plaçkitësve të “Shekullit”. nga Gjergj Xexo  

2008-05-27 14:29:04
E nderuara Gazetë « Shekulli », i nderuar zoti Drejtor Thano,

Falë dashamirësve të vëmendshëm dhe vëzhgues të kujdesshëm të shtypit, zbulova se gazeta juaj në linjë e datës 26.05.2008, në rubrikën e saj Kulturë, kish botuar artikullin « Vepra fillon ku mbaron historia », kushtuar takimit letrar ndërkombëtar të Lionit (Francë), ku merr pjesë edhe shkrimtari Fatos Kongoli.

E lexova me shumë vëmendje, në mos për faktin se vepra e z. Kongoli ngjall admirim, për faktin tjetër se në datën 23.05.2008, po në atë ditë kur artikulli i shkrimtarit botohej nga faqja elektronike e gazetës « Le Monde » - natyrisht në frëngjisht – në blogun tim http://www.albanie-albanais.com/ botova përkthimin – natyrisht në shqip - të këtij shkrimi nën titullin : Fatos Kongoli dhe « çarja gjeografike ».

Edhe të mos duash të vëresh, mjaftonte vetëm një grimë e asaj vëmendje që përdora gjatë leximit për t’u bindur se përveç titullit – si edhe atyre pesë-gjashtë rreshtave të para shpjeguese të aktivitetit – i gjithë teksti i ndërhyrjes së shkrimtarit Kongoli, pra përkthimi i tekstit origjinal frëngjisht, ngjan si dy pika uji me tekstin e botuar në blogun tim.

Bile në këtë rast, edhe shprehja « si dy pika uji » përbën një eufemizëm të lumtur pasi në të vërtetë, bëhet fjalë për një kopjim mekanik, një prerje – ngjitje në gjuhën e programeve të përpiunimit të teksteve. Mjafton të themi se trupi i tekstit të z. Kongoli, i botuar prej « Shekullit » tuaj përbëhet prej 6676 karakteresh, ndërkohë që ai i botuar prej meje përmban 6672 karaktere…

Zor, se dy përkthyes të cilët i ndajnë disa qindra kilometra distancë, të mund të prodhojnë tekste të tilla identike dhe që më tepër të përdorin të njejtat shprehje aq karakteristike si : trysninë e ndrydhjes ndëretnike, e plot të tjera si puna e tyre.

Në se shprehja kopjim ju duket e papërshtatshme, ju propozoj një shprehje tjetër : vjedhje, dhe në se kjo e fundit plagos ndërgjegjen tuaj profesionale, le të rrimë tek shprehja plaçkitje. . Natyrisht, nuk dua të ve në dyshim as profesionalizmin tuaj as edhe atë të gazetës që ju drejtoni. Shumë, shumë, mund të mendoj se kjo gjë përbën një veprim të ngutur të ndonjë artikullshkruesi të pacipë si edhe një vemendje të pamjaftueshme të ndonjë redaktori të shkujdesur..

Megjithatë, është gazeta « Shekulli » që mbulon me hijen e saj këto përgjegjësi dhe prezanton përpara atyre dhjetra mijra lexuesve të saj të lumtur pasqyrën e ndershmërisë së bashkëpuntorëve të saj.

Sidoqoftë, nuk arrij të kuptoj se çfarë e pengon gazetën tuaj të kontaktojë një individ, një faqe interneti dhe t’i kërkojë këtij të fundit lejen për të botuar në faqet e saj, një artikull, në rastin tonë një përkthim, i cili sipas edukatës duhet të përmbajë edhe referencat e autorësisë.. Personalisht, do të ndjehesha i lumtur nga një kërkesë e tillë, e ardhur nga një gazetë e tillë si « Shekulli » dhe do t’a kisha dhënë lejen me gjithë dëshirë. Por, me sa duket, një praktikë e tillë e tejkalon me papërfillshmërinë e saj etikën profesionale të gazetës suaj që preferon të plaçkisë, dhe jo të kontaktojë, të mospërfillë dhe jo të citojë…

Edhe në se kjo etikë diku është e mangët, të paktën duhet të kujtohemi se egzistojnë ligje që mbrojnë shprehimisht të drejtën e autorit dhe pronësinë intelektuale! .

Jam i ndërgjegjshëm se të tilla letra nuk janë aspak të këndëshme, si për të adresuarin edhe për shkruesin e saj, por ngushëllohem nga fakti se një e tillë letër ndoshta do të tërheqë vëmendjen qoftë edhe një grimë më tepër ndaj një shkrimtari si z. Kongoli, ndaj veprës së tij të admirueshme si edhe bashkëbisedimit të tij me lexuesit në linjë, që zhvillohet sot në orën 16. Ngushëllohem gjithashtu nga fakti se ata dhjetra mijra lexuesit e gazetës suaj – sikundër edhe ata dhjetra lexuesit e blogut tim – meritojnë plotësisht respekt dhe përkujdesje, transparencë dhe sinqeritet.Me shpresë se apologjia publike bën pjesë në atë panel vlerash që karakterizojnë stafin drejtues të gazetës suaj, ju lutem të pranoni e nderuar Gazetë dhe i nderuari z. Drejtor, shprehjen e përshëndetjeve të mia më të sinqerta.

Gjergj XEXO (xexo.georg@gmail.com)

P.S : Përkthyesve tuaj të talentuar ju rekomandoj të rishohin titullin e artikullit « Vepra fillon ku mbaron historia » pasi ky i fundit, në formën aktuale, shtrembëron idenë e vetë shkrimtarit që diku shprehet në frëngjisht) : l’œuvre littéraire commence là où finit l’histoire racontée, pra : vepra letrare fillon aty ku përfundon historia e treguar. Po qe se i lejojmë vehtes të fshijmë epitetin letrare dhe plotësin e treguar, vepra mund të fillojë bile edhe më përpara se sa të mbarojë historia – sikundër edhe ndershmëria që përfundon vetvetiu, pikërisht aty ku neglizhohet respekti.***Marrë nga http://www.albanie-albanais.com

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

19 Qershor 2008 më 1:46 pm

Mediat, momenti për ndryshim ose rreziku i falimentit!  

Një shtysë kuroziteti e karahasimi bëhet shkak që shpeshherë tu rikthehem gazetave të viteve të shkuara duke rrëmuar ndër arkiva. E kam fjalën jo vetëm për periudhën pas viteve 2000 por edhe kohët e mëparshme. Është i gjithëpranuar fakti se në atë kohë, shtypi i shkruar, karakterizohej për njëfarë “militantizmi” në kuptimin e mirë të fjalës. Nuk më shqitet nga mëndja një fotografi që në fakt ka bërë xhiron e botës: Turma e rebeluar e mijëra njerëzve që ishin mbledhur në qendër të Vlorës, në mars 1997. Shumë prej tyre mbanin në duar si parrullë, gazetën “Koha Jonë”, duke vënë në dukje faqen e parë të saj, në krye të së cilës më gërma të mëdha e kapitale shkruhej: MEKSI: GATI PËR LUFTË CIVILE!!! Ky ishte vetëm një nga shembujt që mund ta shpjegojnë disi militantizmin e përmendur më lart. Është e vërtetë se shtypi i shkruar në Shqipëri është zhvilluar, në kuptim të krijimit të disa filtrave etikë e profesionalë, prej të cilëve mesazhe të tilla si i përmenduri më lart, nuk kalojnë lehtë pa u “redaktuar”. Ka ndikuar shumë në këtë fenomen, zbatimi i teknologjisë së re, rrjeteve kompiuterike, aksesit në internet, hapja e shoqërisë dhe një farë tentative apo mundësie për transparencë e ballafaqim të burimeve të informacionit. Por vërehet me shqetësim se krahas zhvillimeve që mund të konsiderohen pozitive për shtypin e shkruar, apo median shqiptare në përgjithësi, ka një degradim në kuptim të kontaktit me terrenin, shpeshherë mungesë kontakti me burimet e informacionit dhe në jo pak raste shfaqje të shtrembëruar të tyre deri në fshehje. Në gazetat e viteve të mëparshme për të cilat fola më lart, verej me kënaqësi artikuj prej të cilëve kuptohet kontakti i pastër, i sprovuar e i qartë i gazetarit me terrenin. Mendoj se jo rastësisht, autorë të artikujve të tillë, sot vlerësohen si emra të spikatur të gazetarisë në Shqipëri, ata madje janë të vetmit që mund të konsiderohet se në mënyrë legjitime kanë arritur të marrin dhe të mbajnë mbi supe drejtimin e disa prej mediave kryesore në Shqipëri, jo vetëm shtypit të shkruar, por edhe medias elektronike, si televizioni përshembull. Njëri prej tyre këto vitet e fundit, e ka bërë të qartë se gazetarët e rinj ose duhet të ndryshojnë, ose janë të vdekur në këtë profesion. Pra ka një tendencë nën ndikimin e informacionit të shumtë që gjendet në internet, zhvillimit të zyrave të shtypit në institucione private e shtetërore, të cilat gjithnjë e më shumë sjellin informacion, që gazetarët e sotëm të largohen nga terreni. Ka ndodhur disa herë që ngjarje të rënda e me interes të gjerë publik, të ndodhura jo më larg se 60 minuta larg qendrës së Tiranës, të përcillen nga gazetat me foto ilustrative për shkak se gazetarët apo fotoreporterët nuk kanë shkuar në vendin e ngjarjes. Dhe kjo është e rëndë por në fakt po ndodh gjithnjë e më shpesh! Zyrat e shtypit sjellin më tepër informacion se më parë, ato gjithnjë e më shumë po e zgjerojnë spektrin dhe po i përmirësojnë mardhëniet me gazetarët, por terreni, kontakti i drejtpërdrejtë me ngjarjen dhe me burimet, është i pa zëvëndësueshëm. Një botues mediash në Shqipëri, shpallte para disa viteve në gazetën e tij, se gazetarët janë kthyer në njerëz përtacë e parazitë, që nuk dalin jashtë unazës së madhe të Tiranës. Ai kishte të drejtë në fakt, e shqetësonte kjo gjë ndaj e shpallte në një artikull të tij publik këtë shqetësim duke vlerësuar më tepër rrezikun që vjen nga ky fenomen sesa mundësinë e rënies së prestigjit të gazetarëve. Në fund të fundit është vetë gazetari, ai që përcakton përfundimisht nivelin profesional, besueshmërinë, shkallën e njohjes dhe prestigjin e tij. Një Drejtor Informacioni në një nga televizionet më të rëndësishme në Shqipëri, thoshte pak ditë më parë, se kishte parë edicionin e lajmeve në TV-në e drejtuar prej tij, me një këndvështrim gjeografik. Dhe rezultati i trishtueshëm kishte qenë ky: Të gjitha kronikat, temat dhe lajmet e përcjella në edicionin kryesor të drekës, e kishin burimin dhe terrenin e tyre të zhvillimit, nga Selia e Parlamentit, Qeverisë, partive politike apo ministritë e ndryshme brenda Tiranës. Pra ai pajtohej me faktin se media e tij Kombëtare, në njëfarë mënyrë e ka humbur nocionin e mbulimit dhe pranisë si dhe të shkruarjes tek të gjithë, pra tek gjithë hapësira “kombëtare” siç e detyron ligji dhe profesioni. Imagjinoni pak, subjektet duhet të shkojnë tek lexuesi, dëgjuesi apo audienca në mënyrë të vazhdueshme e të drejtpërdrejtë e më pas duhet pritur vlerësimi i “konsumatorit”. Po kur subjekti nuk shkon fare tek audienca, kur lajmi është jashtë interesit gjeografik të konsumaroti, çfarë mund të thuhet. “Afërsia gjeografike është një element i rëndësishëm që përcakton rëndësinë e lajmit, hapësirën që ai zë”, thuhet në leksionet që ofrohen në Universitetin e Tiranës. Një qyterar nga Kukësi apo nga Himara, a mund ta gjejë veten tek një edicion lajmesh që nis e përfundon me Tiranën?!!! Humbja e kontaktit me terrenin, implementimi i gazetarisë që i referohet të dhënave të marra në internet apo përmes telefonit, mund të konsiderohet si një devijim nga gazetaria e saktë. Të gjitha këto, po e kthejnë gazetarin në një njeri të vetëmjaftuar e të vetëkënaqur ndërkohë që orientimi i drejtë, ai që mund të konsiderohej i gëzueshëm, është krejt tjetër: gazetari duhet të kërkojë vazhdimisht. “Nëse jeni gazetar ose mendoni të bëheni i tillë, mund ta keni vënë re tashmë: Kërkesat për të qenë gazetar po ngrihen në një shkallë të re. Ishte një kohë kur gjithçka për të cilën kishit nevojë, ishte përkushtimi ndaj të vërtetës, shumë energji dhe pak talent për të shkruar. Ju ende keni nevojë për këto gjëra, por ato nuk janë të mjaftueshme”, shkruan në librin e tij “Gazetaria e Saktë”, Philip Meyer, mbajtës i titullit “Kalorës i Urdhrit të Gazetarit” dhe hulumtues i mediave në SHBA. Ajo çfarë thotë Meyer, është pasqyrimi më i mirë i orientimit të drejtë në të cilin ndodhet media amerikane, e konsideruar si një nga shembujt më të zhvilluar në botë. Atje kërkohet të arrihen nivele të reja saktësie e përsosmërie, ndërsa këtu, në Shqipëri, vihet re degradim në elementin bazë të gazetarisë: shkëputjen e gazetarëve nga terreni. Ky është një fenomen i keq, i cili ka shkaqet e tij. Më së shumti mendoj, se shkak për këtë është hyrja në veprimtarinë e gazetarisë e personave që nuk kanë një arësim përkatës për këtë punë. Nuk kam asgjë kundër diversitetit në këtë drejtim, në të gjithë botën, profesionistë të fushave të caktuara, me pak dituri gazetareske kanë bërë artikuj e zbulime profesionale që janë publikuar në shtyp duke u vlerësuar dhe arritur sukses. Por shkollimi për gazetari nuk është aksidental. Kërkesa e personit vjen pas një orientimi pasional. Pra përveç pasionit të njeriut për profesionin, më pas shkolla e gazetarisë promovon fort kontaktin e gazetarit me terrenin, si një gjë të pa tjetërsueshme. Në këtë kuptim, është pak e vështirë të besohet se të arsimuarit për gazetari, e shpikën këtë fenomenin e të shkruarit të artikujve, në fakt krejt sipërfaqësorë, nga kafja. Raste të tila ka plot në shtypin e sotëm shqiptar, për të mos pranuar se fatkeqësisht, raste të tilla gati dominojnë tregun e informacionit në mediat e sotme të këtij vendi. Duhet pranuar se të pa shkolluarit për gazetari, në rradhë të parë kërkojnë punësimin në sektorin ku janë specializuar. Ndaj prania e të shkolluarve për këtë punë, në këtë profesion, të bën të mendosh se bëhet fjalë për atë kategori që nuk ka mundur të integrohet dhe nuk është vlerësuar në fushën për të cilën ka marrë arësimin përkatës. Në këto raste mund të besohet se prania e personave të tillë në gazetari, sa për një punë apo për një rrogë, është fenomeni që rrezikon të jetë importuesi i gazetarisë dembele, të pasaktë, asaj gazetarisë së thashetheme që fillon dhe mbaron në kafenetë e tymosura e të zhurmshme ku nuk mungon era alkool. Megjithatë është për tu theksuar se gazetarët, nuk duhet të mashtrohen dhe të mendojnë se po mashtrojnë publikun. Lëxuesit sot kanë shumë mundësi informimi, nga radiot, televizionet dhe veçanërisht nga kanalet informative që transmetojnë 24 orë lajme. Në këtë mënyrë ata jo vetëm kanë alternativa informimi çka bahët shkak të braktisin përgjithmonë artikujt e gazetarëve dembelë por edhe kuptojnë fare mirë kur kanë të bëjmë me raste të tilla duke falimentuar jo vetëm gazetarët por edhe kreditet e besimit tek sipërmarrjet mediatike. 

(Dedectiv)

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

15 Qershor 2008 më 2:02 pm

RD-ja dhe perdorimi i medias si “kobure”  

Pata durimin ta lexoj deri në fund këtë artikull të gazetës RD, organi mediatik zyrtar i Partisë Demokratike në pushtet, vetëm dhe vetëm prej kuriozitetit për të parë deri ku arrin përdorimi i saj dhe për të kuptur gjithashtu, qëndrimin real të Qeverisë, ndaj grevës së filluar prej pesë ditësh, nga ish-punëtorët e fabrikës së Gërdecit. Shumë prej tyre janë plagosur, të tjerë janë gjymtuar, ka nga ata me prona e pasuri të dëmtuara apo ndonjë prej tyre, sot është duke rrojtur me borxhe për shkak të shpenzimeve për mjekimin. Grevistët i kanë shkruar Qeverisë dy herë radhazi, duke pranuar se kanë marrë 1 milionë lekë dëmshpërblim, të cilat nuk mjaftojnë, sepse ata kanë nevojë përsëri për trajtim mjekësor, nuk punojnë dot që të sigurojnë të ardhura për familjet e tyre dhe askush nuk është kujdesur për dëmshpërblimin e pasurive të tyre. Disa prej punëtorëve kanë pësuar plagosje, të tjerëve u janë shkatërruar makinat që kishin parkuar rreth “fabrikës” së çmontimit në momentin kur ndodhi tragjedia më 15 mars 2008.Gjithsesi, gazetari i RD-së, shkruan se ka qenë në Vorë, ka folur me një banor të zonës, i cili për shkak të rëndësisë së veçantë të asaj çfarë thotë, nuk ka pranuar të identifikohet. Më pas, gazetari citon një grumbull me dokumente të Bashkisë Vorë, e cila natyrisht, nëse gazetari ka qenë aty, i ka hapur dyert njeriut që shkonte nga gazeta e Partisë, për të thënë të vërtetën. Ky është rasti i parë kur shikoj të pretendohet realizimi i një investigimi me dokumente të ofruara prej vetë personave që janë nën akuzë dhe të publikuara më pas në mënyrë të njëanshme e me pompozitet nga gazetari i bindur i partisë.RD-ja, pretendon se kryetari i grevës, i cili natyrisht si organizator i protestës që po portretizohet si antiqeveritare është mëkatari më i madh, pra ai, ka qenë në Amerikë deri në janar 2008. Çfarë pastaj? Sikur një ditë para se të ndodhte tragjedia, të kishte filluar punën në Gërdec ky njeri, ditën që ndodhi katastrofa, ka qenë aty. RD-ja pretendon më pas se ka dokumente që tregojnë se pjesëmarrësit në grevë, nuk kanë qenë punëtorë të fabrikës!!! Po mirë, kanë qejf të rrinë pa ngrënë këta njerëz, apo duan të bien në sy? Na thoni si është kjo punë. E bukura vjen më pas. RD-ja thotë se grevistët e kanë marrë njëherë dëmshpërblimin, duke nxjerrë kështu në dritë të diellit, grevën e padrejtë e të paligjshme të pretenduar nga gazeta qeveritaro-partiake. Po mirë, nëse këta njerëz e kanë marrë dëmshpërblimin dhe nëse citoni dokumente me data e numra protokolli, përse thoni pastaj se grevistët nuk kanë qenë punëtorë në Gërdec?!!! Në çfarë cilësie u dha dëmshpërblim Qeveria dhe Bashkia Vorë, duke përdorur taksat e qytetarëve?!!!Ky mbase është një nga ato raste, kur përdorimi mediatik duhet të konsiderohet i dënueshëm edhe në rastin kur media është partiake. Kjo gjithsesi tregon kulturën e sjelljes së medias në Shqipëri, më saktë përdorimin e saj të rëndomtë si “kobure”.

Artikulli më poshtë:www.rilindjademokratike.com

Nga tetë personat që kanë hyrë në grevë, vetëm njëri ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit

Mashtrimi me Gërdecin, tërhoqi 37.1 milion lekë dhe u fut në grevë urie

Një prej grevistëve të urisë në Vorë, Albin Nexhaj ka tërhequr nga shteti shumën e 37.1 milionë lekëve për të cilën ka rënë tërësisht dakort dhe ka firmosur në Bashkinë e Vorës dhe më pas është futur në grevën e urisë duke deklaruar se nuk ka përfituar asgjë nga dëmi i pësuar nga shpërthimi në Gërdec. Nga dokumentat që disponon Bashkia Vorë rezulton se, vetëm një grevist ka qenë punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Nga 8 grevistë që janë aktualisht, vetëm 4 janë banorë të Bashkisë Vorë. Kryetari i shoqatës “punëtorët e Gërdecit”, Andi Belliu, rezulton se ka qenë në SHBA, deri në muajin janar të këtij viti. Më pas, ai ka ardhur në Shqipëri dhe nuk ka punuar asnjë ditë në fabrikën e demontimit në Gërdec. Madje, ai as nuk e ka ditur se në Gërdec ka pasur fabrikë demontimi, nuk ka qenë me asnjë protestë që banorët kanë zhvilluar, pranë Bashkisë. Kjo është vërtetuar dhe nga punonjësit e tjerë, si dhe nga dokumentacioni përkatës i firmës. “Aludimet që kanë dalë në media nuk janë të vërteta”, shprehet një banor pranë vilës të grevistëve. “Të gjithë ata nuk kanë qenë punëtorë në fabrikë, po të kenë qenë kanë dokumente që e vërtetojnë”, shprehet një ish-punëtor në fabrikën e Gërdecit. Ai tha se, në fabrikë ku merrnin rrogat ka pasur një bordero dhe rroga jepej me faturë, por ata nuk figurojnë gjëkundi me përjashtim të njërit. Ish-punëtori nuk pranoi të identifikohej, por pranoi se gjatë periudhës që ka punuar asnjërin prej tyre nuk e ka pasur koleg. Grevistët, sipas shefit të kabinetit pranë Bashkisë Vorë, Subi Përzhilla, janë shpërblyer sipas premtimeve të dhëna nga qeveria dhe Bashkia. Të gjithë punëtorët kanë marrë shumën prej 1 milion lekë të vjetra të akorduar nga qeveria. Të gjithë ata që kanë humbur jetën në aksidentin teknologjik kanë marrë shumën prej 20 milion lekësh të vjetra për person. Shpërndarja e tyre është bërë sipas Përzhillës kohë më parë. Ai pohoi se, shumica prej grevistëve nuk janë banorë të Bashkisë Vorë. Një nga pikat që grevistët ia kanë dërguar qeverisë është dhe pagimi i siguracionit siç ishte rënë në ujdi me firmën “Albademil”. Punëtorët e fabrikës sipas vendimit numër 348, datë 1.4.2008 thuhet: dhënie e një ndihme të menjëhershme financiare, në masën 50.000 lekë të reja për çdo punëtor, i cili më 15 Mars 2008, datë kur ndodhi aksidenti teknologjik, ka qenë i pranishëm në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Po kështu, me një vendim dhe një urdhër tjetër, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe e Shanceve të Barabarta, i ka akorduar Bashkisë Vorë, në degën e Thesarit në Tiranë fondin në masën 6.950.000 lekë. Ky fond është dhënë në kodin e Bashkisë Vorë nr. 2165001, Art. 604.01. “Transferim tek organet e Pushtetit Vendor”. Ky fond të përdoret si ndihmë për të financuar punonjësit që kanë qenë të pranishëm më datë 15.3.2008 në fabrikën e demontimit në Gërdec. Masa e ndihmës për njeri është 50.000 lekë të reja për person. Në bazë të këtyre urdhërave të nxjerra nga institucionet qeveritare, çdo punëtor e ka përfituar shumën që ka rënë dakord me autoritetet dhe kreun e ekzekutivit. Nga 37 persona që kanë firmosur peticionin për të hyrë në grevë urie për plotësimin e kërkesave, pas arsyetimit dhe bindjes së tyre për kërkesat absurde 29 firmëtarë janë tërhequr, dhe në grevë kanë hyrë vetëm 8 persona, që kanë vetëm probleme periferike me shpërthimin teknologjik të Gërdecit.

 Bashkia Vorë: Asnjë nga grevistët nuk ka para pa marrë

Nga zyrat e Financës pranë Bashkisë Vorë na u konfirmua se asnjë prej grevistëve nuk ka para pa marrë, nga ato që ka premtuar kryeministri dhe kryebashkiaku i Vorës. Adriatik Fiqiri Spahiu, grevist dhe anëtar i Shoqatës punëtorët e Gërdecit, ka marrë nga filiali i Financës pranë Bashkisë Vorë shumën që vetë ai ka rënë dakord me grupet e vlerësimit. Fiqiri Gani Spahiu, ka marrë 12 milion lekë për dëme në ndërtime. Kurse në njerëz nuk ka pasuar asnjë dëm, dhe nuk rezulton punëtor në fabrikën e demontimit në Gërdec. Albin Nexhaj grevist, ka marrë në emër të të ëmës shumën prej 37.1 milion lekë. Kjo shumë është tërhequr sipas zyrës së Financave pranë Bashkisë Vorë pak kohë më parë me akordin e arritur midis grupit të rivlerësimit dhe familjarëve të tij. Hajdar Halili, ka marrë në emër të të atit shumën prej 4 milionësh. Dhe kjo shumë është marrë me konsensus nga i dëmtuari dhe grupi i ekspertëve. Burime nga Bashkia Vorë bënë të ditur, se asnjë nga grevistët nuk është trajtuar me indiferencë, përkundrazi të gjithë premtimet i janë dhënë konform afatit kohor të premtuar nga qeveria. Ndërsa, procesi i dëmshpërblimeve i shtëpive ka mbaruar vetëm pak ditë më parë. Grevistët i kanë marrë të gjithë lekët në afatet kohore dhe më herët.

 Grevistët nuk rezultojnë në asnjë listë

Grevistët kanë pohuar se nuk kanë kërkuar asnjëherë paratë e dëmshpërblimit për shtëpitë apo për dëmet materiale, pasi ata i kanë marrë. Vetë kryetari i grevës ka pohuar se, mediat e kanë politizuar më shumë seç duhet këtë problem, pasi ai personalisht nuk ka thënë asnjëherë se qeveria nuk ka dëmshpërblyer banorët e Gërdecit. Greva, sipas tij ka ardhur, sepse kërkojnë të marrin një shpërblim ekstra si punëtorë të kësaj fabrike. Kërkesat e tyre kanë qenë vetëm në këtë drejtim dhe jo për mungesë të mbajtjes së premtimeve. Kryetari i grevës nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve se kush i mbështet në këtë nismë dhe pse kanë hapur llogari bankare të veçantë. Kjo, sipas Bashkisë Vorë, devijimi i fondeve nga Bashkia dhe qeveria që janë organe legjitime, nën administrimin e njerëzve që nuk kanë për qëllim mbrojtjen e interesave të punëtorëve, apo banorëve, por interesa vetiake. Në Shoqatën punëtorët e Gërdecit nuk bën pjesë asnjë i plagosur nga shpërthimi teknologjik në Gërdec. Në këtë shoqatë, që është ngritur pas 15 prillit nuk ka pasur asnjë organizim apo kërkesë për bisedim me autoritetet shtetërore. Nga grevistët aktualë nuk ka asnjë punëtor që është dëmtuar nga shpërthimi. Pretendimi i tyre që të trajtohen si punonjës të Ministrisë së Mbrojtjes është jo real. Bashkia Vorë nuk i ka takuar grevistët për faktin se, kërkesat e tyre nuk i janë bërë të ditura në një kohë të përshtatshme. Sipas tyre, kërkesa për plotësimin e kushteve ka ardhur vetëm dy ditë para se këta banorë jo të juridiksionit të saj të hynin në grevë urie. Sipas shefit të kabinetit të Bashkisë, autoriteti lokal ka marrë kontakte me grevistët që janë nën juridiksionin e Bashkisë Vorë. Ata janë sqaruar dhe i kanë bërë me dije familjarëve të grevistëve, se premtimet janë mbajtur. Kërkesat e reja të grevistëve nuk janë kompetencë e saj. 8 grevistët nuk disponojnë asnjë dokumentacion që të vërtetojë praninë e tyre më 15 mars në fshatin Gërdec. Po ashtu, grevistët nuk figurojnë tek lista e të dëmtuarve fizikisht nga shpërthimi që u dëmshpërblyen nga vendimi i qeverisë. Gjithashtu, grevistët nuk figurojnë as tek lista e spitaleve që u morën me kurimin e të dëmtuarve të Gërdecit.

Opozita mbështetje politike aventurierëve

Ndërkohë, gjatë vizitës së djeshme të një grupi deputetësh socialistë pranë grevistëve, iu është kërkuar indirekt qëndrimi i tyre në grevë. Cinizmi i kryetares së Grupit kuvendor, Valentina Leskaj, në Parlament ku tregoi foton e një njeriu të djegur, dhe pohoi se qeveria nuk e ka ndihmuar. Por, vetë i dëmtuari ka pohuar se, shpenzimet për shërimin e tij në Itali janë paguar nga shteti. Gjithashtu, ai pranoi se ka marrë shumën që ishte rënë dakord me kreun e ekzekutivit. Valentina Leskaj nuk i kërkoi një dokumentacion që të vërtetonte, qoftë dhe 2 grevistë si punëtorë në fabrikën e demontimit. Kryetarja e shqetësuar Leskaj, nuk i kërkoi grevistëve sqarime pse kanë hapur llogari bankare jashtë institucionit. Bërja politike me disa persona që janë në hall dhe nuk dinë se çfarë të kërkojnë, është motoja e G 99, e cila u rekrutua në grupimin e vogël të Edi Ramës. Ndërsa, Veliaj investigo “korrupsionin” e qeverisë siç thotë ai, pse nuk investigoi në Bashkinë e Vorës që e kishte vetëm dy metra larg makinës së tij, për të pyetur pse këta banorë nuk kanë marrë shpërblimet. Dhënia e kredos politike të disa aveturierëve nga segmente të opozitës është një tallje për të dëmtuarit real të kësaj tragjedie. Këta të dëmtuar tashmë janë në fazën e rindërtimit dhe fillimit të jetës së tyre normalisht.Elis KUÇI

 Postuar nga “Dedectiv”, bashkeautor i faqes!

Ky artikull ka

2 komente

Nga kusaret

10 Qershor 2008 më 12:43 pm

Zbulohen paditë për shpifje ndaj gazetave shqiptare për 2007-2008  

Është interesante të shikosh në Gjykatën e Tiranës, paditë që janë bërë kundër organeve mediatike, konkretisht kundër shtypit të shkruar. Bie në sy fakti se paditësit, pra personat që pretendojnë se janë dëmtuar nga shtypi, i përkasin niveleve të ndryshme në shoqëri. Megjithatë është me rëndësi të theksohet se televizionet apo organet mediatike elektronike (radiot) apo faqet informative të internetit, nuk ndodhen në asnjë rast, në listën e padive të vitit 2007-2008. Në këtë tabelë gjendet vetëm një listë e gjatë gazetash. Kusarët arritën të sigurojnë listën e plotë të gazetave të paditura për shpifje, bashkë me personat që janë ankuar në gjykatë si dhe me shumat përkatëse të dëmshpërblimit që ata kërkojnë. Paditë u referohen abuzimeve dhe shtrëmbërimeve trashanike, si psh. Këngëtarja Poni është shtatzënë, kur ajo vetë e mohon një gjë të tillë (të presim sa të kalojnë 9 muaj) apo pasardhësi i Mbretit, Leka Zogu, është i sëmurë me SIDA. Shikoni çfarë ndërhyrjesh në jetën private të të tjerëve. Një rast tjetër nga i cili mund të nxirret shembull është ai i gazetës “Korrieri”, e cila është dënuar me 10 milionë lekë gjobë për një lajm të botuar duke “bërë të vdekur” Presidentin e Distributorit të kompanisë “Mercedes Benz” në Shqipëri. Pra kujdes njerëz, gjykatat mund të ulin gjobat, por edhe 10 milionë lekë, nuk janë pak, apo jo?!    

Shqiponja Karafili, (Poni), padit gazetën “Korrieri” lidhur me artikullin për shtatzaninë e këngëtares duke pretenduar atësinë e fëmijës nga një deputet. Këngëtarja kërkon dëmshpërblim 35 milionë lekë

Leka Zogu, padit “Gazetën Shqiptare” për artikullin që pretendoi se pasardhësi i Mbretit ishte me SIDA. Paditësi kërkon 200 mijë euro dëmshpërblim dhe përgenjeshtrim të informacionit të dhënë për dhjetë ditë me radhë

Gjinovefa Gaba, padit gazetën “Panorama”, për shkrimet që janë bërë lidhur me personin e saj, pas kandidimit për anëtare të Gjykatës së Lartë. Kërkon 30 milionë lekë dëmshpërblim

Maks Velo, padit gazetën “Ndryshe” për një seri shkrimesh dhe opinionesh të botuara kundër tij. Maks Velo kërkon 10 milionë lekë dhe detyrimin për të përgenjeshtruar opinionet rekdasionale që janë botuar kundër tij

Mehmet Kurti, padit “Gazetën Shqiptare”, kërkon 50 milionë lekë

Eleni Nakuçi, padit “Gazetën Shqiptare” për një shkrim lidhur me një çështje divorci, vlerën e dëmshpërblimit e ka lënë në dorë të gjykatës

Basri Ruka, President i distributorit të BENZ në Shqipëri, padit gazetën “Korrieri” për artikullin ku thuhej se biznesmeni kishte vdekur nga infarkti. Kërkoi 300 mijë euro por mori vetëm 10 milionë lekë

Agim Kuçi, ish-drejtor i zyrës Arsimore në Bulqizë, padit “Zërin e Popullit”, kërkon 50 milionë lekë. I njëjti person, ka paditur dhe gazetën “Standard” 

Koço Kokëdhima padit gazetat “Shqiptare”, “Korrieri”, “Koha Jonë”, “Albania” për artikullin sipas të cilit ai kishte kërcënuar Albert Xhanin. Kërkon nga 100 milionë nga secila, gjykata i dha nga 2 milionë për secilën gazetë

Lumturi Sulaj, padit gazetën “Ballkan”, për një shkrim ku prtendohej se djali i saj kishte vrarë të dashurin e saj

Kimete Meta, padit “Zërin e Popullit”, kërkon 10 milionë lekë dëmshpërblim

Postuar nga “Dedectiv”, bashkëautor i faqes

Ky artikull ka

3 komente

Nga kusaret

9 Qershor 2008 më 3:07 pm

Supergazetarja dhe superhajduti 11-vjecar  

Shikoni me sa pasion ka shkruar gazetarja Elona Elezi (Korrieri) artikullin e saj të sotëm me titull: 11-vjeçari “çarmatos” policin e Briskut…

TIRANË - Fëmija “gjeni” i vjedhjeve, 11-vjeçari Markeljan C., “çarmatos” një polic të Briskut. Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion. Burime të besueshme policore i thanë dje “Korrierit”, se djali imcak me origjinë nga Mirdita, rreth orës 18:00 të pasdites ka bërë një ndër vjedhjet më spektakolare të “karrierës” së tij. Markeljani i ka marrë pistoletën e shërbimit policit të Briskut, Preng Ndoit, duke “e zhveshur” nga detyra për disa orë më radhë. Përveç pistoletës, vogëlushi i ka vjedhur punonjësit të policisë edhe një portofol me para. Sipas të tjerë burimeve zyrtare, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Kamzë. Në momentin që Ndoi ka kuptuar se e kishin vjedhur, nuk ka mundur t’i besojë vetes që djali imcak që po vraponte disa minuta më parë përpara hundës së tij, t’i kishte grabitur lekët dhe armën. Identifikimi i tij nuk ka qenë i vështirë, për shkak se jo pakkush e njeh hajdutin e vogël të shtëpive. Menjëherë pas ngjarjes, i dëmtuari u është drejtuar forcave policore të Komisariatit Nr. 5, të cilët pas deponimit të kolegut të tyre, u përballën me rastin më të freskët të Markeljanit, i cili dyert e atij komisariati i ka parë me qindra herë. Edhe pse lokalizmi dhe kapja e tij nuk do të jetë aspak e vështirë për uniformat blu, problemi i vetëm që do të ngelet është ai i moshës së mitur të tij, që e favorizon deri në mbushjen e 14 vjetëve, moshë në të cilën do të mund të mendohet mirë para se të bëjë vjedhjen e radhës. Rreth orës 19:00 të pasdites së djeshme, forcat e policisë mundën ta gjejnë armën e vjedhur nga 11-vjeçari, të hedhur në një kanal jo shumë shtëpisë së tij në Laprakë. (www.korrieri.com)

Ja vlen ta lexojmë përsëri këtë fjali: Superhajduti i mitur nuk rresht së ushtruari profesionin që e ka aq shumë pasion! Një fryrje bombastike e subjektit. Gazetarja nuk na thotë asgjë në artikull rreth faktit se personazhi i saj qenka një “supërhajdut”. Cili nga ne i ka numëruar vjedhjet e këtij të mituri me të cilin për këtë shkak duhet të trajtohet edhe më me tepër kujdes nga media. Pastaj gazetarja përsëri nuk jep asnjë justifikim për termat e përdorur, profesion, nga e mësoi faktin se i mituri e ka profesion vjedhjen, a verifikoi ajo nëse ky person grabit për pasion apo nga halli. Në shkrim nuk ka asnjë citim të 11-vjeccarit ku ai të ketë pohuar se vjedh për pasion. Gjithsesi urojmë që “superhajduti” M.C, të mos e lëzojë këtë artikull sepse ndonjë ditë, me këtë reklamë dhe publicitet të pa justifikuar dhe jo profesional që i bëhet, do ta ndjente veten “personazh të krimit” në ato përmasa sa mund të vjedhë jo ndonjë polic të pa vëmendshëm por ndonjë personazh kushedi sa lart në Qeveri apo në Parlament. Jo për gjë por besoj se edhe “profesionisti” e di qe parlamentarët ene qeveritarët mbajnë goxha pare me vete e aq më tepër telefona të shtrenjtë!

Ky artikull ka

2 komente

Nga kusaret

6 Qershor 2008 më 9:36 am

Tituj bombastikë dhe jo realë…!  

Gazetën “Telegraf” e cila botohet ne Tirane mund ta lexoni ketu:www.gazetatelegraf.com. Ndersa klikova ne webin e saj dhe po navigoja, me ra ne sy nje titull i shkruar ekzaktesisht keshtu: Tregtaret marrin “peng” kryebashkiakun! Ishte ne rubriken e lajmeve te djeshme dhe me shkaktoi vertet habi. Si eshte e mundur te kete ndodhur kjo gje dje, dhe asnje media nuk e ka percjelle “rrembimin e kryebashkiakut”, si nuk kam degjuar per kete ngjarje. Pa vonese klikova dhe hapa artikullin qe vijon me poshte:

BERAT-Ndodhi ajo që ishte paralajmëruar një ditë më parë, ku tregtarët ishin betuar se nëse nuk do t’u zgjidheshin kërkesat do të përshkallëzonin protestat. Qysh në orën 08 të mëngjesit, 400 tregtarët e tregut industrial, të bashkuar si as një herë, janë grumbulluar tek tregu dhe kanë përshkruar rrugën në drejtim të bashkisë të qytetit për të qëndruar para derës së zyrës së kryebashkiakut Fadil Nasufi. Por kanë hasur në në rezistencën e Policisë Bashkiake, e cila nuk ka lejuar që ata të hyjnë brenda. Pas acarimit me Policinë Bashkiake, tregtarët kanë kërkuar takim me Kryetarin e Bashkisë, Fadil Nasufi, i cili e dinte se do të organizohej protesta dhe ishte larguar nga bashkia. Prej këndej, tregtarët kanë shkuar para “Raifaissen Bank”,  ku kanë protestuar për më se një orë. Ata kanë kërkuar ndihmën e drejtuesve të bankës, pasi shumica e tregtarëve është debitore në këtë bankë. Sipas tregtarëve, me shpërnguljen e tregut nuk kanë mundësi të shlyejnë detyrimet e marra ndaj bankës.  Më pas, tregtarët janë mbledhur në qendër të qytetit, ku kanë pritur kryebashkiakun Nasufi, i cili mbërriti aty rreth orës 11:00. Pikërisht në atë vend, pranë Hotel Turizmit, Aleanca për Integrim do të organizonte një takim me drejtuesit e pushtetit vëndor. Në momentin që Kryetari Bashkisë ka zbritur nga makina, ai është rrethuar nga protestuesit duke mbetur “peng” i tyre për 30 minuta. Ata i kanë kërkuar atij sqarime për premtimet e mëparshme të pambajtura dhe që lidheshin me transferimin e tregtarëve në tregun e ri pas përfundimit të tij si dhe i janë ankuar për kushtet e këqia higjienike në vendin ku bashkia ka vendosur t’i çojë ata. Në këtë moment, kryetari LSI-së, Ilir Meta ka ndërhyrë për të qetësuar gjendjen, duke i kërkuar kryebashkiakut Nasufi që të ulet me përfaqësuesit e tregtarëve për të gjetur një rrugë zgjidhje. Vetëm në këtë çast, protestuesit e kanë lënë të lirë Nasufin që që të hynte në takim me LSI-në. Përfaqësuesi i tregtarëve, Arsen Merkaj është shprehur se në se Kryetari Bashkisë nuk do të zgjidhë kërkesat e tyre, ata do të hyjnë në grevë urie së bashku me fëmijët e tyre.

Me falni, nese nje tubim i madh po zhvillohet ne qender te Tiranes, dhe nese une afrohem aty qe te kaloj por nuk arrij ta bej kete per shkak te njerezve te shumte ne shesh, mos duhet te shkoj ne polici te bej denoncim per pengmarrje???

Ne artikull thuhej se kryebashkiaku ka mbetur peng, ndersa ne titull lajmerohet se tregtaret kane marre peng kryebashkiakun!!! I cili nuk eshte cudi qe nese e ka lexuar gazeten, te jete habitur edhe vete per “pengmarrjen” e tij”.

Ky artikull ka

0 komente

Nga kusaret

5 Qershor 2008 më 1:58 pm

1497 faqet e vizituara, 2 sot
808 vizita, 2 sot